Prishtinë, 28 mars 2013
Më 28 mars në mënyrë solemne u bë përurimi solemn i xhamisë së fshatit Shajkoc (Podujevë). Në këtë solemnitet merrte pjesë Myftiu i Republikës së Kosovës mr Naim ef. Tërnava, kryeimami Sabri ef. Bajgora, drejtori për shtyp dhe veprimtari botuese Ahmed ef Sadriu, Ejup Ramadani, shefi i kabinetit të Myftiut, Ekrem ef. Simnica, drejtor për Diasporë, Rexhep Suma kryeredaktor i “Dituria Islame”, Agim ef. Gashi dhe Eshref Dragusha.
Poashtu këtë solemnitet e begatuan edhe përfaqësues të shoqatës bamirëse “Err-Rrahmeh”, nga Kuvajti njëherit edhe donator të realizimit të këtij projekti. Myftiu Tërnava duke marrur fjalën shprehu falënderimin për përfaqësuesit e shoqatës Err-Rrahme dhe në veçanti falënderoi motrën myslimane nga Kuvajti e cila ndau nga pasuria e saj për ngritjen e kësaj shtëpie të Allahut xh.sh.”Muhamedi a.s. kur bëri hixhret nuk ndërtoi së pari shtëpi për vete por ndërtoi shtëpinë e të gjithëve, ndërtoi shtëpinë e Allahut- xhaminë. Thotë Allahu në Kur’an“Vërtet ndërtojnë dhe rindërtojnë xhami vetëm ata të cilët E besojnë Allahun xh.sh., dhe Ditën e Gjykimit dhe nuk ia kanë frikën askujt tjetër .
Ua uroj këtë xhami kaq të bukur. Kjo xhami është e bukur vetëm atëherë kur ne jemi në të, pra kur është e mbushur me xhemat, e fëmijët tanë mësojnë këtu. Në Kosovë janë rrënuar 218 xhami nga okupatori serb. Duke falënderuar Allahun, juve xhematlinj por edhe miq tanë që na kanë ndihmuar kemi arritur ti ndërtojmë të gjitha. Poashtu kemi arritur që ti ndërtojmë edhe një numër të madh të xhamive anekënd Kosovës”, është shprehur Myftiu Tërnava duke nënvizuar se BIK ka kërkesa të vazhdueshme për ndërtimin e xhamive. “ Në zyrën time kam kërkesa të mëdha për ndërtimin e shumë xhamive. Në Kosovë tani kemi 800 xhami por Kosova ka nevojë të ngutshme t’i ngrit edhe 200 xhami. Ne duhet të shpejtojmë duhet të arrijmë hapin tonë në ndërtimin e xhamive që janë kërkesë e xhematlinjve tanë. Poashtu falënderoj popullin Kuvajtin dhe udhëheqjen kuvajtiane të cilët kanë ndërtuar një numër të madh të xhamive në Kosovë. Ka ndërtuar shkolla, spitale, çerdhe fëmijësh pra gjithçka që është e nevojshme dhe që ka pas mundësi. E lus Allahun xh.sh. që të gjithë ata që ndihmuan në ngritjen e kësaj xhamie Allahu t’i shpërblen në dynja dhe ahiret e një falënderim të veçantë i bëj donatores së këtij projekti,Ummu Jusuf (Kuvajt) dhe përfaqësuesit të saj, për këtë kontribut të çmueshëm. Lus Allahun ta gradoj me të mirat e Tij të kësaj dhe botës tjetër. Nga ana e tij kryetari i KBI të Podujevës Bekim ef Jashari falënderoi BIK për hapjen e kësaj xhamie duke falënderuar edhe donatorin nga Kuvajti që ndihmuan në ndërtimin e kësaj xhamie dhe njëherit ka theksuar nevojën dhe përkrahjen për ndërtimin e xhamive tjera. Përfaqësuesi shoqatës “Er-Rrahmeh” Halid Mul-la ndjehej i gëzuar për finalizimin e këtij projekti dhe njëherit falënderoi Bashkësinë Islame të Kosovës me të cilën ka pasur një kordinim shumë të frytshëm në këtë drejtim e në veçanti Myftiun Tërnava. i cili ka një rol shumë të rëndësishëm në ndërtimin e kësaj xhamie. Shpresoj që kjo xhami do të jetë vend ku do të ngritet emri i Allahut dhe vend ku rinia do të mësoj dhe edukohet në islam. Ai porositi xhematin e kësaj xhamie që ta zbukurojnë këtë xhami me pjesëmarrje sa më masovike në falje të kohëve të namazit. Ndërtimi i kësaj xhamie pati filluar më 25.04.2012.