Prishtinë, 07 shtator 2020
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i ka dërguar telegram kryetarit të Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Reis Rifat ef. Fejziç, duke i dhënë mbështetje dhe kurajo për situatën nëpër të cilën myslimanët e këtij vendi janë duke kaluar.
Në letrën e Myftiut Tërnava, ai ka shprehur solidaritet dhe mbështetjen e Bashkësisë Islame të Kosovës për të gjithë besimtarët e Malit të Zi pas sulmeve fizike e verbale ndaj besimtarëve dhe objekteve fetare islame.
Përmes këtij telegrami, Myftiu Tërnava, ka shprehur indinjatën e thellë, duke dënuar fuqishëm gjuhën e urrejtjes përmes grafiteve nëpër objekte fetare si dhe sulmet fizike ndaj besimtarëve islam.
Myftiu Tërnava, përmes këtij telegrami është shprehur optimist se Mali i Zi do të tregojë urtësi dhe vizion në tejkalimin e kësaj situate të rënduar, duke dëshmuar se është shtet i të gjithë qytetarëve pa dallime kombëtare e përkatësie fetare.