Ballina Lajme Promovohet vepra “Ilmihal i zgjeruar”

Promovohet vepra “Ilmihal i zgjeruar”

Prishtinë, 17 prill 2019

Në amfiteatrin e Fakultetit të Studimeve Islame është promovuar vepra “Ilmihal i zgjeruar” i autorëve ;Ali Zajmi, Resul Rexhepi dhe Jusuf Zimeri e cila është përgatitur, mbikëqyrur e realizuar nga Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës (BIRK), Komuniteti Mysliman Shqiptar (KMSH) dhe Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut (BFI e RMV-së). Në këtë eveniment mori pjesë kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava, kryetari i KMSH-së, Bujar ef. Spahiu, reisi i BFI të RMV-së, Sulejman ef. Rexhepi, përfaqësues nga Bashkësia islame shqiptare nga Zvicra dhe Gjermania,përfaqësues të Këshillave të BI të Kosovës dashamirës të fjalës së shkruar, profesor, përfaqësues të jetës politike, kulturore, studiues shkencor etj.

Fjalën përshëndetëse e mbajti myftiu Naim ef. Tërnava, kryetari i KMSH-së, Bujar ef. Spahiu, reisi i BFI të RMV-së, Sulejman ef. Rexhepi, fjalën promovuese e mbajti kryeimami i BIRK-ut Sabri ef. Bajgora, kurse fjalë falënderuese e mbajti Resul ef Rexhepi

Në fjalën e tij myftiu Tërnava me tjerash tha se kam kënaqësinë që sot në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, në emër të institucioneve dhe organeve të saja, si dhe në emrin tim personal, t’ju përshëndes e t’ju shprehi mirëseardhje në këtë aktivitet tonin, i cili organizohet në vigjilje të muajit të madhuar të Ramazanit, organizim ky që për sebep ka daljen në dritë të veprës “Ilmihal i zgjeruar”, projekt ky i ideuar, i realizuar e i finalizuar nga tri bashkësitë fetare islame shqiptare.

“Rëndësia e kësaj vepre të cilën po e promovojmë sot, është e veçantë, jo për faktin se tek ne kanë munguar ilmihalë e doracakë për njohuritë bazike fetare, por si projekt dhe finalizim i përbashkët i bashkësive tona fetare, rikthen projektin e ulemasë sonë të cilët në fillet e literaturës islame në gjuhën shqipe, kur shkruanin e botonin, kishin për synim lexuesin e përbashkët të të gjitha trojeve tona, por që, siç dihet, një projekt i tillë nuk u realizuar dot për shkak të rrethanave shoqërore-politike e historike nëpër të cilat kaluam si popull dhe si vend”-theksoi Tërnava

Ai më pas tha se së këndejmi, “Ilmihalin” të cilin po e promovojmë sot, pas përkthimit në gjuhën shqipe të Kuranit, synon dhe është paraparë që të jetë vepra e cila do të ketë një shtrirje, lexim e përdorim në të gjitha xhamitë, bibliotekat, mejtepet dhe medresetë tona, jo vetëm për shkak të rëndësisë përmbajtjesore që ka, por edhe për shkak se është botim i mbikëqyrur nga tri bashkësitë tona islame.Kurse besimtarët tanë, tani e tutje, do të kenë në dorë një vepër për të mësuar gjërat themelore të fesë së tyre, dhe kjo do t’i shërbejë si atij besimtari që është në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Preshevë, në Ulqin dhe kudo tjetër në trojet shqiptare, po ashtu edhe atij që është në Diasporën tonë. Prandaj, botimin e këtij “Ilmihali” e quajmë si një të arritur të përbashkët të tri komuniteteve tona, por njëkohësisht e konsiderojmë edhe një projekt paksa të vonuar.

