Sonte, e mbarë bota islame shënon ditëlindjen e krijesës më të dalluar, Pejgamberit të fundit, mëshirës së njerëzimit, Muhammedit a.s.. Lindja e tij ishte dhe mbetet dhuratë hyjnore për njerëzimin. Allahu e dërgoi mëshirë për ne.
Ndaj, sonte nuk kemi pse të mos gëzohemi, nuk kemi pse të mos kremtojmë lindjen e tij, nuk kemi pse të mos rikujtojmë personalitetin dhe misionin e tij, në të cilin fshihen udhëzimi dhe shpëtimi ynë.
Allahu xh.sh. thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe në Ditën e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” [Ahzab: 21].
Më lejoni që, në fund të këtij urimi, të jap edhe një motiv shtesë pse duhet të marrim shkas këtë datë e botës t’ia përcjellim personalitetin e Muhammedit a.s..
Alphonse de Lamartine thotë: “Kush mund të marrë guximin e ta krahasojë gjenialitetin e ndonjë figure të lartë të historisë moderne me atë të Profetit Muhammed?! Këta të famshëm kanë prodhuar armë, kanë vënë ligje e kanë themeluar perandori, por krenaria që kanë fituar ka vdekur pothuajse para se të kenë vdekur vetë ata, ndryshe nga ky burrë, Muhammedi, i cili, jo vetëm që ka udhëhequr ushtri, ka vënë ligje, ka themeluar perandori, ka udhëhequr popuj e dinasti, por edhe ka drejtuar miliona njerëz që atëbotë ishin hiç më pak se 1/3 e botës. Dhe jo vetëm kaq. Ai u ka dhënë fund idhujve, feve, ideve dhe besimeve të kota…Duke marrë në konsideratë të gjithë parametrat e madhështisë njerëzore, dua të pyes: A ka njeri më të madh se Muhammedi?”
Po pyes edhe unë, a ka njeri më të madh se Muhamedi a.s., për lindjen e të cilit duhet të gëzohemi më shumë?!
Besimtarëve myslimanë shqiptarë dhe të komuniteteve të tjera në Kosovë, shqiptarëve myslimanë brenda trojeve tona etnike dhe mbarë botës islame, ua shprehim urimet tona me rastin e kësaj Natë të shënuar!
Juaji,
Naim ef.TËRNAVA
Myfti dhe Kryetar i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës.