U mbajt Tryeza shkencore “Sali ef. Myftija, personalitet i shquar fetar dhe kombëtar”

Prishtinë, më 30 qershor 2022

Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame pranë Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, ka organizuar Tryezën shkencore kushtuar personalitetit fetar dhe kombëtar, Sali ef. Myftisë.

Në këtë tryezë u shtjelluan disa prej veprave të Salih Myftiut në çështjet fetare dhe kombëtare, si dhe kontributi i tij i pashoq dedikuar dijes fetare dhe unitetit shqiptar.

Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri ef. Bajgora, duke çmuar lart veprën e Sali Myftiut, përmendi dorëshkrimet e tij që lidhen me librat e tefsirt, fikut, historisë islame, akaidit, fraksioneve islame dhe ngjarjeve të rëndësishme pas luftës së dytë botërore.

“S’ka dyshim se Sali ef. Myftia meriton edhe më shumë se një tryezë shkencore, le të jetë kjo e nismë e mbarë që figurën e këtij fetari dhe atdhetari të devotshëm ta trajtojmë gjerësisht në ndonjë eveniment edhe më të madh në Kosovë apo Shqipëri”, tha ai.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, veçoi Sali Myftiun si personalitet i cili nuk rreshti së punuari asnjëherë për idealin fetar dhe kombëtar në të mirë të popullit.

“E përgëzoj Institutin për Hulumtime dhe Studime Islame që ka ndërmarrë këtë hap për ta kujtuar dhe për në e risjellë në vëmendje personalitetin e Sali ef. Myftisë, i cili është shembull i një prijësi të dalluar si në rrafshin kombëtar ashtu edhe atë në fetar. Shembulli i një njeriu i cili tërë qenien e tij e vuri në shërbim të besimtarëve mysliman, të popullit dhe atdheut të tij. Ai u dëshmua si arsimdashës i paepur, si udhëheqës e myfti i shquar, e mbi të gjitha si atdhetar me veti të larta shtetformuese”, tha Myftiu Tërnava.

Muhamed ef. Syrtari, Myftiu i Shkodrës, në këtë tryezë tha se sfidat dhe jeta e Sali Myftisë, ngjasojnë me burrat e parë të fesë islame, i cili angazhimin fetar e rriti në vazhdimësi.

“Largimet e shpeshta të tij, pra edhe furtunat e jetës së tij, sprovat e jetës së tij, herë në një vend herë në një tjetër, nxjerrin në pah personalitetin e burrit të shquar që më ngjan me ata burrat e parë të Islamit të cilët emigruan në drejtim të Etiopisë, për të për parë edhe dëshmuar në veprën e tij, atë që thonë, që të mëdhenjtë nuk përkufizohen me tokën dhe kohën.”

Në ndërkohë edhe mbesa e Myftisë, u shpreh falënderuese për vlerësimin e lartë që po i bëhet gjyshit të saj.

“Ne jemi shumë krenarë që së pari kemi mbiemrin Myftia, jemi krenar që jemi trashëgimtarë të një figure me vlera të larta njerëzore, të një figure që kishte një besim të devotshëm dhe të fortë në Allahun një dhe në dashurinë për atdheun e tij,”- tha ajo.

Në nder të këtij kësaj tryeze shkencore, telegram urimi përcolli Princi Leka i Dytë, i cili falënderoi Institutin dhe Bashkësinë Islame të Kosovës për këtë vlerësim dhe organizim në nderim të veprës së Salih Myftiut.

Sali Myftia në vitin 1931 ishte emëruar kryemyfti i Shkodrës, ndërsa më pas edhe i Kosovës. Përgjatë okupimit fashist, ai kishte organizuar rezistencën nacionaliste shqiptare në kërkim të lirisë, për ta bërë kështu të lëvizte nga një vend në një vend tjetër, deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai kishte qenë iniciatori i ngritjes së xhamisë dhe shkollës arsimore e fetare në SHBA për shqiptarët, duke bërë kështu që të dekorodohet edhe me Dekoratën “Kordoni i Madh i Skënderbeut”.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Certifikohen 130 nxënës të Akademisë se Kuranit “Hifdh Kids”

Prishtinë, më 12 gusht 2022 Me rastin e këtij manifestimi, kryeimami i Bashkësisë Islame t…