Prishtinë, më 6 shtator 2022
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim ambasadorin e Malajzisë, Dato Abdul Malik.
Pasi i dëshiroi mirëseardhje, Myftiu Tërnava e njohu mysafirin me organizimin dhe aktivitetet e BIK-ut si institucion i vetëm që organizon dhe udhëheq jetën edukativo-fetare në Kosovë. Ai falënderoi shtetin e Malajzisë për të gjitha ato që ka bërë para dhe pas pavarësisë së Kosovës, si dhe për përkrahjen që ende po vazhdon ta japë që Kosova të integrohet në mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë. Myftiu Tërnava tha se jemi të interesuar për forcimin e lidhjeve dhe për hapjen e mundësive të reja të bashkëpunimit.
Nga ana e tij ambasadori i Malajzisë, Dato Abdul Malik, falënderoi Myftiun për pritjen vëllazërore dhe u shpreh i lumtur që Kosova po ecën me hapa të sigurt drejt zhvillimit dhe prosperitetit dhe se Malajzia do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën që populli i saj të ketë mirëqenie ekonomike e sociale.
Dy palët ranë dakord dhe shprehen gatishmëri për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.