I nderuari kryetari i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Dijanetit të Turqisë, prof. dr. Ali Erbash,

Të nderuar drejtues të institucioneve dhe organeve të BIK-ut,

Ju përfaqësues të pranisë turke në Kosovë,

Të nderuar imamë dhe nëpunës të Bashkësisë Islame,

Të nderuar pedagogë, nxënës e studentë,

Të respektuar bashkëpunëtorë të mi,

Vëllezër dhe motra!

Të nderuar të pranishëm!

Më lejoni që, në emrin e Bashkësisë Islame të Kosovës, në emër të institucioneve dhe organeve të saj dhe në emrin tim personal, nëpërmjet këtij manifestimi t’ju uroj e t’ju përgëzoj për fillimin e aktiviteteve tona kushtuar lindjes së Pejgamberit tonë Muhamed Mustafasë alejhisselam.

Këto manifestime për këtë vit i hapim pikërisht sot nga ky vend ku jemi tubuar që bashkërisht të rikujtojmë ardhjen e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit a.s..

Prandaj, në këtë natë kaq madhështore e shumë domethënëse, le ta madhërojmë Allahun dhe të kërkojmë bekimet e Tij, kurse përshëndetje, salate e selame, le t’i dërgojmë Pejgamberit të Tij të fundit, Muhamedit a.s., familjes së tij dhe të gjithë  atyre që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Kiametit.

Ky manifestim sivjet bëhet edhe më i begatë, sepse në mesin tonë kemi një mysafir të veçantë, e kemi kryetarin e DIJANET-it të Turqisë, prof.. dr. Ali, ef. Erbashin, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, të cilët na kanë nderuar me praninë e tyre dhe këtë manifestim e kanë bërë edhe më madhështor dhe janë bërë bashkë me ne për të kujtuar jetën, veprën dhe misionin e të Dërguarit, Muhamedit a.s..

Të nderuar vëllezër e motra!

Besimtarët myslimanë anekënd botës 12 rebiul-evelin e shënojnë me aktivitete të ndryshme, duke rikujtuar lindjen, jetën dhe misionin e të Dërguarit tonë të fundit, Muhamedit a.s., të cilit iu shpall nga Allahu xh.sh. Kurani, e nëpërmjet tij edhe neve, që të na rregullojë jetën në këtë botë dhe të përgatitemi për botën tjetër.

Manifestimi i Ditëlindjes së Pejgamberit, Muhamedit alejhisselam, si tek të gjithë popujt myslimanë edhe te populli ynë, ka një traditë po aq sa edhe prania e fesë islame në këto troje, dhe si i tillë është i shtresuar thellë në identitetin fetar e kulturor të populli tonë, aq sa ka marrë edhe karakter të një manifestimi thuajse gjithëpopullor, kjo për faktin se populli ynë tërë muajin rebiul-evvel e kalonte në përkujtim të Muhamedit a.s.

Nuk është e largët koha kur populli ynë, por edhe popujt përreth të besimit islam muajin rebiul-evvel e kalonin në kërkim të njohjes së Pejgamberit, dhe këtë nëpërmjet derseve, ligjëratave, ibadeteve e debateve për dhe rreth jetës së Muhamedit a.s. për dhe rreth fesë e dinit islam.

Por s’ka dyshim se kontribut të madh në këtë drejtim kishte dhënë ulemaja jonë, që kishte emancipuar e vetëdijesuar dhe kishte përgatitur masën e besimtarëve shpirtërisht e emocionalisht për ta njohur, dashur, respektuar e çmuar ashtu siç e meriton Resullullahu s.a..

Kjo shihet më së miri nga veprat që ulemaja jonë i ka kushtuar Pejgamberit, Muahmedit a.s., si në prozë e poezi, në hymne, gazele e kaside, nëpërmjet të cilave bëhej e mundur njohja më e afërt e personalitetit të Pejgamberit a.s., rritej dashuria për të, shtohej devocioni e përkushtimi ndaj tij. Për më tepër, ky korpus letrar kushtuar Muhamedit a.s. mësohej përmendsh e përsëritej gojë me gojë e brez pas brezi ndër besimtarë. Po e përmendim këtu Mevludin si kategori e veçantë që u kultivua ndër shqiptarët dhe sot njohim mbi 30 autorë shqiptarë që kanë shkruar mevlude. Për më tepër, organizimi i mevludit qe kthyer në  një ritual me karakter ibadeti dhe pikërisht për këtë muaji – reibiul-evvel te ne është njohur dhe njihet si Muaji i Mevludit. Kështu, tani gjendemi në pjesën e parë të këtij muaji  dhe pikërisht për këtë edhe po shënojmë dhe po manifestojmë Mevludin e Pejgamberit a.s.

Vëllezër e motra,

Të nderuar të pranishëm!

