1 nëntor 2019
Mbrëmë në Prizren, në institutin “Yunus Emre”, u mbajt programi fetaro-kulturor me temën “Xhamitë dhe nëpunësit fetar”, i organizuar nga zyra për çështje fetare pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës.
Në këtë program morën pjesë këshilltari i Myftiut të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Cagri Sakar, konsulli Serdar Ozaydin, ish-deputetët e Kosovës, z. Fikrim Damka e znj. Muferah Sinik, kryetari i Mamushës, Abdulhadi Krasniqi, si dhe përfaqësues të institucioneve turke nga TIKA dhe MEARIF.
Programi filloi me leximin e një pjese nga Kurani fisnik, të cilën e lexoi hafëz Daut Lezi.
Këshilltari i Myftiut, Vedat ef. Sahiti, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve theksoi rolin e pazëvendësueshëm të xhamive në edukimin e brezave dhe ngritjen morale e shpirtërore të shoqërisë.
Ndërkaq, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Cagri Sakar tha se xhamitë janë vende të shenjta, nga ku marrim mësimet e drejta fetare, janë vende në të cilat kultivohet atdhedashuria dhe mësohet morali i pastër.
Më pas programi vazhdoi me këndimin e kasideve nga nxënësit e institutit të hifzit “Emin Pasha” në Prizren, ndërsa duanë e hatmes për ulematë tanë e bëri kryetari i KBI të Prizrenit, Besim ef. Berisha.