Prishtinë, 3 korrik 2014
Kryesia e BIK dënon aktin e përdhosjes së bustit të heroit tonë kombëtar Skënderbeu në Kaçanik
Përdhosja, ofendimi, urrejtja e gjuha e kontaminuar janë të pa pranueshme për çdo shoqëri, e aq më tepër për shoqërinë tonë, që është ngritur duke kultivuar mirëkuptimin, tolerancën, respektin e mirëbesimin, sidomos në rrafshin fetar, po edhe në atë ndërnacional.
Përdhosjen e figurës së Skënderbeut e konsiderojmë një akt të ulët dhe tentim për të përdhosur historinë dhe të kaluarën tonë të lavdishme.
Aktet e tilla nuk kanë të bëjnë as gjë me fenë islame, me traditën tonë kombëtare dhe normat etike e qytetëruese, dhe si të tilla janë jo humane, antifetare, antiislame, të dëmshme të porositura nga mentorët që nuk ia duan të mirën popullit tonë.
Populli ynë gjatë historisë me përkushtim ka ruajtur e çmuar figurat e shquar historike, të cilat janë vlera mbi të cilat është ndërtuar kombi ynë.
Tentimi i interpretimit të historisë mbi baza fetare është çështje e tejkaluar nga Rilindësit tonë të shquar. BIK mbet e përkushtuar në kultivimin e tolerancës, mirëkuptimit, harmonisë e respektit si vlerat të kombit tonë e si mësime të fesë islame dhe feve të tjera të popullit tonë.