Prishtinë, 15 dhjetor 2021

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës organizoi Konferencën shkencore “Revista “Edukata Islame” -50 vjet mision në fjalën e shkruar shqipe ” kushtuar 50 vjetorit të daljes së kësaj reviste. Në këtë konferencë morën pjesë studiues e hulumtues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe më gjerë.

Mysafirëve mirëseardhje iu dëshiroi kryeimami Vedat ef. Sahiti, i cili në emër të Këshillit Organizativ të kësaj Konference përshëndeti të pranishmit dhe ndër të tjera tha: “Përveç që po organizohet për herë të parë, kjo Konferencë ka edhe një domethënie tjetër, ku këtu u jepet edhe mirënjohje të gjithë atyre që kanë kontribuar për këto 50 vjet për këtë revistë dhe jemi të bindur se nga kjo Konferencë do të dalin përfundime dhe rezultate të reja për revistën dhe periodikun e BIK-ut.”

Më pas kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef.Tërnava, mbajti fjalim përshëndetëse. Ai më pas e cilësoi historik themelimin e kësaj reviste. “Në vazhdën e këtyre vendimeve që mori asokohe udhëheqja e BIK-ut qe edhe vendimi për nxjerrjen e revistës “Edukata Islame” e cila që në embrion ishte dizajnuar si revistë fetare islame. Ishte fat i madh që në këtë kohë në krye të shoqatës ishte vizionari dhe pedagogu i shquar, haxhi Sherif Ahmeti, i cili jo vetëm që kishte vizion për revistën, por në atë kohë bëri projektin dhe mori përsipër drejtimin e revistës. Ai është edhe kryeredaktori dhe drejtuesi i parë i revistës “Edukata Islame”. Ai arriti t’i japë jetë, formë dhe fizionomi e tematikë. Me pak bashkëpunëtorë, por për të parën herë në gjuhën shqipe në Prishtinë del “Edukata Islame, themelimi i të cilës është akt historik. Ajo shpejt u bë shkruese e historisë në misionin e fjalës së shkruar islame dhe si e tillë me kalimin e kohës, sidomos në vitet e 70-ta dhe 80-ta, shndërrohet në tryezën e mendimit islam te ne dhe jo vetëm” u shpreh Tërnava, për të nënvizuar se ‘Edukata Islame” me plotë të drejtë mund të quhet vazhdimësi e periodikut islam në gjuhën shqipe që ishte botuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare |shqiptare dhe gjatë periudhës mes dy luftërave, siç janë revistat e njohura ‘Zani i Naltë” dhe “ Kultura Islame”, e të cilat paraqesin një trashëgimi të paçmuar të historisë tonë, por që fatkeqësisht ndaluan së botuari. Ai më pas shprehu mirënjohjen më të sinqertë dhe konsideratat më të thella për drejtuesit – kryeredaktorët, redaktorët dhe për të gjithë bashkëpunëtorët e revistës “Edukata islame”. Një mirënjohje të veçantë në këtë përvjetor, gjithsesi e meritojnë lexuesit tanë të nderuar nga të gjitha viset shqiptare dhe diaspora, të cilët, me interesimin dhe besnikërinë e tyre për revistën “Edukata islame”, ishin dhe vazhdojnë të jenë garancia më e fuqishme dhe motivi kryesor për punën dhe angazhimin tonë.

Këtë konferencë në emër të reisit të Malit të Zi e përshëndeti Omer Kajoshaj zv/ kryetari i BI-së së Malit të Zi, i cili uroi këtë përvjetor dhe tha se ne jemi rrit dhe formuar me këtë revistë që nga fëmijëria. “Revista “Edukata Islame” vazhdon të na mësojë, por ajo është sikur yjet e para që shfaqen në qiell e ndriçojnë më së shumti jo vetëm për të treguar rrugën bukurinë e tyre por për të treguar rrugën e udhëtarëve që udhëtojnë në tokë. “Edukata Islame” është ylli polar i ynë dhe është kënaqësi të flasësh për diçka që është me vjetër se ti dhe këtë amanet që e trashëguam nga të parët tanë me besnikëri tua lejmë gjeneratave të reja”- tha Kajoshaj.

Kryeredaktori i Edukatës Islame prof. Sabri Bajgora në referatin e tij me temë: “Edukata Islame – Tribunë e mendimit Islam” theksoi se ky vit, 2021, është vit i dy përvjetorëve mjaft të rëndësishëm për BIK-un. Fillimisht është ky i sotmi, pesëdhjetëvjetori i daljes në dritë të numrit të parë të revistën më jetëgjatë islame në trojet shqiptare – Edukatës Islame, revistë e cila akoma vazhdon të botohet sot e kësaj dite katër herë në vit, si dhe 70-vjetori i fillimit të punës së Medresesë “Alauddin” në Prishtinë.

“Edukata Islame si revista e parë islame në gjuhën shqipe që nga fillimi i ka dhënë një vend meritor aktiviteteve fetare në vend. Një rëndësi të veçantë këtu i është kushtuar aktiviteteve të Medresesë së Mesme “Alaudin”, ku thuajse në çdo numër, sidomos në ata të fillimit, gjejmë kronika e lajme që kanë të bëjnë me dhe për medresenë, për të diplomuarit dhe për rrugëtimet jetësore të nxënësve të saj, duke u bërë kështu edhe një kronikë e kohës. Edhe nga vetë emri i revistës Edukata Islame, shihet se kjo revistë mëtonte në radhë të parë edukimin e mirëfilltë fetar të popullatës, dhe ishte shkollë në vete për formësimin e elitës dhe ajkës intelektuale fetare tek ne dhe më gjerë.”-theksoi Bajgora.

Më pas nënvizoi se duke ditur se studiuesit në seancat e këtyre dy ditëve do të merren më detajisht me historikun, rritën dhe zhvillimin e revistës Edukata Islame, unë në emër të Redaksisë do të doja të falënderoj të gjithë juve që na nderuat me praninë tuaj në këtë përvjetor, e pastaj edhe të gjitha bashkëpunëtorët përgjatë këtyre 5 dekadave, që i dhanë krah rritës së kësaj reviste, dhe shumë prej tyre vazhdojnë të jenë akoma bashkëpunues të zellshëm e të palodhshëm.

Kryesia e BIK-ut ka marrë vendim që ish-kryeredaktorëve të deritanishëm t’u ndaj mirënjohje që drejtuan revistën në këto pesë dekada. Fillimisht mirënjohje post-mortum iu ndanë Sherif ef. Ahmetit, Hajrullah ef. Hoxhës, dhe profesorit Qemajl Morina. Me mirënjohje u nderua edhe ish-kryeredaktori Resul Rexhepi dhe kryeredaktori aktual Sabri ef. Bajgora. Në emër të ish kryeredaktorëve një fjalë rasti mbajti Resul Rexhepi, i cili veç tjerash tha se Edukata Islame ka qenë një fanar i cili ka ndriçuar në tunelin e pafund e pa dritë e paskajë dhe për nja 20 vjet ka qenë e vetmja revistë në gjuhën shqipe, pak më serioze, e cila e ka përcjell mesazhin dhe misionin islamë deri te lexuesi i nderuar dhe në fund u lut që gjeneratat e reja për Edukatën islame kur mos të ndalen së punuari me mundin më të madh që të mundemi sepse Edukata islame e meriton një gjë të tillë.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim ambasadorin e ShBA-ve, z. Jeffrey Hovenier

Prishtinë, më 10 dhjetor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tër…