Përfunduan garat e Kuranit në nivel të medreseve të Ballkanit Prishtinë, 22 prill 2018 Garat e Kuranit në nivel të medreseve të Ballkanit, të cilat u mbajtën nën patronazhin e kryetarit të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Myftiut Naim Tërnava, dhe të organizuara nga Medreseja e Mesme “Alauddin”, përfunduan sot. Gjatë këtyre ditëve në këto gara morën pjesë nxënës dhe nxënëse të medreseve të Ballkanit nga Kosova, Shqipëria, Turqia, Maqedoni, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria dhe Sanxhaku dhe patën rastin të shfaqin talentin dhe performancën e tyre në leximin-këndimin e Kuranit. Kjo është gara e parë që u organizua në nivel ballkanik dhe nga të gjithë pjesëmarrësit u falënderuam BIK-u, Myftiu Tërnava dhe medreseja si nikoqire për këtë organizim kaq madhështor. Në përmbyllje të kësaj gare mori fjalën Myftiu Tërnava i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë duke theksuar se ishte një garë e fortë dhe nuk ka asnjë humbës. Ai është shprehur i mahnitur me paraqitjen dhe leximin e këtyre nxënësve, të cilët janë argument i qartë se Islami në këto troje është i fortë dhe i qëndrueshëm dhe myslimanët kanë identitet me të cilin krenohen. Ai ka veçuar se kjo traditë do të vazhdohet edhe në vitet e tjera dhe ky është vetëm një hap i mbarë drejt afrimit dhe organizimit të përvjetshëm të garave kuranore në nivel të medreseve në Ballkan. Ai ka falënderuar drejtorin e Medresesë Jakup Çunaku dhe stafin e tij për këtë organizim shumë të mirë të garave kuranore. Ai ka falënderuar edhe për prezencën e mysafirit nga Arabia Saudite dr. Abdulaziz Muhamed Kasimi nga Organizata Botërore e Kuranit dhe Sunetit, përfaqësuesin e Dijanetit të Turqisë Omer Faruku. Më pas, drejtori i Medresesë “Alauddin” Jakup Çunaku në fjalën e tij përmbyllëse falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë duke i falënderuar edhe shkollat të cilat kanë dërguar nxënësit në këtë garë kuranore duke theksuar porosinë kuranore “bashkëpunoni në punë të mira dhe të mbara..” , edhe ky organizim i sivjetmë, që llogaritet i pari i këtij lloji – niveli në historinë e Medresesë “Alauddin”, është në vazhdën e bashkëpunimit të mirë e të ndërsjellë ndërmjet medreseve të mesme të Ballkanit. Ai ka falënderuar anëtarët e komisionit vlerësues, të cilët bën një punë shumë të mirë dhe kryen me përpikëri këtë përgjegjësi. Këto gara i nderoi me pjesëmarrje edhe imami nga Gjermania Xhelal Kaloshi, i cili gjatë këtyre ditëve performoi me këndim të Kuranit dhe të disa ilahive duke impresionuar të pranishmit. Me fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe dr. Abdulaziz Muhamed Kasimi nga Organizata Botërore e Kuranit dhe Sunetit, përfaqësuesi i Dijanetit nga Turqia Omer Faruku, Abdullah Al Muhibi nga Arabia Saudite, ishte kryetar i komisionit për vlerësimin e garave dhe i cili në fjalën e tij iu drejtua të pranishmëve duke shprehur falënderim për BIK-un, në krye me Myftiun Tërnava që bën një organizim kaq të mirë të këtyre garave kuranore. Ai po ashtu ka falënderuar edhe shkollat e rajonit, të cilat ofruan një shembull të shkëlqyeshëm se si duhet të kujdesemi për fjalën e Allahut. Garuesit i vlerësoi komisioni profesional me këtë përbërje: hfz. Safet Hoxha (Kosovë), hfz. Osman Egini (Turqi), Abdullah Al Muhibi (Arabi Saudite), hfz. Shafi Osmani (Maqedoni) dhe hfz. Irfan Maliqi (Novi Pazar). Fituesit e tri vendeve të para në nivelin e garës për lexim të lirë janë sipas kësaj radhitjeje : Muhamet Bilal Demirel (Stamboll), Uvejs Haxhi (Prishtinë) dhe Ismet Selimi (Maqedoni) Në garën për hifz në pesë xhuza fituesit janë: Yunus Emre Yanaz (Stamboll) Jasin Abdullai (Shkup) dhe Mustafa Dalku ( Kosovë) Në garën për tre xhuza fituan: Uvejs Haxhi (Prishtinë) Burim Amdiu ( Shkup) Alen Bala (Shkodër) Në garën për hifz të xhuzit të 30-të fituan: Enes Latifi (Prishtinë) Besar Latifoviç (Novi Pazar) Muhamed Musa Durlu (Bulgari) Kurse në kategorinë e vajzave në nivelin e garave për lexim të lirë, fituan: Aisha Mekiq (Noviz Pazar) Fatime Nitaj (Prishtinë) dhe Anisa Xhaferi (Shkodër) Në nivelin e garës në hifz për 5 xhuza, radhitja ishte kjo: Edina Baçevac (Novi Pazar) Hatixhe Kadriu (Prishtinë) Elvira Halimi (Shkup) Në kategorinë e garës për 3 xhuza fituan: Medina Bardhi (Shkodër) Maida Haliloviq (Novi Pazar) Blerina Gashi (Prishtinë). Ndërsa në nivelin e garës hifz në xhuzin e 30-të, u renditën kështu: 1. Aisha Mekiq (Novi Pazar) Arta Asllani (Prishtinë) dhe Selma Asani (Shkup) [srizonfbalbum id=1] Në fund iu dhanë mirënjohje dhe fletëfalënderime përfaqësuesve të medreseve pjesëmarrëse, anëtarëve të komisonit vlerësues, si dhe shpërblimet fituesve të këtyre garave. Krejt në fund, për pjesëmarrësit e kësaj gare u organizua të vizitojnë varrezat në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz dhe qytetin e Prizrenit.