Prishtinë,16 qershor 2016
Nën organizimin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dje në Prishtinë u mbajt konferenca shkencore “Zani i Naltë një shekull në shërbim të dijes”.
Në këtë konferencë shkencore mori pjesë Myftiu i Republikës së Kosovës Mr. Naim ef. Tërnava, nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, z.Bujar Spahiu, përfaqësuesi i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Qani Nesimi , përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Ali Bardhi, akademikë, studiues, profesorë, publicistë etj.
Në fjalën e tij myftiu Tërnava iu dëshiroi mirëseardhje e suksese mysafirëve dhe punonjësve shkencorë, si dhe tha se themelimi i revistës “Zani i Naltë” është një nga vendimet më madhore intelektuale të Kongresit Mysliman Shqiptar, i cili nxori edhe vendime tjera që u bënë themel i fortë dhe i qëndrueshëm për zhvillimin e jetës fetare, arsimore e kulturore të vendit. “Sot në këtë konferencë ne kujtojmë të gjithë ata që ndihmuan në ngritjen e revistës “Zani i Naltë”, e para së gjithash drejtuesit e saj: Ismail Maçi, Shyqeri Myftiu, Isa Domi etj. Përmes kësaj konference sikur e shlyejmë një pjesë të borxhit që kemi ndaj të parëve tanë, prijësve tanë të shquar, ndaj brezit të intelektualëve e ulemave që krijuan vlera që i rezistuan kohës edhe sot e gjithë ditën. Kontributi i tyre ishte i prekshëm e real, si dhe me vlerë shumë dimensionale, gjë që na bën të ndihemi krenarë me atë brez atdhetarësh, dhe në të njëjtën kohë na bën përgjegjës të vazhdojmë rrugët, mësimet e porosit e tyre të urta e fisnike”, ka thënë myftiu Tërnava, duke shtuar se konferenca e sotme është vazhdimësi e konferencës së mbajtur në Tiranë nga KMSH-ja, pra në shkurt të po këtij viti. Ai veçoi se prijësit tanë tash e nëntëdhjetë vjet më parë “Zanin e Naltë” e kishin nisur si projekt gjithëkombëtar, dhe tani botimi i ka këtë mision, ngase siç dihet është realizuar nga tri komunitetet islame shqiptare, dhe si i tillë do të shpërndahet në të gjitha trojet tona. “Përgëzoj të gjithë ata që punuan në realizimin e këtij projekti madhor për kulturën dhe trashëgiminë tonë, si dhe shpreh mbështetjen time edhe në të ardhmen”, tha Tërnava.
Ndërsa nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, z.Bujar Spahiu, me ta marrë fjalën tha se “Zani i Naltë” ndihmoi në pasurimin e vlerave të shqiptarëve. Kjo revistë pati rëndësi të madhe jo vetëm për edukimin fetar islam të popullatës shqiptare por zgjoi edhe ndjenjat e patriotizmit dhe të ngritjes kulturore e arsimore të popullit shqiptar. “Edhe pse ka kaluar një shekull nga dalja e kësaj reviste, artikujt e revistës mbeten sa aktual aq edhe edukues, si dhe me mjaft vlera kulturore e arsimore, duke u bërë kështu një tribunë e trashëgimisë intelektuale te shqiptarët. Kjo është një trashëgimi e çmuar për popullin tonë, e cila do të pasurojë bibliotekat e universiteteve dhe të studiuesve, duke shërbyer si një dëshmi e gjallë e kulturës islame te shqiptarë”, tha Spahiu, duke cilësuar se kolona ‘Zani i Naltë” është një tribunë ku pendat e shquara të kohës shpalosën mendimet dhe zgjidhjet e tyre për problemet e shoqërisë shqiptare në atë kohë.
Përfaqësuesi i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë Prof. Dr. Qani Nesimi theksoi se “Zani i Naltë” është një produkt i inteligjencës shqiptare myslimane në një periudhë kyçe të krijimit të identitetit shqiptar mysliman pas perandorisë osmane. “Ne me këtë punë vlerësojmë të kaluarën tonë, si dhe vlerësojmë vetveten. Unë jam i bindur se duke ringjallur këto elemente të dijetarëve e intelektualëve, siç u përmendën më sipër nga Myftiu i Kosovës”, ka thënë Nesimi.
Këtë konferencë e përshëndeti edhe kryemami i Ulqinit, Ali Bardhi, duke theksuar se Mali i Zi nuk ishte pjesë e këtij projekti madhor. “Natyrisht “Zani i Naltë” ka periudhat e veta, dhe ribotimi i tyre sot do të rrisë ndjeshëm kujtesën nga e kaluara kombëtare e fetare e kombit tonë. Uroj që projekte të tilla të vazhdojnë edhe më tutje, edhe në qoftëse do të bëhet ndonjë enciklopedi shqiptare për myslimanët në trevat tona, të na përfshini edhe neve si shqiptarë të Mali të Zi”, përfundoi ai.
Pas fjalëve përshëndetëse konferenca ka vijuar me dy seancat shkencore, ku studiues të shquar kanë nxjerrë në pah rolin dhe vlerat mbarëkombëtare dhe fetare të kësaj reviste.
Në seancën e parë, moderuar nga Ahmet ef. Sadriu-drejtor për Shtyp dhe Veprimtari Botuese, referuan studiues të njohur me tema të larmishme, si: Akad. Feti Mehdiu, me temë “Zani i Naltë” – gurthemel i periodikut islam në gjuhën shqipe”; Dr. Fahrush Rexhepi, me temën “Trajtimi i temave kombëtare e kulturore në revistën “Zani i Naltë”, dhe; Dr. Genti Kruja, me temën “Zani i Naltë” – zëri që lidh brezat e një shekulli”.
Ndërsa në seancën e dytë, moderuar nga kryemami i BIK-ut, Sabri ef. Bajgora, kanë referuar studiuesit si: Dr. Hysen Matoshi, me temë “Letërsia në faqet e “Zanit të Naltë”; Dr. Qani Nesimi, me temën “Zani i Naltë” – një vazhdimësi e traditës religjioze primordiale”, si dhe Ramadan Shkodra e Sadik Mehmeti, me temën “Robotimi i “Zanit të Naltë”.
Revista “Zani i Naltë” është organi i parë zyrtar i KMSh-së, dhe është themeluar më 1923. Nga tetori i vitit 2012 ka filluar ribotimin si një revistë që përmban artikuj të mirëfilltë shkencorë në fusha të ndryshme të shkencave islame dhe sociale.
Kumtesat shkencore të mbajtura në këtë konferencë, si dhe ato të konferencës së mbajtur në Tiranë, do të vijnë më vonë në një botim special, pra të përmbledhura në një libër.
Në fund të kësaj konference për të pranishmit u shtrua iftar. {gallery}zaninlt616{/gallery}