Ballina Fjalime Muhamedi a.s., një model që duhet ndjekur

Muhamedi a.s., një model që duhet ndjekur

Edhe ky sesion shkencor që po mbahet sot, këtu në ambientet e “Medresesë Alaudin”, paralelja e Gjilanit, organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan, po i kushtohet Muhamedit a.s., pejgamberit tonë të fundit, të cilit Allahu xh.sh. i shpalli Kuranin.

 

Rikujtimi i ditëlindjes së Muhamedit a.s. nga ana e myslimanëve është një e mirë që tek myslimanët trashëgohet shekuj me radhë. Dita kur Allahu xh.sh. na nderoi me ardhjen e Muhamedit a.s. në këtë botë është festë e gjithë njerëzimit. Kjo dritë, që e solli në jetë Zoti zh.sh., ndriçoi botën mbarë, dhe në saje të kësaj drite u zhdukën errësirat, gjithësia u përfshi nga ndriçimi, e ky është favori më i madh i Zotit për njeriun. S’ka dyshim se myslimani nuk mund të gjejë shembull më të mirë se Muhamedi a.s. në organizimin e jetës së vet, pa marrë parasysh gjendjen , kohën dhe vendin.

Allahu xh.sh. në Kuranin e madhërishëm thotë: “Ju e kishit shembullin më të mirë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun (Sureja El-Ahzabë: 21).

“E Ne nuk të dërguam ty (Muhamed) veçse si mëshirë për të gjitha botët. (Sureja El-Enbija: 107).

Muhamedi a.s. ishte model e shëmbëlltyrë për mbarë njerëzimin, ngase vetë përzgjedhja për pejgamber nga ana e Zotit xh.sh., dhe zbritja e Kuranit tek ai ishin mëshirë për njerëzimin.

Kurani për Muhamedin a.s. ishte ajër, ujë, armë, mburojë, kala. Me Kuran ai merrte frymë, me të ngjitej si retë në qiej, me të u shkonte në ndihmë njerëzve në trajtën e shiut të mëshirës, me të përhapte dritë në mbarë botën.

Gjatë tërë historisë njerëzore, nuk ka njeri tjetër si ai në botë që studiuesit e jetës, biografisë, të kenë pasur qasje si edhe në imtësitë më të vogla të jetës, biografisë së Muhamedit a.s., pra, duke përfshirë gjithë segmentet e jetës së tij. Andaj edhe mbetet shembull që duhet ndjekur për të gjithë brezat, deri në Kiamet. Ndaj edhe jeta e tij, mësimet dhe veprat e tij, na mësojnë se Muhamedi, a.s., ishte: ai që na mësoi si ta besojmë Zotin, edhe nëpërmes fjalës së parë të zbritur: “Lexo!”; ai që na mësoi se askush tjetër nuk meriton adhurimin përveç Allahut xh.sh.; ai që na mësoi mbi kushtet e besimit dhe tërë atë që shpalli Allahu te ai; ai që luftoi për të drejtat e të gjithë njerëzve, qysh para 14 shekujsh, dhe promovoi në praktikë të drejtat e burrit, gruas e fëmijëve; ai që garantoi të drejtat e njeriut atëherë kur mungonin konventa të ndryshme, ligje e kode ndërkombëtare; ai qëurdhëroi në dashuri mes të afërmve dhe fqinjëve, urdhëroi në bujari, guxim mirësi e falje; ai që na mësoi të punojmë të lejuarat e të ndalemi para të ndaluarave; ai që vendosi dhe respektoi marrëdhëniet mes myslimanëve dhe jomyslimanëve; ai që na mësoi se çfarë është dhe si bëhet marrëveshja, për të jetuar në paqe dhe harmoni edhe me jomyslimanët; ai qëna mësoi si të respektohet besimi i tjetrit, se çfarë është toleranca, harmonia dhe respekti mes besimeve.

Është Muhamedi a.s. ai që na mësoi për këto vlera para 1400 vjetësh, të cilat sot aq shumë po i mungojnë botës moderne.

Ai ngriti marrëdhëniet brenda familjes. Marrëdhëniet që kanë të bëjnë me babanë, nënën, dhe të drejtat e mëdha që kanë fëmijët.Ndaloi padrejtësinë dhe mizoritë. Thirri në drejtësi, dashuri dhe bashkëpunim për të mirë.

Ai këshilloi që të ndihmohet ai që është në nevojë, e të vizitohet ai që është i sëmurë. Urdhëroi në respekt, këshillë e dashuri mes njerëzve.Ndaloi veprat e liga te myslimanët, siç janë: vjedhja, dyfytyrësia, tradhtia, mbytja, mizoria, si dhe veprat tjera të liga.

Ai na mësoi neve dhe botën mbarë: si t’u shërbejmë prindërve;se besimtari duhet të jetë i mëshirshëm për ata që janë të vegjël, për gratë, të dobëtit, të varfërit, jetimët, të shtypurit, të moshuarit etj.

Lufta e tij e vazhdueshme ishte kundër skllavërisë dhe pabarazisë mes njerëzve.

