FESTA E FITËR BAJRAMIT: MOTIVET, ETIKA DHE MESAZHET

Të dashur besimtarë!

Vëllezër dhe motra!

Festat janë pjesë e pandarë e historisë së njerëzimit. Secili popull ka pasur dhe ka festat e veta, por edhe motivet pse feston. Edhe ne, myslimanët, natyrisht kemi festat tona dhe motivet pse festojmë. Nëse ndalemi dhe meditojmë për pak çaste pse festa e Fiter Bajramit vjen pas një muaji agjërim, lehtë mund ta kuptojmë motivin e saj. Suksesi i besimtarit në fushën e adhurimit dhe fitorja e tij përballë vetive të liga, janë motivi pse ai sot feston. Festa është ceremonia e certifikimit në një kurs adhurimi e edukimi njëmujor andaj nuk ka si të kalojë pa u festuar. Allahu në Kuran na mëson se gjëja që më së shumti duhet të na gëzojë është pikërisht fitimi i mëshirës së Tij:

﴿قُلْ بِفَضْلِ اللَّهِ وَبِرَحْمَتِهِ فَبِذَلِكَ فَلْيَفْرَحُوا هُوَ خَيْرٌ مِمَّا يَجْمَعُونَ﴾

Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.”.” [Junus: 58.]

Ajo që e bën këtë motiv më të fuqishëm dhe këtë gëzim më gjithëpërfshirës është fakti se festa është shoqërore. Ramazani është një kurs shoqëror, në të cilin bëhet trajnimi dhe certifikimi në mënyrë kolektive. Për këtë shkak, edhe gëzimi shprehet në mënyrë kolektive. Ndryshimi që ndodh në Ramazan nuk prek vetëm disa individë, por tërë shoqërinë. Në Ramazan më së miri jetësohet maksima islame e të funksionarit si një trup, në të cilin secila gjymtyrë luan rolin e vet duke i shërbyer kështu mirëqenies së përgjithshme të trupit.

Besimtarë të respektuar!

Festa e besimtarit nuk dallon vetëm për nga motivet, por edhe nga mënyra e manifestimit. Logjikisht, nëse besimtari feston për adhurim, atëherë shthurja nuk duhet të jetë imazh i kësaj feste. Në përshkrimin profetik që i bëhet manifestimit të festave qëndron se festat janë ditë të ngrënies, pijes dhe përmendjes së Zotit. Pra, gëzimi ynë sot nuk bën të degjenerojë në mëkate, në festime të shthurura, në organizime që përcjellin mesazhe të kundërta me arsyen dhe motivin pse festojmë. Festa, në thelb, nënkupton kthim, por jo në mëkate. Kthimi që ndodh në festë manifestohet në dy forma:

  • formalisht duke u kthyer në gjendjen në të cilën kemi qenë para Ramazanit, sepse na lejohen ushqimet dhe pijet gjatë ditës, dhe
  • përmbajtjesor, sepse gjendjes së vjetër i kthehemi me një përmbajtje të re, me një përgatitje më ndryshe, me një forcë të re. Betejat e humbura para Ramazanit me egon, smirën, individualizmin, materializmin, tashmë i sfidojmë me një personalitet tjetër, më të fuqishëm, më të kalitur, me më shumë vlera.

Ndryshe, rikthimi në avazin e vjetër, do të ishte dëshmi e dështimit në shkollën e Ramazanit. Kjo, për shkak se Ramazani nuk është synim në vete që me mbarimin e ditëve të tij të mbarojë çdo gjë që ka të bëjë me të. Ramazani synon periudhën që vijon pas tij. Besimtari është në testim të vazhdueshëm të përgatitjes që ka fituar në Ramazan. Nisur nga këtu, si tregues i pranimit të Ramazanit është marrë pikërisht forma dhe mënyra se si ne sillemi pas tij.

Të nderuar besimtarë!

Festat në Islam janë momente reflektimi, momente rikthimi në vlerat e vërteta fetare dhe humane. Ndërlidhja e Fitër Bajramit me lëmoshën për nevojtarët është bërë për të na kujtuar se nuk ka vlerë një manifestim shoqëror në të cilin anëtarët e shoqërisë nuk ndihen të barabartë. Shoqëria është sikur trupi: një pjesë nuk mund të kremtojë nëse pjesa tjetër rënkon. Nga këtu, festa është për të na kujtuar rolin tonë karshi njëri-tjetrit, për të na dëftuar rrugën drejt përsosmërisë humane, rrugë kjo që përshkohet duke parë të tjerët si pasqyrë në të cilën ne shohim veten tonë. Ne do të bëhemi të mirë ose më të mirët kur të kuptojmë se nuk jemi krijuar për vetveten, por për të tjerët dhe kur të punojmë për ta jetësuar këtë të vërtetë. Pejgamberi Muhammed a.s. ka thënë: “Njeriu më i mirë është ai që është më i dobishmi për njerëzit.”

