Prishtinë, më 26 gusht 2024

Akademia e Kuranit “Hifdh Kids”, e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, sot organizoi ceremoni me rastin e përfundimit të hifzit të nxënëses Merjeme Shabani, e cila është edhe hafëzja e parë e kësaj Akademie. Ajo, sot, para të gjithë të pranishmëve recitoi pesë ajetet e fundit të hifzit të saj, për ta kompletuar kështu tërë mësimin përmendsh të Kuranit fisnik.

Të pranishëm në këtë organizim qenë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, kryeimami Vedat ef. Sahiti, përfaqësuesja e Departamentit të Gruas, znj. Vaxhide Bunjaku, si dhe nxënës të kësaj Akademie.

Myftiu me këtë rast u shpreh i lumtur dhe krenar për të arriturën e këtij suksesi, i cili është madhor dhe përgëzoi për punën e tyre madhore dhe përkushtimin e vazhdueshëm muhafizet, Rineta Nitaj dhe Fatime Nitaj dhe hafëzen e re. Ai inkurajoi që kjo punë të vazhdohet edhe më tej, me shpresën që Allahu ta lehtësojë këtë rrugëtim të artë, duke dhënë kështu përkrahjen e tij maksimale për mbarëvajtjen e mirëfilltë e të suksesshme të kësaj nisme madhore.

Muhafizet Nitaj, u shprehën tejet krenare për këtë sukses të arritur të nxënëses së tyre, duke lutur Allahun që të ndihmojë dhe lehtësojë edhe më shumë këtë mision dhe thanë se këtë profesion e kanë zgjedhur me vullnetin më të madh, e të tillin do ta trajtojnë si amanet deri në fund.

Ceremonia u përmbyll me ndarje të certifikatës nxënëses dhe me dhurata motivuese me rastin e këtij organizimi.

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

Shënohet muaji i Mevludit në Podujevë

Prishtinë, më 24 shtator 2024 Për nder të ditëlindjes së Pejgamberit a.s. – Mevludit…