Të mërkurën, më 20 korrik 2016, në xhaminë e fshatit Sibofc të komunës së Podujevës pati dua hatmeje, pas përfundimit të leximit komplet të Kuranit nga 11 nxënësit e hoxhës Beqir ef. Nuredinit, imam po në fshatin Sibofc.
Programi filloi me fjalën përshëndetëse të imamit Beqir ef. Nuredini, i cili në fillim falënderoi Allahun xh.sh., që e bëri të mundur një takim të tillë, e më pas shprehu mirënjohje, falënderim dhe mirëseardhje ndaj myftiut Naim ef. Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij që gjetën kohë të jenë të pranishëm në një ngjarje si kjo e duasë së hatmes. Ndër të tjera ai tha se që nga marrja e detyrës, në vitin 1993, e deri më sot, aktivitetet e tilla në xhaminë e tij nuk kanë munguar asnjëherë, prandaj për këtë ndihen të gëzuar dhe falënderues ndaj Zotit.
Më pas fjalën e mori kryetari i KBI të Podujevës, Bekim ef. Jashari, që pas përshëndetjeve për Zotin dhe selameve për Pejgamberin a.s., i uroi mirëseardhje myftiut Naim ef. Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe uroi imamin Beqir ef. Nuredinin për korrjen e këtij suksesi me nxënësit e tij.
Siç e kërkon tradita, edhe myftiu Tërnava, si udhëheqës i Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti një fjalë rasti, me ç’rast e përgëzoi imamin për punën e tij, si dhe i uroi suksese edhe në vazhdim. “E falënderojmë Allahun xh.sh., që na ka takuar në këtë vend të bukur dhe na ka bërë pjesëtarë të kësaj feje, që na begatoi me dërgimin e pejgamberëve deri të Pejgamberi a.s., dhe që dërgoi këtë Shpallje madhështore”, ka thënë Tërnava, duke shtuar se ne si besimtarë e dimë se ai që e mëson Kuranin dhe atë ua mëson të tjerëve është më i mirë ndër njerëzit, sepse kështu na ka mësuar edhe Pejgamberi a.s., dhe se Bashkësia Islame e Kosovës gjithmonë do të jetë në përkrahje të aktiviteteve të kësaj natyre, dhe çdoherë do të mbështes imamët punëtorë.
Programi ishte i begatuar edhe me ilahi, ndërsa në fytyrat e të pranishmëve vërehej një tis gëzimi. Pas duasë së hatmes myftiu Tërnava shpërndau dhurata për nxënësit që bënë hatme, duke i uruar për shëndet dhe suksese të vazhdueshme në jetën e tyre.
Në fund të këtij organizimi u shtrua edhe një drekë për gjithë të pranishmit.