Prishtinë, 10 shkurt 2022

Nën këndimin e tekbireve, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava dhe kryetari i Këshillit të BI-së në Gjilan, Naim ef. Aliu, kanë vënë gurthemelin e xhamisë së re në hyrje të këtij qyteti.

Nevoja për ndërtimin e një xhamie ishte kërkesë e kahmotshme e banorëve të kësaj lagje, teksa po jetësohet falë bashkëpunimit mes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe mërgimtarëve.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, potencoi se ndërtimi i xhamive në Kosovë fuqizon të gjithë besimtarët dhe në veçanti brezat e rinj.
“Kjo xhami edhe më shumë na kthen në ndërdijen tonë se brezat që po vijnë do të jenë edhe më frymëdhënës në këtë drejtim, sepse ky brez që tash po jeton, është ai që po kontribuon në ngritjen e infrastrukturës së Bashkësisë Islame të Kosovës.
Ne e kemi për detyrë haptazi t’i falënderojmë që po kontribuojnë në këtë drejtim, duhet t’i falënderojmë edhe në ligjërata tona, në emisione, të shkruhet për ta, për shkak se këta janë më meritorët që edhe më shumë po forcohet dini Islam në këto troje”, deklaroi Myftiu Naim ef. Tërnava.

Kryetari i Këshillit në Gjilan, Naim ef. Aliu e quajti ditë me rëndësi të veçantë këtë ditë të vënies së gurthemelit.

“Bashkësia Islame e Kosovës në bashkëpunim me bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, për shkak se ata janë mbështetja më e madhe, kanë siguruar këtë vend dhe me anë të financimit të tyre po ndërtohet kjo xhami. Pa dyshim se jemi falënderues të gjithëve sepse është një ditë e madhe për neve”, ka deklaruar Naim ef. Aliu.

Bashkësia Islame e Kosovës është duke bërë përpjekje maksimale për ndërtimin e infrastrukturës për t’i përmbushur kërkesat e besimtarëve anë e kënd Kosovës. Aktualisht janë vënë 13 gurthemele të xhamive që po ndërtohen në të gjithë territorin e Kosovës.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U mbajt program festiv për nder të 28 Nëntorit në “Medresenë Alauddin”

Prishtinë, më 27 nëntor 2024 Në ambientet e “Medresesë Alauddin” u organizua një program f…