2 maj 2014
Gajtë vizitës në komunën e Deçanit, Myftiu Tërnava u prit nga kryetari i Këshillit, Besim Halilaj me bashkëpunëtorë. Me këtë rast Myftiu inspektoi punimet në xhaminë e Strellcit si dhe finalizimin e punimeve të selisë së Këshillit të BI.
Më pastaj, Myftiu mbajti hutben e xhumasë, dhe nga minberi i xhamisë së qendrës në Junik, iu drejtua xhematit me përshëndetje dhe lutje drejtuar Allahut, për mirëqenien e tyre dhe të gjithë të tjerëve që kontribuuan që islami të jetojë edhe sot pas 600 vitesh në këto troje, duke iu bërë ballë sfidave të ndryshme të kohës nëpër të cilat ka kaluar popullata e këtyre anëve.
Myftiu Tërnava porositi edhe të rinjtë, që asnjëherë, për asnjë moment dhe për asnjë çmim, të mos bien pre e shërbimeve të huaja për të punuar kundër këtij vendi dhe kundër fesë. Gjithashtu mos t’i harrojnë dhe t’i lënë anash zakonet dhe traditat e vjetra shekullore shqiptare që janë të mira dhe që nuk bien ndesh me parimet islame. Ai gjithashtu porositi ata që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e fesë, e mos ta teprojnë. Të jenë të butë e të sjellshëm me familjet e tyre, rrethin e ngushtë dhe me të gjithë shoqërinë, sepse këto janë porositë e Allahut dhe të dërguarit të Tij. Në fe nuk ka dhunë. Në fe nuk ka terror, në fe nuk ka ekstremizëm. Islami në raport me dhunën, terrorin, agresivitetin, ekstremizmin janë në dy kahje plotësisht të kundërta me njëra tjetrën.
Ai porositi që të jenë të kujdesshëm edhe në edukimin e brezave dhe gjeneratave që vijnë pas nesh. T’i japim domethënie jetës në këtë dynja. Dhuratë më të çmuar në këtë botë nuk ka, se sa të të begatojë Allahu me fëmijë. Ndaj tyre duhet të kemi shumë kujdes. Të bëhemi shkaktar që ne t’iu hapim shtegun që ta njohin dhe ta madhërojnë Allahun.
“Ndaj Islami është fe e paqes e cila e shoqëroi njeriun e parë që erdhi në këtë jetë. Është fe e shpallur te të gjithë pejgamberët e Allahut xh.sh. islam do të thotë paqe, islami e ka thirr njeriun, e thërret dhe do ta thërras deri në ditën e kiametit që ai të jetojë në paqe. Në paqe me Allahun, me njerëzit, me porositë e të madhit Zot. Të gjithë ne e dimë se kush jemi, nga kemi ardhur, çfarë kërkojmë në këtë jetë, dhe çfarë do të bëhet me ne. Jeta ka kuptim dhe vlerë vetëm atëherë kur në mendjen dhe shpirtin e njeriut kalitet bindja në Zotin dhe porositë e Tij. Allahu xh.sh. siç shprehet në Kur’an krijoi vdekjen dhe jetën që t ‘na sprovojë neve, se cili prej nesh është më vepërmirë. Kjo botë është vetëm një rrugë nëpërmes së cilës me punë dhe veprime të hajrit synojmë botën tjetër”, u shpreh ndër të tjera Myftiu.
Pas faljes së namazit të xhamisë, Myftiu Tërnava vizitoi edhe xhaminë e vjetër Çok në Junik, e ndërtuar në vitin 1580, ku u njoh për së afërmi me gjendjen e saj, dhe konfirmoi se së shpejti do të fillohet me restaurimin dhe konservimin e kësaj xhamie, ndër më të vjetrat në Kosovë.