Prishtinë, 14 mars 2020

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të shtunën ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme për shkak të gjendjes së krijuar në Kosovë ku si pasojë e përhapjes së Corona virusit  disa persona  kanë  rezultuar me këtë sëmundje. Pas mbledhjes në një konferencë për medie  kryetari i BIRK-ut,myftiu Naim ef.Tërnava ka njoftuar se Kryesia e BIRK-ut në këtë mbledhje ka marr vendim që namazi i xhumasë  dhe namazet e tjera të falen në shtëpi ndërsa të premtën në vend të namazit të xhumasë të falet namazi i drekës. Sikurse në këtë mbledhje është vendosur që përkohësisht të pezullohet procesi mësimor në  të gjitha  institucionet arsimore fetare  të BIRK-ut. Po ashtu myftiu Tërnava ka përmendur edhe disa prej rekomandimeve  të nxjerra nga  kjo mbledhje .Duke pasur parasysh se ruajtja e shëndetit  dhe mbrojtja e jetës së njeriut është prej qëllimeve me fisnike të Islamit, dhe duke u nisur nga norma se “parandalimi i së keqes është prioritet”, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme me rastin e përhapjes së virusit COVID 19, të mbajtur më datë 14 mars 2020, merr këto vendime dhe rekomandime si në vijim: 

Vendimet: 

  1. Është obligim fetar t’iu përmbahemi me përpikëri të gjitha vendimeve, masave dhe rekomandimeve të dala nga Institucionet kompetente të Republikës së Kosovës në parandalimin e përhapjes së Virusit COVID 19. 
  2. Pezullohet procesi mësimor në të gjitha Institucionet tona arsimore-fetare, mësim-besimi në të gjitha xhamitë dhe mektebet si dhe puna në të gjitha konviktet e Bashkësisë Islame të Kosovës.
  3. Anulohet përkohësisht organizimi i të ligjëratave, tribunave, seminareve dhe takimeve të ndryshme me xhemat. 
  4. Pezullohet organizimi i Umres, deri në një vendim tjetër.
  5. Të bëhet dezinfektimi i të gjitha objekteve arsimore (FSI, Medrese, konvikte); objekteve administrative të Bashkësisë Islame të Kosovës; si dhe objektet fetare (xhamitë, mesxhidet, mektebet, abdes’hanet, gusulhanet, dhe objektet tjera përcjellëse).
  6. Duke u mbështetur në rrethanat e krijuara në Kosovë me përhapjen e rasteve të infektuara me virusin Covid 19, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës pezullon përkohësisht faljen e organizuar me xhemat të namazeve ditore dhe namazit të xhumasë. Ndërsa besimtarët porositen që ditën e premte ta falin namazin e drekës, si zëvendësim të namazit të xhumasë në shtëpitë e tyre. Ndërsa ezani do të vazhdojë të thirret në çdo kohë të namazit ditor. 

    Ndërsa në mesin e rekomandimeve  janë:
  1. Të pezullohen përkohësisht të gjitha organizimet me rastin e ngushëllimeve–të pameve, ndërsa ceremonia e varrimit të organizohet nga rrethi sa më i ngushtë familjarë.
  2. Të shtyhen ceremonitë fetare e familjare të parapara si Synetitë, Mevludet, Qelimet, Fejesat, Dasmat, etj. 
  3. Të vazhdohet me inkurajimin e besimtarëve që të shtojnë kujdesin ndaj pastërtisë duke respektuar parimet fetare dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. 

    Në fund, edhe njëherë ua rikujtojmë besimtarëve tanë se, përhapja e dezinformatave duke shkaktuar shqetësim e panikë të panevojshme te qytetarët, si dhe ngritja e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe medikamenteve në kohë krizash, janë të ndaluara fetarisht. 

    Bashkësia Islame e Kosovës si në të kaluarën edhe tani do të jetë gjithnjë pranë qytetarëve, dhe fton besimtarët për më shumë solidaritet.

    Bashkësia Islame e Kosovës në bazë të rrethanave të reja eventuale në të ardhmen do ta mbajë opinionin të informuar vazhdimisht. 

    Lusim Zotin që sa më shpejt dhe lehtë të kalojë kjo gjendje në të cilën gjendemi tani!
Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Drejtori Simnica priti në takim nënkryetarin e Bashkësisë Kulturore dhe Fetare Shqiptare në Dramen të Norvegjisë, z. Rrustem Seferi

Prishtinë, më 24 prill 2024 Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovë…