Sofra e iftareve të përbashkët gjatë gjithë muajit Ramazanit bëri që të tubohen besimtarët myslimanët anekënd vendit, që bashkërisht të takohen dhe të forcojnë lidhjet miqësore e vëllazërore mes vete.
Ishte Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës ai që prezantoi në shumicën e këtyre iftareve, duke takuar shtresa të ndryshme të shoqërisë, që nga përfaqësuesit e institucioneve lokale në komunat e Kosovës, administratën e Këshillave të BIK-ut, imamët e nderuar, e deri te besimtarët e shumtë nga i gjithë vendi.
Në iftarin e Kryesisë së BIK-ut, të organizuar në Prizren me datë 27. 06. 2015, ku përveç kryetarit të Komunës ishin të pranishëm edhe përfaqësues të partive politike, deputetë, pjesëtarë të FSK-së dhe KFOR-it, si dhe besimtarë të tjerë, Myftiu bëri thirrje për paqe, tolerancë, respekt dhe krijim të një klime të sigurt në tërë Republikën e Kosovës.
Pas iftareve që Myftiu Tërnava shtroi në secilin nga regjionet: të Gjakovës (28. 06. 2015), të Prishtinës (29. 06. 2015), të Gjilanit (30. 06. 2015), të Ferizajt, si dhe të Pejës (01. 07. 2015), radha i erdhi iftarit tradicional, i cili u shtrua në Medresenë e Mesme “Alaudin” në Prishtinë, me datë 03. 07. 2015, me rastin e shënimit të përvjetorit të betejës së Bedrit.
Myftiu Tërnava, pasi përshëndeti prezencën e gjithë administratës së Këshillave të BI-së të Republikës së Kosovës, ndër të tjera tha: “Njeriu në këtë mes e ndien veten mire, sidomos kur sheh para vetes këtë kuadër. Mirëpo, kur sheh se i gjithë ky potencial shfrytëzohet në ngritjen e fjalës së Allahut, atëherë sigurisht se përjetimet e mira janë edhe më të mëdha. Ata që kanë pasur guximin të marrin përgjegjësitë mbi supet e tyre, pra për kumtimin e fjalës së Zotit xh.sh. dhe lartësimin e saj, pastaj në përhapjen e saj, sigurisht që janë ata që e kanë pasur dhe e kanë dert këtë çështje, prandaj, për ta marrë përsipër këtë përgjegjësi dhe amanet që nuk ishin në gjendje ta mbajnë as bjeshkët, nuk ishte edhe aq lehtë, për çka ju përgëzoj për punën madhore që po bëni në vazhdimësi, nëpër gjithë komunat e Kosovës. BIK-u, sikur edhe deri tani, është munduar të krijojë një klimë të mirë pune, dhe unë jam shumë i kënaqur që deri tani keni punuar me zell dhe pa përtesë, për realizim të aktivitete fetare gjatë këtij muaji të madhërishëm. I Madhi Zot është Ai që e shpërblen mundin e secilit prej nesh, për çka edhe thotë në fjalën e Tij: “…dhe thuaj: punoni, se Allahu e sheh punën tuaj!”, tha Myftiu Tërnava.
Myftiu Tërnava gjithashtu shtoi se ne sot po jetojmë në kohëra të turbullta, nën këtë nën qiell ku ka pasur ndeshje të shumë civilizimeve, ku në këto troje u derdh gjak i panevojshëm, por, megjithatë ia kemi dalë mbanë, duke i treguar botës se Islami është ky që ne e praktikojmë këtu në Kosovë, është ky që thërret në paqe, harmoni e prosperitet, kundër çdo gjëje që shkon në dëm të individit, familjes dhe shoqërisë në përgjithësi, mbrojtje të atdheut dhe ruajtje të sigurisë së vendit. “Pra, assesi dhe në asnjë moment imamët nuk guxojmë që të ndikojmë në pasiguri të vendit. Ju e keni përjetuar se çfarë do të thotë të mos jesh i sigurt në vendin tënd. E mbani mend kur ishit në vendin tuaj, dhe nuk guxonit të falnit namazin në xhami. Sepse aparati i dhunshëm shtetëror serb i instaluar në Kosovë e pamundësonte një gjë të tillë. Pra, aty ku ka siguri, aty ka ardhmëri. Ne jemi një faktorë tejet të rëndësishëm në krijimin e sigurisë në Kosovë, dhe ne duhet edhe më të punojmë në këtë drejtim, dhe t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë këtij aspekti”, vazhdoi Myftiu Tërnava, duke shtuar se “BIK-u ka punuar vazhdimisht, dhe sigurisht se gjatë punës ka korrur mjaft suksese, e në të njëjtën kohë, pse jo, edhe ka pasur lëshime, gjë që është shumë e arsyeshme dhe shumë njerëzore. “Sepse derisa jemi njerëz, jemi të gabueshëm.”, tha Myftiu Tërnava.
Myftiu Tërnava shtoi se BIK-u bashkë me Fakultetin e Studimeve Islame dhe me Medresenë “Alaudin” po i japim botës një shembull të mirë se si punohet dhe veprohet. “Nuk ishte rastësi fjala e kongresistit amerikan, Elliot Angel, dje kur tha se: “Kosova është model i tolerancës në Evropë”. Kjo qëndron, dhe këtë e kemi arritur ne bashkërisht. Askush nuk do të ketë mundësi të shkelë mbi parimet e fesë, dhe asnjëherë mësimet e fesë nuk guxojmë t’i keqpërdorim për interesa individuale, për interesa klanore e parciale, e të cilat shkojnë në dëm të fesë dhe atdheut. Ajo që sot po ndodh në disa toka arabe, madje edhe në këto ditë Ramazani, duke vrarë e duke shkaktuar dhunë e kaos në mes të njerëzve, nuk ka të bëjë asgjë me fenë tonë të pastër dhe parimet e saj. Ne assesi nuk kemi pasur dhe nuk kemi bij e bija tona që të marrin rrugë nëpër këto vende. Prandaj, le të punojmë për të mirën e vendit tonë, për ardhmërinë tonë më të sigurt”, përfundoi fjalën e tij Myftiu Tërnava.{gallery}iftaret15{/gallery}