Interesimi për tjetrin që shprehet në festë nuk është vetëm material. Ndoshta ana materiale është pikënisja ndryshe, qëllimi i vërtetë është bashkimi i zemrave dhe shpirtave. Ramazani na ka mësuar se falja është tipar i besimtarëve të devotshëm, andaj sot duhet ta dëshmojmë këtë tipar. Ramazani na ka mësuar që të triumfojmë mbi epshin, andaj sot është momenti që nefsit t’i japim goditjen përfundimtare duke u lidhur me ata nga të cilët kemi qenë të shkëputur, duke i vizituar ata që na kanë bojkotuar. Vetëm kështu tregojmë suksesin e shkollës së Ramazanit në praktikë. Muhammedi a.s. ka thënë: “Mbajtësi lidhjeve farefisnore nuk është ai që kërkon shpagim. Mbajtësi i njëmendtë është ai që i lidh marrëdhëniet me ata që i kanë shkëputur ato”. Për këtë shkak, përmbajtja ndaj provokimeve fizike e verbale është produkt dhe vlerë e Ramazanit. Ne falim, jo nga pamundësia, por nga kultura e Ramazanit. Ne i mbajmë lidhjet me të tjerët, jo për ndonjë interes material, por nga kultura e Ramazanit.

Festat janë momente për të prezantuar vlerat e vërteta të fesë sonë para botës mbarë. Pjesëmarrja gjithëshoqërore në festa është një fakt që pasqyron misionin unifikues të Islamit. Mustafa Sibai[1], një mendimtar i dalluar i kohës sonë, duke folur për këtë funksion të festës, thotë se bashkimi fizik dhe lidhja shpirtërore që ndodhin në festë janë dy elemente me të cilat mposhtim çdo të keqe.

Festat janë momente rikujtimi. Ramazani është jeta e njeriut në miniaturë. Fillon dhe mbaron shumë shpejt e në fund vjen o gëzimi për angazhim, o dëshpërimi për shpërfillje.

 

 

Të nderuar vëllezër e motra:

Para pesë ditësh më 10 qershor festuam edhe 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të mbajtur në Xhaminë Bajrakli në Prizrenin e lashtë, në të cilën lidhje apo kuvend, vihen themelet e shtetësisë shqiptare.

Sot edhe në këtë ditë feste të Fitër Bajramit, me respekt e pietet i kujtojmë gjyshërit tanë, prijësit e shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilët në rrethana të jashtëzakonshme, të vështira e të disfavorshme, duke e parë rrezikun që u kanosej trojeve tona nga shtetet fqinje dhe mungesën e vullnetit të fuqive të mëdha për të bërë zgjidhje të drejtë, arritën të organizojnë mbajtjen e Kuvendit të LShP-së për t’i bërë me dije botës mbarë se shqiptarët nuk do të pranojnë asnjëherë marrëveshje të kujtdo qofshin ata që çojnë në copëtimin e trojeve shqiptare, duke u bërë me dije se populli shqiptar meriton lirinë dhe pavarësinë e plotë brenda trojeve të tij.

 

S’ka dyshim se më meritori ishte muderrizi i shquar Haxhi Ymer Prizreni, së bashku me Abdyl Frashërin e SylejmanVokshin, të mbështetur e të përkrahur nga një sërë personalitetesh të shquara nga të gjitha trojet tona si: Ahmed Efendi Korenica, Myderriz Daut efendi Borqi, Jusuf efendi Tabaku, Hasan efendi Shllaku, Myderris Haxhi Zeka, Myftiu Zejnel Abidini e shumë të tjerë që në atë kohë, megjithëse në kushte e rrethana të vështira, u dolën zot vatanit, kombit e identitetit të tyre.

Kuvendi i LShP-së është themel mbi të cilin është ngritur kombi, mbi të cilin janë ngritur shtetet tona, mbi të cilën është ngritur motivi për pavarësi, sovranitet e dinjitet.

Mbajtja e saj në xhami, organizimi i saj nga prijës fetarë, flasin për lidhjen mes fesë dhe vatanit, vërtetojnë kontributin historik të hoxhallarëve në ruajtjen e kombit, shpalosin rolin shumëdimensional fetar, edukativ, arsimor dhe kombëtar.

Të dashur vëllezër e motra!

Në fund, më lejoni që t’i uroj për këtë festë të madhe të Fitër Bajramit të gjithë vëllezërit e motrat tona brenda trojeve tona etnike shqiptare, por edhe në mërgatën e largët, duke e lutur Zotin që ta bëjë këtë festë gëzim për ta dhe familjet.

Ju thërras të gjithë, popull dhe institucione, që të marrim shkas festat tona fetare dhe kombëtare për t’u angazhuar për interesin shoqëror të vendit, për të mirën e përbashkët. Duke shfrytëzuar momente sikur këto, bashkimi rreth qëllimeve fisnike bëhet më i lehtë dhe më i fortë. Kështu mund të marshojmë bashkë drejt qëllimeve tona shoqërore e shtetërore!

Zoti na i pranoftë agjërimin dhe adhurimet tona!

Edhe një herë urime festa e Fitër Bajramit!

 

Myftiu NaimTërnava

Më 15.06.2015

Prishtinë

 

 

 

 

Shfaq më shumë artikuj të ngjashëm
Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

Hytbeja e xhumasë i kushtohet formimit të Ushtrisë së Kosovës

Prishtinë, 14 dhjetor 2018 Sot, në të gjitha xhamitë e Kosovës, me urdhër të Kryesisë së B…