Ballina Fjalime Fjala e Myftiut të Kosovës Naim ef. Tërnava në akademinë përkujtimore kushtuar Ismet ef. Limanit

Fjala e Myftiut të Kosovës Naim ef. Tërnava në akademinë përkujtimore kushtuar Ismet ef. Limanit

Të nderur familjarë të Ismet ef. Limanit

Të nderuar udhëheqës të Bashkësisë Islame të Kosovës

Të nderuar të pranishëm

Motra dhe vëllezër!

Fillimisht më lejoni që, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, t’ju falënderoj që na jeni bashkëngjitur në këtë aktivitet, me të cilin kujtojmë imamin e mualimin tonë Ismet ef. Limanin në  19 vjetorin e martirizimit të tij përballë forcave serbe.

 

Të nderuar të pranishëm,

Në këtë akademi  do të kujtojmë personalitetin e imamit të përkushtuar Ismet ef. Limani, të cilin këtu e 19 vjet më parë apo saktësish më 12 maj të vitit 1999, në kulmin e luftës për çlirimin përfundimtar të Kosovës, rrugës nga vendlindja e tij për në Prishtinë, forcat serbe pasi kishin ndaluar mjetin me të cilin udhëtonin civilët e pafajshëm shqiptarë, e morën dhunshëm dhe e ekzekutuan atë dhe një grup të bashkudhëtareve, ani pse  të gjithë ishin civilë.

Nga historia janë të njohura luftërat dhe sakrificat që ka bërë populli ynë për të mbrojtur kauzën fetare dhe kombëtare, sidomos nga viti 1878 e këndej, kur trojeve tona iu vërsulën fqinjët tanë për të gllabëruar sa ma shumë pjesë të këtij trualli, për të dëbuar e shfarosur popullatën autoktone dhe për të shkatërruar gjithë ato që ky popull kishte ndërtuar ndër shekuj. E, megjithëkëtë, populli ynë u bëri ballë dhe me shumë mund e sakrificë, trimëri e heroizëm arriti të ruante qenien dhe identitetin e tij. Për këto arritje, një meritë të madhe dhe rol me rëndësi, pa dyshim që kanë luajtur edhe ulematë shqiptarë, të cilët jo vetëm që i folën dhe e këshilluan masën për rëndësinë dhe domosdoshmërinë që ka mbrojtja e Atdheut dhe e identitetit kombëtar e fetar, por edhe u vunë vetë në ballë dhe i prinë popullit në luftë kundër armiqve tanë gjithandej trojeve tona etnike, si Hfz. Vehbi Dibra, Hfz. Ali Korça, Hfz. Ibrahim Dalliu e shumë të tjerë. Dhe jo vetëm kaq, po shumë nga ata ranë shehidë në altarin e lirisë në mbrojtje të trojeve tona shekullore, për të mos vdekur kurrë, siç ishin myderriz haxhi Ymer ef. Prizreni, myderriz Haxhi Zeka, mulla Idriz Gjilani, myderriz Haki ef. Sermaxhaj dhe shumë të tjerë, të cilët e jetësuan dhe çuan në vend amanetin e kultivuar nga tradita islame”Mbrojtja e vatanit është pjesë e imanit”.

Radhës së gjatë të ulemave që janë angazhuar në edukimin dhe orientimin e drejtë e të duhur për atdhe e fe, s’ka dyshim se i bashkëngjitet edhe imami, mualimi e hoxha ynë i nderuar Ismet ef. Limiani, i cili tërë jenën e vet ia kushtoi edukimit, arsimimit dhe fisnikërimit të popullit. Ismeti rrjedh nga një familje me traditë të edukimit fetar, ai përveç edukimit që mori në familje pati fatin e mirë që të mësonte te myderrizët e shquar në Preshevës, ku u brumos me njohuri për misionin e tij të ardhshëm. Pasi mbaroi medresenë Alauddin në Prishtinë vazhdoi studimet në universitetin  “Al Azhar” në Kajro.

Pas  përfundimit të studimeve, kthehet në vendlindje ku nis misionin e tij prej imami e mualimi. Ka shërbyer në disa xhami, deshi i madhi Zot që Ismet efendiu aktivitetin e vet më të madh ta jepte në xhaminë e Hajvalisë, ku qe edhe imam i parë që nga viti 1986, ku përveç që i priu dhe organizoi xhematin, ai një kontribut të madh dha në edukimin e brezit të ri qoftë përmes derseve e ligjëratave, qoftë përmes pranisë së tij në xhematë e sidomos në mbajtjen e mësim-besmit. Megjithëse xhemati në Hajvali asokohe ishte si xhemati i ri, ndërtimi i xhamisë e më pas angazhimi dhe veprimtaria e Ismet efendiut, shumë shpejt, atë dhe xhaminë  e bënë model të mirë për të gjithë.

Hoxha me  punën e tij arriti që të afronte rreth vetës në xhami shtresat të ndryshme të xhematit, t’u printe e të ishte me ta në gëzime e hidhërime, t’i dëgjonte, t’i udhëzonte, të bashkëbisedonte e të vepronte bashkërisht në të mirë të  komunitetit, vendit e fesë.

