Prishtinë, më 12 mars 2022
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim dr. Abdulaziz el-Zajid, drejtor i Shoqatës Humanitare “El Xhuud el-Hajrijeh” me seli në Kuvajt.
Myftiu Tërnava fillimisht i uroi mysafirëve mirëseardhje në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, e më pas i njohu ata me historikun, sfidat dhe të arriturat e institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai falënderoi dr. Abdulazizin dhe nëpërmes tij, shtetin e Kuvajtit për ndihmat e dhëna për Kosovën në përgjithësi dhe për institucionin e BIK-ut në veçanti, si para, ashtu edhe pas luftës. Ai shprehu gatishmërinë e tij, por edhe të Bashkësisë Islame të Kosovës që edhe më tej të vazhdojnë bashkëpunimin e mirëfilltë që kanë pasur me këtë shoqatë.
Nga ana e tij, dr. Abdulazizi, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer që ka mbretëruar deri më tani ndërmjet shoqatës dhe BIK-ut. Ai shprehu interesimin e tij që edhe më tej të kontribuojë dhe të ndihmojë popullin e Kosovës, në të gjitha sferat pa dallim.
Vlen të përmendet se Shoqata Humanitare “El Xhuud el-Hajrijeh” ka marrë përsipër rindërtimin e dy xhamive në Kosovë, asaj në fshatin Kishnarekë të Drenasit dhe asaj në Strellc të Deçanit.