Prishtinë, më 20 prill 2022

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka marrë pjesë në tryezën shkencore me temë “Zekati – vlerë islame në mirëmbajtjen dhe zhvillimin e jetës fetare”, e cila u organizua nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut. Kjo tryezë u mbajt në ambientet e shkollës së mesme “Medreseja Isa Beu” në Shkup.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar të pranishmëve, Myftiu Tërnava përkrahu fuqishëm këtë tubim fetar, duke falënderuar kështu BFI-në e Maqedonisë së Veriut për ftesën dhe për respektin. Ai potencoi se tubimet e tilla afrojnë të dy bashkësitë islame në veprimin e tyre. Myftiu Tërnava tha se institucioni e zekatit e institucionalizoi vetë Muhamedi a.s., duke na mësuar kështu edhe neve se ku duhet dhënë ai. “Institucioni i zekatit ka të bëjë me jetën fetare islame në vendin ku myslimanë jetojnë dhe veprojnë, e sipas kësaj çështje, bashkësitë tona fetare i kanë kushtuar rëndësi të madhe kësaj çështje. Kohëve të fundit kemi një vetëdijesim të madh të myslimanëve për ta dhënë zekatin dhe sadakatul fitrin në fondin e bashkësive fetare islame” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava. Ai më pas uroi organizatorët për këtë nismë, duke potencuar se këto nisma të përbashkëta janë më se të nevojshme, sepse ne jemi një dhe kemi një qëllim, një të ardhme dhe një vatan, ndaj sigurisht se ne me tërë qenien tonë duhet të përpiqemi t’i japim domethënie jetës, punës e fesë sonë brenda trojeve tona.

Reisul ulema i BFI-së, Shaqir ef. Fetai, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve iu dëshiroi mirëseardhje atyre, duke uruar që kjo tryezë shkencore të shkojë mbarë e mirë. Më pas ai nënvizoi se kjo tryezë shkencore ka për qëllim që sadopak t’i qasemi institucionit të zekatit, në mënyrë sa më të organizuar në këtë dhjetë ditësh të fundit të Ramazanit. “Rijaseti ka vendosur që t’i kushtoj një rëndësi të veçantë zekatit me organizimin e kësaj tryeze shkencore, andaj them me përgjegjësi se panelistët e nderuar janë kompetentë të flasin për të, duke u bazuar në bagazhin e tyre shkencor” – tha ndër tjera Reisi Fetahi.

Kumtesat e tyre në lidhje me zekatin i paraqitën dy panelistë, prof. Jusuf Zimeri dhe dr. Islam Hasani, të cilët dhanë një qasje burimore islame për zekatin, definicionin, distribuimin dhe metodat bashkëkohore të kuptimit të tij.

Pas tryezës, për mysafirët u shtrua iftar i përbashkët në ambientet e Medresesë.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…