Të dashur nxënës,
Sot, më 3 shtator, shkollat hapin portat për ju për fillimin e vitit të ri shkollor 2018-2019. Për disa për ju është hera e parë që i drejtoheni bankave të shkollës e për disa të tjerë është kthim në këto banka. Është sfidë të cilës megjithatë nuk mund t’i ikni. Ju jeni ardhmëria e këtij vendi dhe e kësaj shoqërie andaj ky rrugëtim është sa i pashmangshëm aq edhe i domosdoshëm. Kjo sfidë është për t’iu formuar dhe kalitur për përgjegjësitë që iu presin. Një ditë, mbase jo larg, fati i këtij vendi do të jetë në duart tuaja. Dikur, një urtar ka thënë: ‘Dituria është dritë, injoranca është errësirë.’ Andaj, nëse ju i përkushtoheni fitimit të diturisë, ju bëheni dritë, e cila ndriçon rrugën e këtij populli dhe të ardhmen këtij shteti. Ne, si popull i vogël dhe shtet në formim e sipër, vetëm me vlera dhe dituri mund të garojmë me popujt tjerë.
Andaj me lejoni që si prind, qytetar dhe Myfti i vendit tonë, t’iu uroj për këtë vit të ri shkollor duke e lutur Zotin e Gjithëdijshëm që t’iu mësojë, t’iu ruajë, t’iu jep shëndet dhe sukses! Do të doja të veçoj me urim edhe nxënësit e Medresesë Alauddin me paralelet e saja fizike në Gjilan dhe Prizren duke kërkuar prej tyre që reputacionin e kësaj shkolle dhe prestigjin e fituar ndër vite si shkolla më e suksesshme ta ruajnë e ta mbajnë edhe për shumë vite.
Urimet e mia janë edhe për gjithë mësuesit e mësueset dhe personelin edukativo arsimor në të gjithë vendin. Qofshi të ndihmuar nga Zoti!
I juaji,
Mr. Naim TËRNAVA
Myfti i Republikës së Kosovës