Kur kujtomë lindjen e Pejgamberi a.s., kemi për synim që të njohim misionin e tij, mësimet e tij, sjelljet e tij, virtytet e cilësitë e tij, edebin e ahlakun e tij, për të cilat njerëzimi ka nevojë që t’i njohë, t’i dijë, t’i trajtojë, t’i studiojë e t’i vërë në përdorim në vazhdimësi, sepse të gjitha këto janë me burim hyjnor, sepse Allahu xh.sh., për të Dërguarin e Tij, Muhamedin a.s. ka thënë:

“Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet”. En-Nexhmu-3-4).

Pastaj ajeti:

Vërtet, ti (o Muhammed) je me moral sublim!” [Kalem: 4]

Kurse në një ajet tjetër kuranor, duke na mësuar ne se personaliteti i Muhamedit a.s. duhet të jetë shembulli dhe modeli ynë që duhet ndjekur, thotë:

Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe që e përmend shumë Allahun.” [Ahzab: 21]

Ndërsa për nevojën tonë për Muhammedin a.s., për dashurinë ndaj tij, për pasimin e rrugës dhe mësimeve të tij, e që janë vetë feja islame në praktikë, në Kuran Allahu xh.sh., na thotë:

Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” [Ali Imran: 31]

Prandaj, njohja, dashuria dhe respekti për Pejgamberin, Muhamedin a.s. dhe misionin e tij, përveçse janë të urdhëruara, ato e fisnikërojnë, e edukojnë dhe e begatojnë individin dhe shoqërinë.

Në kohën që po jetojmë, mbushur me konflikte, mosdurim, smirë e urrejtje në njërën anë, dhe në anën tjetër kur shoqëria e posaçërisht rinia jonë përballen me shumë dukuri negative, mësimet e Pejgambeit a.s. janë rrugëdalja më e mirë për t’i tejkaluar këto sfida që na mundojnë sot.

Prandaj, në këtë muaj, kur kujtojmë lindjen e Pejgamberit tonë, duhen marrë e praktikuar në jetën tonë mësimet e të Dërguarit të Allahut, të angazhohemi për forcimin e paqes, të bëjmë më shumë për ndaljen e luftërave e konflikteve, sepse Zoti dhe i Dërguari i Tij nuk janë razi me këto, ata kërkojnë nga ne që ta ndërtojmë e ta kultivojmë harmoninë e mirëbesimin ndërnjerëzor.

Po ashtu, gjatë këtij Muaji të Mevludit, të shtojmë kujdesin ndaj rinisë që së pari ajo të edukohet në rrugën e Zotit dhe së dyti të mos merret me dukuri devijante, këto dy synime më së miri i arrijmë duke marrë për bazë mësimet dhe veprimet e të Dërguarit tonë.

Një i ri nëse kërkon model për edukim nuk ka ku ta gjejë tjetër, pos te Pejgamberi a.s. Nëse kërkon model për besnikëri, te Pejgamberi a.s. do ta gjejë më të mirin besnik, nëse kërkon model për atdhedashuri te Pejgamberi a.s. do ta gjejë më të mirin atdhedashës, nëse kërkon modelin e urtësisë e modestisë te Pejgamberi a.s. do ta gjejë, te ai do të gjejë  për çdo gjë pozitive, më të mirin yrnek.

 

Të nderuar besimtarë,

Vëllezër e motra!

Nga ky aktivitet ju ftoj që gjatë këtij Muaj të Mevludit të lexoni sa më shumë Kuran, të dërgoni sa më shumë salavate e selame për Pejgamberin, Muhamed Musatafanë a.s., t’i praktikoni urdhrat e Kuranit dhe mësimet e Synetit të Pejgamberit a.s., kudo ku jeni dhe kudo ku gjendeni.

Dhe meqë, sikurse e thamë, kemi një traditë të kahershme për përkujtimin dhe manifestimin e ditëlindjes së Pejgamberit a.s., atëherë lusim që kjo traditë të kultivohet sa më shumë në familjet tona, në shtëpitë tona, në xhematet dhe xhamitë tona, në mejtepet, medresetë dhe kudo tjetër.

Duke ju uruar edhe një herë nga zemra për këtë Muaj të Mevludit, dhe duke ju falënderuar që jeni bërë pjesë e këtij manifestimi, nuk gjej përfundim më të mirë sesa vargjet e njërit prej autorëve shqiptarë, Tahir ef. Popovës, i cili me shumë ashk e dëshirë, në Mevludin e tij për Pejgamberin a.s.lutet:

“Ja Rabbi, për hyrmet të pejgamberit Tënd

Mos na ndaj ne kurrë prej rahmetit Tënd!”

 

Prishtinë,                                                                     Myftiu i Kosovës

18 nëntor 2018                                                           Naim ef. Tërnava

Shfaq më shumë artikuj të ngjashëm
Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Tërnava në seancën komemorative për Ruzhdi Latën

E nderuar familje Lata Të nderuar drejtues të Dibrës Të nderuar udhëheqës e drejtues të Ba…