Prishtinë,13 qershor 2016
Gjatë aktiviteteve të muajit Ramazan kryeimami Sabri ef. Bajgora mori pjesë në tribunën fetare “Ramazani muaji i mëshirës”, që u organizua nga KBI e Shtimes, e që u mbajt në shtëpinë e kulturës, ku salla ishte e stërmbushur nga besimtarët myslimanë. Kryetari i KBI të Shtimes, Isa ef. Tërshani, duke iu dëshiruar mirëseardhje të ftuarve, njëherazi i uroi për muajin e bekuar Ramazan, duke veçuar se begatia më e madhe është që Allahu na udhëzoi në këtë dinë, dhe begatitë e Ramazanit janë të shumta. “Shfrytëzoj rastin ta falënderoj kryeimamin Bajgora për përgjigjen në ftesë.” Në emër të Komunës së Shtimes foli Agron Mehmeti, i cili u lut që të kemi një agjërim të lehtë. “Dua të konfirmoj se bashkëpunimi mes KBI të Shtimes dhe Komunës është i shkëlqyeshëm, dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, dhe e kemi obligim që t’i përgjigjemi pozitivisht kërkesave të Këshillit.”

Në ligjëratën e tij kryeimami Bajgora tha se Ramazani është muaj i rahmetit e i Kuranit famëlartë, i hapjes së zemrave dhe mirësisë, dhe Kryesia e BIK-ut gjatë këtij muaji por edhe jashtë tij vazhdimisht organizon takime e tribuna me besimtarët tanë, e shkollat duhet të aplikojnë mësimin e lëndës fetare si lëndë mësimore. “Vetë tema që do ta ligjëroj ka të bëjë me konceptin e mëshirës, dhe duhet të themi se tërë kjo ekzistencë që po e ndjejmë me shqisat tona është një koncept i krijuar nga mëshira e Zotit xh.sh. Ishte pikërisht dashuria dhe vullneti i Zotit që ne të vijmë në këtë dynja me një mision dhe detyrë të caktuar. Qëllimi final i krijimit tonë është që t’i përkushtohemi Allahut xh.sh. me ibadet, sepse në pyetje është mëshira e rahmeti, respekti e dashuria që Allahu pati ndaj krijesës njerëzore. Allahu e përcaktoi mëshirën për Vete, sepse me këtë mëshirë u krijuam dhe me këtë mëshirë do të jetojmë, dhe me këtë mëshirë të Zotit do t’i gëzojmë të mirat e ahiretit. Për këtë arsye Allahu nuk dëshiron që neve të na ndëshkojë, dhe fatkeqësisht shumë prej njerëzve kanë kuptime jo të mira për fenë tonë të dashur. Natyrisht qëllimet e tyre janë të mira, por fjalët nuk janë të zgjedhura. Shpeshherë ne shohim nga kolegët tanë, nga dijetarët e ndryshëm, që me zhargonin e tyre më tepër kanë fjalë kërcënuese, përderisa harrojnë se kjo krijesë njerëzore u krijuar nga dashuria e Zotit për të. Ne jemi në muajin ku veprat tona shtohen qindra e mijëra fish në krahasim me muajt tjerë. Çdo njeri e ka besimin e mbjellë në zemër, dhe çdo njeri mendon rreth urtësisë së krijimit të tij, e ky muaj i bekuar është rasti kur ne me pendimin tonë arrijmë mëshirën e Tij. Atë sy që loton për hatër të Zotit, dhe ajo zemër që ndien dhimbje për gjendjen e umetit të katandisur, atë trup nuk e djeg zjarri i Xhehenemit. Ajo zemër që në brendinë e saj e ka të paktën një ajet të Kuranit, atë trup nuk e djeg zjarri i Xhehenemit. Prandaj, ky nimet kaq i madh, kjo dhuratë kaq e madhe nga Zoti xh.sh., neve nuk duhet të na bëjë mendjemëdhenj, sepse mendjemadhësia është sifat i shejtanit, por duhet të na bëjë të thjeshtë, modestë, të dashur e të respektuar mes vetes. Ne në këtë muaj i hapim zemrat tona, mendjet tona dhe duart tona, që t’i ndihmojmë të varfrit, sepse agjërimi duhet të përcillet me punë dhe vepra të mira.”
Në fund të ligjëratës së tij kryeimami Bajgora ka porositur që çdo çast i këtij muaji të shfrytëzohet, se mëshira a Zotit dhe agjërimi ka shpërblim vetëm Xhenetin.
Më pas kryemami Bajgora u përgjigj në pyetjet që u parashtruan nga të pranishmit në sallë, që kryesisht kishin të bëjnë me muajin Ramazan.{gallery}shtimermzn16{/gallery}

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim veprimtarin Selatin Novosella

Prishtinë, më 4 nëntor 2024Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…