Më pas në fjalën  e tij kryetari i KMSH-së Bujar ef. Spahiu duke përshëndetur këtë  eveniment theksoi se  ky botim është një nevojë e kamotshme e botimit për Shqipërinë dhe shqiptarët sepse për vite me radhë ka munguar  një ilmihal zyrtar nga institucionet tona. Ilmihali do të jetë një pikë referimi i gjithë besimtarëve të vendeve tona si dhe do të jetë pararojë  e përçimit të drejtë dhe të saktë të mesazhit hyjnor, qoftë ana e akaidit, dhe edukimit fetar. “boshti i përbashkët në Ilmihalin tonë të përbashkët është besimi dhe përkushtimi ndaj Zotit, dhe pikërisht këtu qëndron edhe gjithë filozofia e shpalljes hyjnore, te akaidi mbi të cilin  duhet mbështetur edhe veprimtaria e besimtarit mysliman”-theksoi përpos tjerash kryetari Spahiu

Kurse Reisi i BFI të RMV-së, Sulejman ef. Rexhepi shprehu falënderime  për tri Bashkësitë fetare shqiptare për këtë arritje   me rëndësi fetare e kulturore .“Jam i bindur, do shërbejë sot e shumë vite të ardhme si një orientues për të gjithë të cilët dëshirojnë të njihen me bazat e besimit Islam. Një libër i këtillë që  e kemi në dorë,i punuar me përkushtim dhe me zell nga autorët e respektuar sigurisht që është një pikë e rëndësishme uji në detin apo oqeanin e pakufishëm të diturisë islame që vazhdimisht po predikohet e po pasurohet, po shpjegohet e po avancohet pikërisht nga ulemaja islame, nga dijetarët dhe intelektualët tanë”-tha mes tjerash reisi Rexhepi

Kryeimami Bajgora duke vlerësuar këtë punë kolosale të tri Bashkësive fetare theksoi se Unë shpresoj se kjo punë e nisur, nuk do të jetë e fundit, dhe projektet e përbashkëta nuk do të mungojnë as në të ardhmen e afërt, madje, besoj se ato vetëm se do të intensifikohen. Më saktësisht, projekti i ardhshëm kapital në lëmin e Fikhut apo Jurisprudencës islame, do të jetë botimi i veprës së mirënjohur në Fikhun Hanefi “El-Ihtijar, li ta’lili-l Muhtar”,vepër 4 vëllimeshe me afro 2500 faqe, e cila tashmë ka përfunduar së përkthyeri, dhe shumë shpejt, në koordinim me personat përgjegjës të redaksive respektive për botim, në kuadër të Bashkësive tona fetare, do t’i nënshtrohet mekanizmave të redakturës profesionale dhe lekturës. Unë besoj se kryetarët e nderuar të Bashkësive Islame shqiptare, që i kemi këtu para nesh, qysh sot do t’i japin “izën dhe bekimin” këtij projekti madhështor, i cili do të jetë një ndihmesë e jashtëzakonshme, në radhë të parë për Imamët, po pse jo edhe për shtresa të ndryshme të shoqërisë sonë besimtare.

Krejt në fund në emër të tre autorëve fjalë falënderuese foli Resul ef. Rexhepi  falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontribut që kjo vepër të sheh dritën e botimit, duke theksuar se   që nga fundi i  vitit  2015 na u dha ky besim që të hartojmë një Ilmihal dhe ne si autorë që atëherë i vumë vetes një qëllim dhe parim që të përgatisim një Ilmihal në një version  pak më të zgjeruar nga Ilmihalet që i kishim deri më tash që besimtarët shqipfolës të kenë mundësinë q ë elementet themelore të fesë islame në fushën e ibadatit t’i njohin sa më lehtë dhe sa më  thjeshtë dhe që janë të mbështetet në mësimet e shkollës juridike të medhhebin hanefite sepse kësaj shkolle i përkasin historikisht, zyrtarisht dhe praktikisht. Kjo është edhe një dëshmi që tri komunitetet tona dinë, duan dhe munden që të  bëjnë shumë punë të përbashkëta dhe të realizojnë projekte me rëndësi drejt unifikimit jo vetëm të literaturës islame në gjuhën shqipe por edhe drejt të kualifikimit të mësimeve, dhe mendimit teologjik islamë në një kohë që del se të jetë më shumë se e nevojshme.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Sekretari i përgjithshëm i BIRK-ut, mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e Matiqanit

Prishtinë, 24 maj 2019 Aktivitetet për nder të muajit të bekuar të Ramazanit, të organizua…