Prishtinë, më 31 mars 2022

Kuvendi i Bashkësisë Islame të Kosovës, mbajti sot mbledhjen e rregullt, në të cilën përpos anëtarëve të Kuvendit mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava.

Në rend dite ishte shqyrtimi dhe miratimi i raportit për punën e Kryesisë së BI-së të Kosovës për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2021, raporti i komisionit financiar të Kuvendit te BIRK-ut, shqyrtimi dhe miratimi i pasqyrës për të hyrat dhe të dalat e Kryesisë (llogarisë përfundimtare) për vitin 2021, si dhe të ndryshme.

Mbledhjen e hapi kryetari i Kuvendit dr. Ajni Sinani, i cili fillimisht iu shprehu mirëseardhje anëtarëve të Kuvendit, si dhe i falënderoi ata për punën dhe angazhimin e tyre.

Më pas, një fjalë rasti para të pranishmëve e mbajti kryetari i BIK-ut, Myftiu Naim ef. Tërnava. Ai fillimisht uroi të pranishmit për ardhjen e muajit Ramazani dhe kërkoi nga anëtarët e Kuvendit të që japin kontributin e tyre për avancimin dhe shtyrjen e proceseve përpara, duke lutur Zotin xh.sh., që të na shpërblejë për punën dhe angazhimin tonë për forcimin dhe përhapjen e mesazhit të Allahut te xhemati ynë, ngase e kemi obligim mbi supet tona. “Ne jemi përgjegjës për jetën fetare brenda dhe jashtë Kosove ku kemi mërgatën tonë. Në kuadër të mundësive tona edhe gjatë vitit 2021 jemi munduar që me vetëmohim, maksimalisht të japim kontributin tonë në fuqizimin e institucionit tonë, duke filluar nga ngritja e kapaciteteve të kuadrit profesional përmes institucioneve tona fetaro-arsimore, gjegjësisht medreseve e Fakultetit të Studimeve Islame, pastaj ngritjes së infrastrukturës së BI-së me theks të veçantë përmes zhvillimit të vakëfit, me qëllim të vetëm, që sa më mirë të organizojmë jetën fetare në çdo cep të vendit tonë, dhe që ibadetet t’i kryejmë në ambiente sa më të mira e të pastra”- shtoi Myftiu Tërnava.

Ai po ashtu tha se ndjehet krenar me punën dhe angazhimin e anëtarëve të Kryesisë së BIK-ut, të cilët po japin një kontribut të jashtëzakonshëm në funksionimin e jetës fetare në vend dhe falënderojmë Zotin që sot BIK-u është Bashkësia Islame më stabile në rajon dhe kjo është një mirësi të cilën e kemi arritur me punë dhe angazhim. Ai më pas theksoi edhe projektet e shumta infrastrukturore, e sidomos vakëfeve që janë duke u ngritur gjithandej Kosovës. Në emër të Kryesisë së BIK-ut, i shprehu falënderime të gjithë bashkëpunëtorëve, nëpunësve e drejtuesve të institucioneve për punën e tyre të palodhshme, duke i inkurajuar që edhe më tej të vazhdojmë punën me zell dhe e me përkushtim.

Më pas kuvendarët diskutuan përkitazi me shqyrtimin dhe miratimin e raportit të punës së Kryesisë së BIK-ut për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2021, raportin e Komisionit Financiar të Kuvendit të BIK-ut, si dhe shqyrtimin dhe miratimin e Pasqyrës për të hyrat dhe të dalat e Kryesisë (llogaritë përfundimtare) për vitin 2021, si dhe pika të tjera të ndryshme.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…