Teologu amerikan me renome ndërkombëtare, ligjërues i “Fërkimeve ndërfetare” në Universitetin e Georgetown, Yahya Hendi, gjatë një ligjërate para besimtarëve myslimanë në Ferizaj, tha se grupet dhe organizatat kriminale dhe terroriste si ISIS, Boko Haram, Al Qaida dhe të tjera, nuk përfaqësojnë fenë Islame. Sipas tij, aktet makabre të pjesëtarëve të këtyre grupeve janë në kundërshtim me të gjitha mësimet islame.
“Të presësh kokat e fëmijëve, sikurse ISIS në Siri, të kidnaposh nxënëset nga shkollat vetëm pse po edukohen, siç bënë Boko Haram në Nigeri, apo të djegësh kisha, dhe për gjitha këto të thirresh në Islam, Sheriatë dhe Kuran, a thua mund ta besojë pastaj ndokush se feja Islame është fe e paqes dhe e tolerancës? Unë them se ata nuk e përfaqësojnë fenë time, sepse të presësh kokat e fëmijëve nuk ta lejon as Islami, as Kur’ani e as mësimet e profetit Muhamed a.s. Ne duhet që të gjitha këto t’i kundërshtojmë dhe luftojmë në çdo mënyrë dhe në çdo formë”, tha imami Hendi.
Gjithashtu ai u tha ferizajasve që ta kuptojnë Islamin si koncept e jo si emër të ndonjë grupi apo individi. Imami Hendi tha se Islami është fe e paqes dhe e tolerancës, madje edhe vetë emri Islam është nga një fjalë arabe që do të thotë paqe.
Nga ana e tij, edhe Myftiu i Kosovës shprehu mirënjohjen për kontributin e imamit Yahya Hendi, duke shtuar se si lider shpirtëror i myslimanëve të Kosovës do të vazhdojë angazhimin në promovimin e paqes dhe stabilitetit në mbarë botën, sidomos për Kosovën. “Prandaj, duke u nisur nga përvoja e së kaluarës, e them me bindje të plotë se detyrë e prijësve fetar duhet të jetë përqendrimi në parimet fetare; t’i kushtohet kujdesi i merituar dashurisë ndaj Zotit, ndaj njëri-tjetrit, pavarësisht nga besimi, vendi ku jeton, apo gjuha që flet, që, nëpërmjet predikimeve të tyre tek masa e gjerë e popullit të mbillet ndjenjë e dashurisë, respektit e mirëqenies së përgjithshme”, tha myftiu Tërnava, duke shtuar se të gjitha këto, në parim, janë edhe vlera të të gjithë besimeve me bazë qiellore. “Pra, argumentet kuranore janë të qarta, dhe ato ndalojnë armiqësinë ndërmjet njerëzve. Allahu xh.sh. thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që është më i devotshëm. Vërtet, Allahu është i Dijshëm dhe hollësisht i informuar për çdo gjë.” (El Huxhurat, 13).
Në fund të kësaj ligjërate, që e mbajti me organizimin e KBI të Ferizajt më 7 mars, si dhuratë që simbolizon pastërtinë dhe dlirësinë shpirtërore e kombëtare të popullit tonë, imamit Yahya Hendi iu dha një plis i bardhë, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për vizitën e tij në Kosovë.{gallery}yahyahindi{/gallery}