Ballina Lajme Myftiu bën thirrje për paqe ndër-fetare në Kosovë

Myftiu bën thirrje për paqe ndër-fetare në Kosovë

12/01/2011

Në një intervistë ekskluzive, Myftiu Naim Tërnava diskuton mbi bashkë-jetesën dhe natyrën e Islamit.
Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë – 12/01/11

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava beson se pavarësia e vendit ka krijuar mundësi më të mira për të gjithë bashkësitë fetare që të ushtrojnë besimet e tyre lirisht dhe të forcojnë më mirë bashkëpunimin rajonal.

Në një intervistë me SETimes, Tërnava tha se për shkak se bashkësia islame është më e madhja në Kosovë, ajo mban më shumë përgjegjësi.
“Kjo është arsyeja se pse ndjehem mirë kur në Kosovë mbretëron siguria dhe paqja ndër-fetare,” tha ai, duke shtuar se paqja dhe siguria janë të rëndësishëm për të gjithë besimet.
Gjatë luftës 19998-1999 me forcat e Sllobodan Millosheviçit, xhamitë u shkatërruan, dhe 37 imamë u vranë. Sot, në një Kosovë të pavarur, bashkësia islamike ndjehet e sigurtë dhe e respektuar. Gjithsesi, tha Myftiu, disa çështje mbeten.
“Pozita juridike e bashkësive fetare nuk është sqaruar ende,” tha ai. “Nuk na është dhënë hapësirë e mjaftueshme për të kontribuar në luftën kundër dukurive negative.”
Bashkësia dëshiron që feja futet në programet e shkollave publike, që vajzat të lejohen të mbajnë shami në shkolla dhe të ndërtohet më shumë infrastrukturë për Bashkësinë Islame, tha ai.
“E quajmë atë Islami tradicional,” tha Myftiu Tërnava kur u pyet se çfarë tip Islami praktikohet në Kosovë. “Kemi të drejtë që t’a quajmë kështu atë; është origjinal, i pastër. “Nuk ka nevojë që t’i jepet Islamit një imazh tjetër në varësi të vendit, hapësirës ku rrojnë besimtarët.”
Ai kundërshtoi zërat se radikalët nga jashtë po ushtrojnë ndikim. Në periudhën pas luftës, pranoi ai, shoqata të ndryshme hynë e ishin aktive në Kosovë dhe disa nga anëtarët e tyre u përpoqën të indoktrinojnë të rinjtë.
“Eshtë e vërtetë se … gjithkush mund të hynte dhe të dilte pa kontroll për një kohë të gjatë; njerëz të paftuar nga Lindja dhe Perëndimi, që nuk donin më të mirën [për] Kosovën erdhën gjithashtu,” tha ai.
Por kjo ka ndryshuar. Sot, këmbënguli ai, Bashkësia Islame e Kosovës “është konsoliduar: nuk kemi të huaj brenda, jemi të gjithë kosovarë. Kjo e ka bërë të pa mundshme që disa individë dhe grupe të kenë sukses në Kosovë.”
Ndërsa Bashkësia Islame e Kosovës “nuk kontrollon kufijtë, myftiu tha se u kishte kërkuar institucioneve vendas dhe ndërkombëtarë që të ishin më vigjilentë në gjurmimin e atyre që hyjnë dhe dalin nga vendi. Islami u jep paqe dhe begati të gjithë atyre që i kundërvihen dhunës, tha Myftiu.
“Islami nuk ka asgjë të përbashkët me terrorin, fondamentalizmin, vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Kjo është kundër normave të Islamit,” tha ai. Bashkë-jetesa fetare, shtoi ai, është e natyrshme dhe diçka që është farkëtuar gjatë shekujve.
Në Kosovë “kemi familje të dy feve të ndryshme që jetojnë nën të njëjtën çati,” vuri në dukje ai. Por ai tha se është kundër “përpjekjeve nga disa misionarë që punojnë për të kthyer muslimanët në të krishterë”, duke thënë se individët duhet të jenë në gjendje që të zgjedhin fenë e tyre.

Burimi:

http://www.setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/features/2011/01/12/feature-03

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim shefin e Task-Forcës kundër përdorimit të narkotikëve dhe për sigurinë në shkolla, z. Avdullah Hasanin

Sot, ditë e enjte, më 18.07.2019, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tër…