Urimi i Myftiut Tërnava me rastin e Ditës së Pavarësisë 16 shkurt 2021 Të dashur qytetarë, Vëllezër e motra! Nesër, më 17 shkurt, populli i Kosovës ka festën më të rëndësishme, atë të Ditës së Pavarësisë së vendit tonë, Republikës së Kosovës, e cila nesër mbush 13 vjet të funksionimit e të shtetësisë si Republikë e lirë, e pavarur dhe demokratike. Liria e mëvetësia e vendit tonë ka qenë projekt i gjeneratave pararendëse, mirëpo deshi i Madhi Zot, që kjo të jetësohet me ndihmën dhe mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë, pikërisht më 17 shkurt 2008. Përveç që e bën krenar popullin e Kosovës, kjo datë, e radhitë atë në mesin e popujve të lirë e sovran, si dhe kontribuues për ndërtimin dhe forcimin e paqes dhe të sigurisë. Në prag të festës më të madhe për vendin tonë, më lejoni që të kujtojmë me respekt e pietet të gjithë dëshmorët, martirët dhe aktivistët, të cilët u angazhuan e kontribuuan që të jetësohet pavarësia e vendit tonë. Po ashtu, më lejoni që të shpreh edhe një herë falënderimin dhe konsideratën tonë për miqtë e aleatët tanë që e mbështetën kauzën tonë të drejtë. Sot, Kosova është rrëfim i suksesshëm, faktor stabilizues në rajon dhe vend i sigurt për të gjithë qytetarët e saj. Në këtë ditë feste, më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, t’ju drejtohem me mesazh urimi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, dhe jo vetëm, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që gjenden me përgëzimet më të mira, duke lutur Zotin e Madhëruar që të na japë mbarësi në shtetin tonë të lirë e sovran. Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava