Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra!

Falënderimi dhe lavdërimi i qoftë Allahut të gjithëpushtetshëm, Krijuesit të kësaj ekzistence madhështore, kurse salavatet dhe përshëndetjet tona qofshin mbi të Dërguarin e Tij – Muhamedin a.s., mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Sot është një ditë e madhe feste për mbarë myslimanët. Është Dita e Kurban Bajramit. Është ditë që bashkon zemrat e miliona besimtarëve anekënd botës, por në veçanti, të atyre që sot gjenden në vendet e shenjta, në Arefat, Muzdelife, Mina dhe në vetë Mekën e bekuar. Ata, të veshur me një petk të bardhë që simbolizon thjeshtësinë dhe dëlirësinë shpirtërore, shfaqin para botës unitetin, barazinë, solidaritetin, devotshmërinë dhe madhështinë e këtij Ymeti. Ata sot, janë në përfundim të ritualeve të Haxhit, i cili është një demonstrim i fuqishëm i universalitetit të kësaj feje dhe i vëllazërimit në mes myslimanëve, pavarësisht racës, ngjyrës apo etnisë. Këta duke kryer Haxhin, zbatojnë edhe në praktikë, njërin prej 5 fondamenteve bazë të Islamit, për të cilin i Madhi Zot xh.sh. thotë:

“Vizita e Qabes për hir të Allahut, është detyrim për atë që ka mundësi.,” – (Ali Imran, 97)

Në mesin e këtyre miliona haxhinjve, të cilët me tekbiret dhe madhërimet e tyre mbulojnë eterin, gjenden edhe 1100 haxhinjë nga Kosova, të cilët sot, në këtë mëngjes të bekuar, tashmë kanë zbritur nga rrafshnalta e Arafatit dhe Muzdelifja dhe ia kanë mësyrë Minës, duke e lutur Allahun e Gjithëmëshirshëm për falje të gjynaheve dhe për një mirëqenie të përgjithshme në mes njerëzve.

Të nderuar besimtarë!

Festa e Kurban Bajramit, përveç kryerjes së ritualeve të Haxhit, karakterizohet edhe me flijimin-prerjen e kurbanit, i cili në vete bart edhe një vlerë tjetër sociale. Prerja e Kurbanit është institucion fetar i cili synim kryesor ka humanizmin e njeriut, pastrimin dhe edukimin e tij shpirtëror, si dhe begatimin e tij me vlera e aspirata të larta. I Dërguari i Allahut thotë:

“Dita e Fitër bajramit karakterizohet me namaz dhe Sadakatul fitr, kurse Dita e Kurban Bajramit me namaz dhe flijim”

Prerja e kurbanit nuk është thjesht vetëm derdhja e gjakut, por mbi të gjitha është përkushtimi, bindja, sakrifica, morali dhe devotshmëria e besimtarit. Prandaj, vëllezër të nderuar, përmes therjes së kurbanit dhe ndarjes së mishit të tij, do të kemi rastin t’u ndihmojmë edhe të afërmve edhe të varfërve, sepse kjo edhe më shumë do të na afrojë mes nesh dhe do të na shtojë dashurinë dhe respektin e ndërsjellë.

Vëllezër besimtarë

Islami, si fe hyjnore, në vete bart mesazhin e Paqes Universale, dhe si parim bazë ka formimin e një shoqërie të shëndoshë, dinjitoze e humane, me vlera të larta morale. Nën hijen e kësaj shoqërie të njerëzishme, të gjithë njerëzit pa kurrfarë dallimesh, do të gëzojnë lumturinë e vërtetë si shpirtërore ashtu edhe atë materiale.

Mirëpo, sot, për fat të keq, Bota po vlon nga konfliktet e armatosura, duke shkaktuar vdekje të njerëzve të pafajshëm, tmerr e dhunë dhe dëbim nga vatrat e tyre. Te një pjesë e njerëzimit pothuajse ka humbur arsyeja dhe humaniteti, andaj të lutemi në këtë ditë të bekuar dhe të kontribuojmë për shuarjen e çdo konflikti dhe armiqësie. Sot më tepër se kurrë kemi nevojë, për paqe e dashuri, kemi nevojë të flakim tej urrejtjet, armiqësitë dhe paragjykimet dhe të bashkëveprojmë drejt ndërtimit të një shoqërie njerëzore, në të cilën secili individ, do ta ndjente veten të dinjitetshëm..

Të nderuar vëllezër e motra!

Në këtë ditë festive të Bajramit, Uroj që në zemrat dhe shpirtin tuaj të shndritë besimi i sinqertë, të jeni mirëbërës, humanë e solidarë në mes vete. Sot duhet të flakim anash mospajtimet dhe armiqësitë, andaj le të mbretërojë në mes nesh respekti dhe mëshira, dashuria dhe mirëkuptimi.

Nga ky vend i bekuar, i ftoj të gjithë prijatarët tanë politikë, si dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, që të punojnë e kontribuojnë edhe më shumë për ndërtimin dhe fuqizimin e mëtutjemë të Vendi tonë.

Kontributi ynë për ndërtimin e një shteti funksional, ku do të respektohet e drejta e çdo individi, është amanet mbi amanete dhe detyrë e shenjtë.

Në fund, më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë islame të Kosovës, t’ju uroj festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve të besimit Islam në Kosovë, brenda trojeve tona etnike dhe në diasporë.

Me fat ju qoftë festa e Kurban – Bajramit!

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

UNIFIKIMI I FJALËVE DHE RADHËVE NË KOHË KRIZASH

Me rekomandim të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. T…