Ai qe një njeri i përkushtuar në misionin e tij, i qetë, i përpiktë,  i devotshëm,  i cili me urtësinë dhe butësinë që manifestonte qe bërë i dashur në mesin e xhematit. I çmuar dhe i respektuar Ismet efendiu qe edhe nga kolegët dhe institucioni ku punoi e veproi, ku dha  kontribut të çmuar në Këshillin e Bashkësisë Islame të Prishtinës.

Mirëpo, puna dhe aktiviteti i tij, e sidomos angazhimi i Ismet efendiut në edukimin e brezit të ri përmes mësim-besimit. Derset dhe ligjëratat e tij, sidomos ato me motive kombëtare, bënë që organet e pushtetit serb ta vënë në shënjestër atë si të papërshtatshëm, kështu që ndaj tij, si edhe ndaj shumë mijërave veprimtarëve anekënd Kosovës, nisin presionet e shantazhet nga më të ndryshmet nga autoritetet serbe, të cilat përcillnin me kujdes punën dhe aktivitetin e Ismet  ef. Limanit, i cili xhaminë atë kohë e kishe bërë qendrën më të rëndësishme në komunitet. Për këtë  ai disa herë u përndoq dhe u mor në pyetje nga segmente të sigurimit serb.

Tani pas 19 vjet, kur Kosova është e lirë, sovrane e demokratike, mulla Ismetin nuk e kemi në mesin tonë, ngase siç e thamë më lart ai iu bashkua radhëve të shehidëve për lirinë e vendit. Mirëpo, mulla Ismeti la mbrapa tij xhamitë ku shërbeu, Bashkësinë Islame të Kosovës, një trashëgimi të pasuar në fushën e edukimit shpirtëror. Nxënësit që ai ua mësoi parimet themelore të fesë, nxënësit që ai ua mësoi edukimin fetar dhe ndenjën e atdhedashurisë, tani e sa kohë me sukses vazhdojnë rrugën dhe misionin e mulla Ismetit. Disa prej tyre i gjejmë në radhët e Bashkësisë Islame, ku kryejnë detyra me përgjegjësi, duke përfshirë këtu edhe imamin e xhamisë  ku veproj ai,  por përveç kësaj talebe të mulla Ismetit gjejmë të angazhuar edhe në shumë institucione të tjera publike, e të cilët nuk i kanë braktisur mësimet që morën nga ai.

Është detyrë jona, është detyrë e obligim i nxënëseve të tij, i xhematit të tij që misionin e mulla Ismetit ta vazhdojmë, ai ishte një model i mirë, një model i suksesshëm, ai misionin dhe punën e tij e zhvilloi në kushte e rrethana të vështira. Fillimisht u përball me sistemin monist e më vonë me riokupim, por asnjëra e as tjetra nuk e ndalën nga rruga e tij. Tani vendi ynë është i lirë, është bërë reale kauza për të cilët ranë dëshmorët dhe martirët e luftës së fundit, për ne mbetet që të angazhohemi për të ndërtuar një shoqëri të lirë, të edukuar, larg shprehive të këqija, një shoqëri me integritet që njeh vlerat hyjnore, humane e njerëzore.

Me lejoni të them edhe këtë se përveç mulla Ismetit në Luftën e fundit nga radhët e nëpunësve të Bashkësisë Islame të Kosovës ranë 37 shehidë për Lirinë e Kosovës.

Ranë që ne të tjerët, pas tyre, të jetojmë të lirë e sovranë, të jetojmë me dinjitet e krenari në këtë vend, në të cilin na fali i Madhi Zot dhe na e bëri obligim që ta ruajmë, ta mbrojmë, ta qeverisim me drejtësi, ta duam e ta ndërtojmë, që ta bëjmë sa më të bukur për pasardhësit tanë. Këtë amanet kaq madhor dhe kaq me peshë, nuk e kuptoi askush më mirë dhe më drejt se Ata që turravrap iu përgjigjën thirrjes së Atdheut dhe Orës së historisë.

Ata që flijuan jetën e tyre për të mirën e përgjithshme – shehidët, nuk u harruan, por, në të vërtetë, Ata, siç thotë Allahu xh.sh. jetojnë përgjithmonë. Emrat e tyre do të jenë të shënuar gjithmonë në analet e historisë dhe në kujtimet e njerëzve, por edhe në vazhdimësi nën mëshirën e Allahut.

Allahu xh.sh., në Kuranin fisnik, thotë:

“E për ata që u mbytën në Rrugën e Allahut, mos thoni “janë të vdekur”. Jo, ata janë të gjallë, por ju nuk e kuptoni (të gjallët e tyre)“. (El‑Bekare, 154).

Sot mulla Ismeti nuk është në mesin tonë, mirëpo me punën dhe angazhimin e tij jemi krenar të gjithë, duke nisur nga familja e tij, xhemati i tij dhe Bashkësia Islame e Kosovës.

Në fund më lejoni tua uroj muajin e madhëruar të Ramazanit, dhe për hoxhën tonë Ismet ef. Limani si dhe të gjithë ata që ranë për lirinë e vendit të këndojmë nga një Fatiha.

Allahu na bashkoftë me ta në Xhenet!

 

 

Prishtinë, 12 maj 2018                                                             Myftiu i Kosovës

Naim ef. Tërnava

Shfaq më shumë artikuj të ngjashëm
Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

URIMI I MYFTIUT PËR KURBAN-BAJRAM 2018

بسم الله الرحمـن الرحيـــم Me emrin e Allahut. Mëshiruesit, Mëshirëplotit! Të dashur qytet…