Ai na mësoi se njeriu nuk duhet t’i bëjë keq njeriut, e as gjallesave tjera: shtazërisë dhe shpezërisë, insekteve, etj.

Ai na mësoi edhe si të sillemi me ambientin ku jetojmë, duke mos e prishur ambientin me pakujdesin tonë.

Na mësoi të kemi kujdes që edhe pemët e lista të mos i presim pa nevojë.

Muhamedi a.s. ishte ai që na mësoi se myslimani duhet të reflektojë vetëm mëshirë, të jetë i mëshirshëm me gruan e vet, fëmijët, deri në ditën e fundit të jetës së tij. Ai gjithashtu na mësoi edhe: mbi sjelljen dhe moralin njerëzor;

na urdhëroi të mësojmë se çfarë ka në qiej e në tokë, në det e lumenj;se Islami është paqë e përgjithshme, dhe se myslimani duhet të distancohet apo largohet nga gjërat që i sjellin dëm individit, familjes dhe shoqërisë.

Ai na mësoi se myslimani duhet të reflektojë siguri dhe paqe, se roli i tij është për të përfaqësuar sigurinë në çdo pjesë të shoqërisë.

Ai na mësoi se askush nuk ka të drejtë të ushtrojë dhunë mbi tjetrin në emër të fesë, qoftë mysliman apo jomysliman; se nuk kemi kemi të drejtë të vrasim, dhunojmë, plaçkisim, shkatërrojmë në emër të fesë; se Islami është kundër çdo lloj dhune e mizorie; se mësimet islame nuk guxojnë të keqinterpretohen dhe keqpërdoren për interesa individuale, grupore e klanore, të çfarëdo natyre qofshin ato, duke i dhënë vetës të drejtë të vrasin e ushtrojnë dhunë, të shkatërrojnë çdo gjë që u del para, kinse në emër të fesë.

Është ai që na mësoi të respektojmë udhëheqësin që është zgjedhur nga mesi ynë.

Këto dhe mësime të tjera na bëjnë me dije se Muhamedi a.s. erdhi mëshirë për mbarë njerëzimin. Se ai erdhi që t’i largojë njerëzit nga idhujadhurimet, e të zëvendësojë këto besime me besim në Zotin Një. Erdhi të vendosë gjërat në vendet e veta, t’i japë jetës domethënie, pra erdhi shëmbëlltyrë që duhet ndjekur.

Ai ndryshoi besimet pagane që ishin deri në atë kohë, dhe i zëvendësoi besimet e kota me besim në Zotin, si dhe ndryshoi idenë, besimet dhe shpirtrat e njerëzve.

Muhamedi a.s. kur pati mundësi të dënojë, ai fali. Kur pati mundësi të hakmerret, ai këtë nuk e bëri. Prandaj mesazhi i tij hyjnor kishte qëllimin dhe detyrën më fisnike: “të rrënohen besëtytnitë që ishin vënë mes njeriut dhe Krijuesit, që njeriu t’i kthehet Zotit pas atij kaosi në idhujtari”.

Këtu qëndron arsyeja pse Muhamedi a.s. është krenaria e njerëzimit, ndërsa edhe gjenitë dhe dijetarët më të mëdhenj të përmasave botërore, por edhe shumë teoricienë e mendimtarë, yje të qiellit tonë të mendimit, kanë qëndruar të përulur nën hijen e tij, duke i thënë: “Ti je njeriu për të cilin ne krenohemi se i përkasim.”

Koha, rrethanat e ndryshme, ideologjitë e shumta, perandoritë, kritikat e sulmet nuk patën mundësi ta zbehin në ndjenjat tona asnjë nga të vërtetat që i përkasim atij. Ai vazhdon të jetë i gjallë dhe i freskët në zemrat tona, saqë çdo moment mendojmë se do të takohemi me të. Prandaj me plot gojën, dhe nga thellësia e zemrës dhe e shpirtit, themi: “Krenohemi që i përkasim Ymetit të Muhamedit a.s.”

Mesazhi i tij qe një burim paqeje e qetësie, dhe e vetmja për të bërë njerëzimin që të shijojë këtë paqe e qetësi është që njerëzve t’ua mësojmë shëmbëlltyrën e tij dhe atë që solli ai.

Ky mesazh edhe ndërtoi perandorinë shpirtërore më të madhe në mbarë botën.

Ky ishte i Dërguari i Allahut xh.sh., Muhamedi a.s.

Nëse dëshirojmë ta krahasojmë me dikë, është i pakrahasueshëm, dhe të gjithë mbesin të vegjël para shëmbëlltyrës së tij.

Ja pse e duan dhe e çmojnë kaq shumë besimtarët!



Fjala e Myftiut të Republikës së Kosovës, Mr. Naim ef. Tërnava, mbajtur më 24 janar 2015, në sesionin shkencor në Gjilan, me rastin e muajit të Mevludit.

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Urimi i zëvendëskryetarit të Kryesisë së BIRK-ut Reshat ef. Mexhiti me rastin e Kurban-Bajramit

Në emër të Allahut Mëshiruesit Bamirësit Falënderimi është për Allahun krijuesin e gjithës…