Prishtinë, 7 tetor 2022 

Me rastin e 12 Rebiul Evelit, ditëlindjes së pejgamberit Muhamed a.s., Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës, organizoi manifestim për të shënuar këtë ngjarje të rëndësishme në historinë islame, i cili u mbajt në xhaminë e Madhe  “Sulltan Fatih” në Prishtinë.  Në këtë solemnitet morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga kabineti i tij,  hoxhallarë dhe shumë xhematë të tjerë. 

Një fjalë rasti mbajti kryeimami i KbI të Prishtinës,, Burhan ef. Hashani, i cili foli rreth jetës fisnike të të Dërguarit a.s.. Ai theksoi rëndësinë e mësimit dhe studimit të jetës, veprës dhe misionit të tij fisnik.

 Kurse ligjëratën tematike e mbajti  Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili uroi  besimtarët e vendit tonë dhe botës mbarë për këtë ngjarje historike. Ligjërata e Myftiut Tërnava u karakterizua edhe me lutjet për paqe e harmoni mes njerëzve në gjithë globin. Ai kujtoi ajetin kuranor, i cili çmon lart figurën dhe personalitetin e Muhamedit a.s.: “Manifestimi i Ditëlindjes së Pejgamberit, Muhamedit alejhisselam, si tek të gjithë popujt myslimanë edhe te populli ynë, ka një traditë po aq sa edhe prania e fesë islame në këto troje, dhe si i tillë është i shtresuar thellë në identitetin fetar e kulturor të populli tonë, aq sa ka marrë edhe karakter të një manifestimi thuajse gjithëpopullor, kjo për faktin se populli ynë tërë muajin rebiul-evvel e kalonte në përkujtim të Muhamedit a.s.”- tha Myftiu Tërnava. 

Ai më tej në ligjëratën e tij nënvizoi se ne kur kujtomë lindjen e Pejgamberi a.s., kemi për synim që të njohim misionin e tij, mësimet e tij, sjelljet e tij, virtytet e cilësitë e tij, edebin e ahlakun e tij, për të cilat njerëzimi ka nevojë që t’i njohë, t’i dijë, t’i trajtojë, t’i studiojë e t’i vë në përdorim në vazhdimësi, sepse të gjitha këto janë me burim hyjnor, sepse Allahu xh.sh., për të Dërguarin e Tij, Muhamedin a.s. ka thënë: “Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet”. ( En-Nexhm, 3-4).

Ai më pas porositi të pranishmit se në kohën që po jetojmë, mbushur me konflikte, mosdurim, smirë e urrejtje në njërën anë, dhe në anën tjetër kur shoqëria e posaçërisht rinia jonë përballen me shumë dukuri negative, mësimet e Pejgambeit a.s. janë rrugëdalja më e mirë për t’i tejkaluar këto sfida që na mundojnë sot.

Programi më pas vazhdoi me pjesën artistike, me këndimin e mevludit, ilahive dhe kasideve, të përgatitura nga imamët e Prishtinës, si dhe krejt në fund u bë edhe duaja, të cilën e bëri Jahir ef Beqiri.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…