Me vëmendje e shqetësim kam përcjellë eskalimin e situatës në Ukrainë. Makthin dhe terrorin që po e përjeton populli i Ukrainës nën kërcënimin e makinerisë ushtarake ruse, është ogur i zi që paralajmëron ditë të rënda për njerëzimin, para së gjithash për qytetarët e paarmatosur ukrainas.
Pamjet e granatimeve të qyteteve e të vendbanimeve me popullatë civile, radhët e gjata të qytetarëve duke u larguar nga shtëpitë dhe vatrat e tyre, si dhe viktimat e pafajshme në radhët e civilëve, për ne janë të papranueshme, ngase vetëm para dy dekadash, kemi kaluar nëpër një situatë të tillë.
Lutem dhe apeloj tek të gjithë faktorët ndërkombëtarë, që para luftës e gjakderdhjes të zgjedhin paqen, para konfliktit të zgjedhin mirëkuptimin e tolerancën, para vuajtjeve e shkatërrimit të zgjedhin qetësinë e stabilitetin.
Lusim Zotin që situata e tanishme në Ukrainë të zgjidhet me mjetet politike e paqësore dhe bota e njerëzimi të jenë më të qetë e më të sigurt.
Paqe e qetësi për popullin e Ukrainës, të shmangin gjakderdhjen, shkatërrimet dhe trazirat, t’i themi fuqishëm JO luftës.
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava