Sqarim përkitazi me intervistën e Bahri Sejdiut për gazetën “Kosova Sot”
Përkitazi me intervistën e Bahri Sejdiut të botuar 10 qershor 2017, nga gazeta “Kosova Sot”, ku ai flet për fillimin e ndërtimit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë, sqarojmë opinionin se qëndrimet e shprehura nga Z. Bahri Sejdiu, nuk janë qëndrime zyrtare të Kryesisë së BIK, por janë vetëm qëndrime të tij personale.
Kryesia e BIK, botimin e sotëm të kësaj interviste e sheh si tendencioze, të motivuar politikisht dhe për qëllime personale. Tendenca për ta politizuar ndërtimin e xhamisë, për ne është e papranueshëm dhe e dëmshme, e aq më tepër kur tentohet që ti jepet ngjyrim partiak dhe atë në ditën e heshtjesh zgjedhore. Qëndrimi se gjoja “Vetëvendosja” pengon fillimin e ndërtimit të xhamisë është i papranueshëm, ne kurrë nuk ju kemi drejtuar asnjë partie për leje, sepse partitë nuk japin leje ndërtimi. Komunikimi ynë është me Komunën e Prishtinës si institucion kompetentë. BIK si me të gjitha partitë në vend, ashtu edhe me “Vetëvendosjen” ka raporte korrekte e normale, andaj nuk qëndron ajo që sjell “Kosova Sot” se “Vetëvendosja” ka bllokuar fillimin e ndërtimit të xhamisë.
Për hir të korrektësisë dhe me qëllim që të njoftojmë drejt së pari besimtarët tanë, pastaj edhe opinion e gjerë sqarojmë.
Për çështjen e fillimit të ndërtimit të xhamisë qendrore, Kryesia e BIK dhe Komuna e Prishtinës janë në komunikim të vazhdueshëm dhe presim që shpejtë të përfundojnë procedurat e nevojshme dhe ashtu siç e kemi venë bashkërisht gur themelin e xhamisë, bashkërisht e unik do nisim e inshalla edhe të përfundojmë xhaminë për ta vënë në funksion për besimtarët tanë.