Ballina Fjalime Mesazhi i presidentit amerikan drejtuar botës islame

Mesazhi i presidentit amerikan drejtuar botës islame

Me shkas

Përse presidenti Barak Obama e zgjodhi Egjiptin ?!

Presidenti aktual i SHBA-ve, Barak Obama, gjatë fushatës së tij zgjedhore u kishte premtuar myslimanëve, se në rast se ai tw zgjidhet në postin e kryetarit, brenda një  periudhe prej njëqind ditëve do t’i drejtohej botës islame me një fjalim rasti. Në të cilin do të dalë me propozime konkrete për përmirësimin e marrëdhënieve me këtë pjesë të botës.  Sepse ato  ishin keqësuar  dukshëm nga paraardhësi i tij presidenti Xhorxh W. Bush. Bota islame  ka një potencial njerëzor prej më shumë se një miliard e gjysmë banorë, të cilët jetojnë në 57 shtete në të gjitha meridianët  rruzullit tokësor. Kurse një numër i madh i myslimanëve jetojnë  të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe vet SHBA-të.. Rëndësia e kësaj bote ka një rëndësi strategjike  për SHBA-të  kur dihet se në këto vende  gjenden burimet më të mëdha të naftës.

Në mesin e analistëve dhe komentatorëve të botës islame, pati  prognozime të ndryshme se cili nga metropolet e botës islame  do të ketë fatin  prej nga presidenti amerikan, Barak Obama di t’i  drejtohet botës islame me një fjalim aq të rëndësishëm, i cili do të bëjë kthesë në marrëdhëniet në mes SHBA-së si fuqi më e madhe botërore dhe botës islame me një popullatë vitale, por edhe me një potencial me resurse të mëdha  ekonomike. Prej metropoleve më të përfolura ishin, Xhakarta, kryeqytet i Indonezisë, për shkak se është vendi që është i banuar me më së shumti  popullatë myslimane në botë, 300.000 milion, si dhe për shkak se presidenti aktual amerikan, Barak Obama kishte kaluar një pjesë të fëmijërisë së tij në atë vend. Prej metropoleve tjera përmendej, Stambolli dhe shumë kush mendoi se fjalimi që presidenti Obama mbajti në 6 prill në parlamentin  e Turqisë në Ankara, ishte fjalimi  që kishte premtuar. Ishte përfolur edhe Rijadi, kryeqytet i Mbretërisë së Arabisë Saudite, për shkak të se aty gjenden dy vende të shenjta të myslimanëve. Ndërsa, Kajroja ishte përfolur më së paku si një metropol prej nga presidenti Obama mund t’i drejtohej botës islame, për disa arsye.
 Vizita  e fundit që presidenti egjiptian., Husni Mubarak,  i kishte bërë Uashingtonit  ishte në vitin 2004. Kohëve të fundit marrëdhëniet në mes Egjiptit dhe SHBA-së nuk ishin në nivelin  e duhur, për shkak  të mos respektimit të  drejtave të njeriut nga ana e qeverisë egjiptiane, në veçanti burgosjes së drejtorit të Qendrës për të drejtat e njeriu, Sadudin Ibrahim, i cili kishte edhe nënshtetësi amerikane. Poashtu edhe arrestimeve të vazhdueshme të anëtarëve të Lëvizjes egjiptiane për ndryshime “Kifaje” (Mjaft), që u bënte policia egjiptiane. Andaj, të gjithw  gazetarët dhe analistët e opozitës apo që nuk ishin në anën e qeverisë mendonin se Kajroja nuk mund të jetë vendi i preferuar prej nga presidenti amerikan mund t’i drejtohet me mesazhin  e tij, shumë të pritur një miliard  e gjysmë myslimanëve nga të gjitha anët  e botës. Andaj, kjo temë, sot është artikulli kryesor,  në të përditshmen e “Al-xhumhurije”, pro qeveritare të Kajros, ku kryeredaktori i saj hedh poshtë si të pa baza propagandën e opozitës kinse, administrata e re amerikane është distancuar nga veprimet jo demokratike të  qeverisë egjiptiane dhe po hulumton për aleatë të rinj në rajon. Ndërsa gazeta kryesore tjetër gjysmë zyrtare  e Kajros “Al-ahram’, në një artikull redaksional që mbanë titullin “Mesazh drejtuar botës islame”, përshëndet vendimin e Shtëpisë së Bardhë, që Kajroja, siç e quan “zemra  e botës arabe dhe  islame” të jetë metropoli prej nga presidenti amerikan, Barak Obama do t’i drejtohet botës arabe dhe islame me mesazhin  e tij historik, i cili do të jetë një fillim i ri në marrëdhëniet në mes popullit amerikan dhe popujve myslimanë, kudo që jetojnë ata.
Lajmi mbajtjes së fjalimit të presidentit amerikan, Barak Obama, është pritur mirë nga qeveria dhe partia në pushtet, për çka ambasadori i Egjiptit në Uashington, Nebil Shukri në emër të qeverisë ka dalë me një deklaratë për media, ku ka përmendur shkaqet për çka Obama zgjodhi Kajron për një ngjarje aq të rëndësishme, duke shprehur gatishmërinë e qeverisë së vendit të tij të sigurojë një vend adekuat prej nga ai do ti drejtohej me mesazhin   botës arabe dhe asaj islame. Në mesin  e përparësive, që posedon Egjipti në krahasim me vendet tjera islame, ambasadori përmendi numrin e madh të popullatës, (tetëdhjetë milionë banorë), universitetin më të vjetër islam në botë “El-az-harin”, traditën e tolerancës dhe diversitetin fetar. E vërteta e Islamit qëndron në tolerancën, pranimin  e tjetrit   e jo në fanatizmin e tij, pohoi ambasadori egjiptian në Uashington.

