Prishtinë, 05.06.2015, 16:00
Z. Najeeb Al Bader, ambasador i Kuvajtit në Shqipëri, ambasador jorezident në Kosovë, sot u takua me Myftiu Tërnava, në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. Myftiu Tërnava e mirëpriti ambasadorin Najeeb Al Bader, duke i dëshiruar mirëseardhje, si dhe duke e falënderuar jo vetëm Ambasadën e Kuvajtit për bashkëpunimin e ndërsjellë por, njëkohësisht, edhe shtetin e Kuvajtit për të gjitha ato që ka bërë në Republikën e Kosovës, përfshirë këtu edhe njohjen e pavarësisë së saj.
“Është nder dhe privilegj që t’ju kemi këtu, gjithmonë duke shprehur falënderimet më të sinqerta për popullin e Kuvajtit dhe udhëheqësit e tij, për gjithë atë që është bërë për Kosovën”, u shpreh Myftiu Tërnava.
Në anën tjetër, ambasadori falënderoi Myftiun për mikpritjen, si dhe shprehu zotimin e tij se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sigurisht me intensitet edhe më të shtuar, duke thënë: “Shteti ynë çmon lart dhe e vlerëson punën dhe angazhimin tuaj si Myfti i Kosovës. Kuvajti ka lidhje të ngushta me shtetin tuaj, dhe këto lidhje duhet të forcohen edhe më shumë, me shpresë se vizitat tuaja në Kuvajt, si bashkësi fetare, dhe ato të përfaqësuesve të qeverisë suaj, pra do të shpeshtohen, për të vazhduar më tej me hapa konkret, me hapje të ambasadave në secilin prej shteteve dhe implementimin e projekteve konkrete kapitale”.
Myftiu prezantoi disa nga projektet dhe investimet me vlerë të realizuara nga shtetet arabe, që nga periudha e pasluftës e deri më sot, e ndër to: shkollat e ndryshme, spitalet, çerdhet, ambulancat, xhamitë, objektet afariste, e shumë tjera.
Në përfundim të takimit ambasadori dhe Myftiu shkëmbyen dhurata simbolike, si shenjë mirënjohjeje dhe forcimi raportesh dhe lidhjesh mes tyre.
Mbresa të thella ambasadorit i la edhe biblioteka e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, e cila në vete përmban edhe një numër të konsiderueshëm të dorëshkrimeve të vjetra qindravjeçare, të digjitalizuara këtë vit nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës.