Prishtinë, më 22 maj 2022

Mbrëmë, në Qendrën Britaniko-Shqiptare të Komunitetit Mysliman (British Albanian Muslim Community) në Londër, u promovua libri “Islami në Andaluzi”, i autorit anglez, Ahmat Thomson, i përkthyer në shqip nga prof. Ejup Ramadani.

Fillimisht, para të pranishmëve, një fjalë rasti rreth librit e mbajti imami i Qendrës, Mehmet ef. Stublla, i cili vlerësoi lart botimin në shqip të këtij libri që i kushtohet Andaluzizë myslimane.

Ndërkaq, përkthyesi i librit, prof. Ejup Ramadani, para të pranishmëve shpalosi motivet dhe faktorët që kanë ndikuar që ai t’i rreket punës për ta sjell në gjuhën shqipe këtë vepër.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese në Kryesinë e BIK-ut, Ramadan Shkodra, përveç tjerash tha se libri të cilin po e promovojmë sot, është i një rëndësie të veçantë, ngase është ndër veprat e pakta në gjuhën shqipe që i kushtohet Andaluzizë së qeverisur nga myslimanët.
“Ne si botues kemi nderin që të ofrojmë për lexuesit shqipfolës një vepër të tillë” – tha ndër të tjera drejtori Shkodra.
Ai gjithashtu shfrytëzoi rastin që në këtë aktivitet kulturor, para të pranishmëve, t’i prezantoi edhe disa nga botimet e fundit të shtëpisë botuese “Dituria Islame”, si dhe një pjesë të fjalës së tij ia kushtoi historikut të literaturës islame në gjuhën shqipe, me theks të veçantë, literaturës së botuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Në këtë aktivitet, të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe këshilltari i Këshillit Bashkiak në Waltham Forest London, z. Kastriot Berberi, i cili tha se ndjehet i nderuar që është i pranishëm në këtë promovim, të organizuar nga komuniteti shqiptar.
“Ndjehem mirë që sonte, në këtë aktivitet na ka bashkuar libri, dija e kultura. Aktivitetet e tilla janë më se të nevojshme për ne” – tha ndër të tjera z. Berberi.

Ndërkaq, të premten, prof. Ejup Ramadani dhe drejtori Ramadan Shkodra, vizituan Qendrën Britaniko-Shqiptare të komunitetit myslimanë, në të cilën u mirëpritën nga imami Mehmet ef. Stublla. Imami Stublla i njohu me organizimin dhe funksionimin e komunitetit shqiptar në kuadër të Qendrës.

Gjatë qëndrimit në Qendrë, zyrtarët nga BIK-u bashkëbiseduan me mërgimtarët tanë, me të cilët së bashku falën edhe namazin e xhumasë.

Po të premten, prof. Ejup Ramadani dhe drejtori Ramadan Shkodra, të shoqëruar edhe nga imami Mehmet Stublla, vizituan Xhaminë Qendrore të Londrës, e cila vepron në kuadër të Qendrës Kulturore të Rixhens Park (Cultural Centre Regents Park Moque), në të cilën u mirëpritën nga drejtori i kësaj Qendre, dr. Ahmed Dubjan, i cili i njohu mysafirët me aktivitetet e Qendrës, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës. Ai vuri theksin te formimi i këndit të literaturës shqipe në kuadër të bibliotekës së Qendrës, ngase sipas tij, biblioteka e Qendrës frekuentohet edhe nga një numër i konsiderueshëm i komunitetit shqiptar që jetojnë në Londër.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…