Prishtinë, 6 prill 2021
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti në takim shefin e zyrës së Fondacionit Konrad Anenauer për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut z. Daniel Braun. Myftiu Tërnava e njohu mysafirin me historikun dhe aktivitetet e BIK-ut, me situatën e përgjithshme në të cilën ndodhet Kosova në luftën me pandeminë COVID-19, si dhe për kontributin e veçantë që është duke e dhënë BIK-u me të gjitha institucionet e saj në luftimin, parandalimin dhe respektimin e protokollit të kësaj pandemie.
Më pas z. Daniel Braun falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe çmoi lart kontributin e tij dhe të BIK-ut në sferën shoqërore, që Kosova të jetë vend i paqes, sigurisë, tolerancës e harmonisë ndër-fetare. Në këtë takim u bisedua edhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Fondacionit në fusha të ndryshme.
Konrad Adenauer është fondacion politik i cili është aktiv në Gjermani me dy qendra të trajnimeve dhe të edukimit, si dhe me 16 zyre në zonat e tjera të Gjermanisë, po ashtu angazhohet në më shumë se 200 projekte në mbi 120 vende të botës. Që nga 2007, Fondacioni Konrad Adenauer në Kosovë ka një zyre përfaqësuese. Ajo nëpërmjet edukimit politik për paqe, liri dhe drejtësi angazhohet për konsolidimin e demokracisë, promovimin e integrimit evropian, forcimin e marrëdhënieve transatlantike dhe bashkëpunimin për zhvillimi.
Një tjetër fokus i fondacionit në Kosovë është afrimi drejt Bashkimit Evropian, si dhe përpiqet që në aktivitetet e veta të krijojë një vetëdije te qytetarët për BE-në dhe procesin e integrimit.