Në ndërkohë,  opozita ka mendim krjetësisht të kundërt. Kështu lëvizja “Vëllezërit myslimanë,”, e cila në parlamentin egjiptian përfaqësohet më 85 deputetë, është partia më masovike opozitare në Egjipt, zëvendës kryetari i saj, Muhamed Habib për agjencinë Rojters tha se “administrata amerikane po punon për interesat e saj”, duke pohuar se fjalimi i presidentit Obama që do ta mbajë në Egjipt “nuk ka kurrfarë vlere”, sipas tij “deklaratat dhe fjalimet duhet të zbatohen në terren, sepse politika nuk ndërtohet në fjalime  por mbi vepra”.
Ndërsa Xhorxh Is-hak, koordinator i përgjithshëm i  Lëvizjes egjiptiane për ndryshime  “Kifaje (Mjaft), për të përditshmen  saudite, që botohet në Londër “Ash-sharkul awsat”, pohon se nga fjalimi  i presidentit Obama,  më 4 qershor në Egjipt,  “nuk do të ketë asgjë të rëndësishme”, për  të  shtuar se “politika amerikane do të vazhdojë t’i përkrah regjimet diktatoriale, më shumë se parimet demokratike, duke preferuar stabilitet, në vendet  e Lindjes së Mesme,  ashtu siç kishte deklaruar ish-ministrja amerikane e shtetit Kondoliza Rajs “.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibbs, për zgjedhjen e Egjiptit kishte pohuar se ishte vend i përshtatshëm në shumë aspekte.  Ai përfaqëson “zemrën  e botës arabe”. Ndërsa në pyetjen  e gazetarëve për abuzimin  e të drejtave  njerëzore, nga regjimi i Mubarakut, presidentit egjiptian, ai  ishte përgjigjur shkurt:” Rëndësia e fjalimit dhe dëshira e presidentit ( për t’iu drejtuar botës islame), është më e rëndësishme se udhëheqja e vendit se ku do të mbahet fjalimi”.

Të njëjtin vlerësim, pothuajse kishte dhënë  edhe ambasadorja amerikane në Kajro, Margaret Scoby, e cila kishte pohuar se Egjipti është shtet kryesor   në rajon dhe se zgjedhja e presidentit amerikan Barak Obama për ta vizituar  atë  më 4 qershor dhe prej aty t’u drejtohet botës arabe dhe islame vërteton këtë rol. Amerika e dinë shumë mirë  vlerën dhe peshën  e Egjiptit. Presidenti amerikan prej Egjiptit do të deklaroj se vizita  e tij në Lindjen e Mesme  ka për qëllim  t’i jep një shtyrje procesit të paqes dhe stabilitetit  në rajon dhe të vërtetoj obligimin e SHBA-së për krijimin e dy shteteve në këtë pjesë të botës. Ajo përmendi edhe rolin që luan Egjipti në luftimin e terrorizmit në Lindjen  e Mesme. Për të përfunduar se pa angazhimin e Egjiptit nuk do  të ketë paqe dhe stabilitet në rajonin  e Lindjes së Mesme. Këtu qëndron edhe shkaku përse presidenti amerikan, Barak Obama  zgjodhi Egjiptin për t’iu drejtuar me mesazhin e tij historik botës arabe dhe islame.

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Mesazh i Myftiut Naim ef. Tërnava

Me shqetësim të thellë mora lajmin për viktimat dhe të lënduarit nga pasojat e tërmetit të…