Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e Viti të Ri Hixhri 1444 Të dashur vëllezër e motra, Myslimanët anekënd botës sonte kujtojnë Hixhretin e të Dërguarit të Allahut, nga Meka në Medine, datë që shënoi një pikë kthese në historinë e Islamit dhe fillimin e kalendarit mysliman. Duke u nisur nga Fjala e të Madhit Zot, në Kuranin e Tij fisnik, ku na drejtohet e thotë: “…dhe kujtoju atyre ditët e mëdha të Zotit…” (Ibrahim, 5), mësojmë se ne si myslimanë nuk guxojmë të harrojmë ditët e mëdha e me vlerë dhe ngjarjet e rëndësishme të historisë islame, e në veçanti ato që kanë të bëjnë me vetë jetën e Resulullahut a.s. Padyshim se nga këto ngjarje të rëndësishme, është edhe Hixhreti i Resulullahut a.s., i cili ka qenë dhe do mbetet gjithmonë në kujtesën e myslimanëve.Hixhreti (shpërngulja) na mëson se vetëm besimtarët e drejtë e të devotshëm janë të gatshëm që për hir të së vërtetës dhe besimit të sakrifikojnë, e të bëjnë hixhret për hir të Allahut. Në ditët e sotme, secili individ dhe secila shoqëri ka edhe hixhretin e vet, në kuptimin që secili njeri nëse largohet nga të këqijat dhe të ligat, ai vetëm se ka bërë hixhret dhe është afruar tekAllahu Fuqiplotë, e për këtë Muhamed Mustafaja a.s. na ka porositur: “Muhaxhir është ai i cili largohet nga të ndaluarat e Zotit.” Dita e Hixhretit nuk duhet kaluar pa reflektim, duke përllogaritur se sa ishim të mirë dhe të dobishëm për veten, familjen dhe për shoqërinë ku jetojmë, kjo në funksion që në vitin e ri që po hyjmë të jemi më të më të ndërgjegjshëm, më social, më human, bujar e fisnik, më të dashur me njëri-tjetrin dhe me afër Zotit. Hixhreti është dhe mbetet një frymëzim i fuqishëm në jetën e çdo myslimani, dhe mbart me vete mesazhin për sigurinë, lirinë dhe vlerën e atdheut.Pejgamberi ynë i dashur, Muhamedi, paqja qoftë mbi të, na mësoi me shembullin e tij praktik se liria nuk i jepet askujt pa sakrificë dhe na mësoi se këto synime mund të arrihen vetëm përmes sakrificës dhe forcës së besimit. Lus Allahun e Lartësuar që ky vit i ri të sjellë paqe e mirësi mbi mbarë njerëzimin, si dhe të sjellë harmoni në mesin tonë, duke na i bashkuar zemrat tona dhe duke na forcuar në idealet për prosperitet e paqe. Zoti na bekoftë të gjithëve! Prishtinë,29 korrik 2022 Myftiu i Kosovës,Naim ef. Tërnava