Prishtinë, 17 mars 2015
Kryesia e Bashkësisë Islame, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, pas shqyrtimit miratoi Llogarinë Përfundimtare të Kryesisë së BIK-së për vitin 2014.
Para Kryesisë së BIK-së Llogarinë Përfundimtare e paraqiti drejtori financiar, Kasim ef. Gërguri i cili në fjalën e tij veç tjerash tha: “Viti që lamë pas mund të them se ka qenë një ndër vitet më të suksesshme, sa i përket rritjes së të hyrave dhe donacioneve, dhe tërë qarkullimit financiar të Kryesisë”.
Kryesia e BIK-së, po ashtu sot miratoi edhe Llogaritë Përfundimtare të Këshillave të BI-së.
Në këtë mbledhje Kryesia e BIK-së shqyrtoi dhe martoi edhe Raportin për therjen e kurbanëve. Këtë raport, në emër të Komisionit përkatës e paraqiti Resul ef. Rexhepi, i cili ndër të tjerat tha se Komisioni me kohë ka bërë përgatitjet e duhura, që nga informimi, sensibilizimi, hapja e tenderëve për blerjen e kafshëve të trasha, pastaj hapja e tenderit për therjen e kurbanëve , mbikëqyrjen e therjes, e deri te grumbullimi i mishit për nevoja të institucioneve të BIK-së dhe shpërndarjes për nevoja të besimtarëve në Kosovë, Kosovën Lindore dhe në Shqipërinë Veriore.
Në këtë takim Kryesia shqyrtoi dhe miratoi edhe lëndë të tjera konform kompetencave të veta kushtuese.