Përfundoi mësim-besimi për fëmijët, i organizuar nga KBI-ja e Prishtinës

Prishtinë, 25 korrik 2019

Organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame i Prishtinës, në ambientet e medresesë së mesme “Alaudin” të Prishtinës, sot ka përfunduar kursi i mësim-besimit për fëmijët e kësaj komune. Në këtë eveniment mori pjesë drejtori i medresesë së mesme “Alauddin” të Prishtinës, mr. Jakup Çunaku, mësimdhënës, prindër, familjarë dhe shumë mysafirë të tjerë.

Kryeimami i Këshillit të Prishtinës, Burhanudin ef. Hashani, vlerësoi pozitivisht rrjedhën e këtij kursi intensiv të mësim-besimit duke shtuar se janë munduar të japin maksimumin. Gjatë këtij muaji jemi munduar të japim nektarin më të mirë të mësimeve dhe kulturës fetare islame, e cila do t’u shërbejë gjatë jetës së tyre,- tha ai dhe falënderoi kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim ef. Tërnava, kryesinë e BIRK-ut për mbështetjen e këtij evenimenti tashmë tradicional, si dhe falënderoi mësimdhënësit që janë angazhuar në maksimum për një muaj në këtë kurs intensiv. “Këtë kurs të sivjetmë e kemi filluar me moton “të gjithë së bashku drejt kënaqësisë së Allahut xh.sh.”, dhe me të vërtetë nuk na ka ndalur as vapa e korrikut që të punojmë dhe zhvillojmë këtë kurs fetar dhe kemi parë edhe vullnetin e madh që pushimet e tyre i kanë kaluar këtu duke mësuar. Falënderoj edhe prindërit që na i kanë besuar fëmijët e tyre që ne t’ua mësojmë edukim dhe kulturë fetare. Kjo është gjenerata më e suksesshme deri më tash. Në këtë kurs kanë marrë pjesë afërsisht 400 nxënës. Ai më pas theksoi se këtë nismë për mësim-besim e kanë ndërmarrë më 1999 në shkollën fillore “Emin Duraku”, ka pasur një interesim mjaft të madh të nxënësve, e më pas kanë vazhduar që nga viti 2000 në medresenë “Alauddin”.

“Mësimi këtu tashmë është bërë një traditë 20-vjeçare, për çka i falënderojmë prindërit për dërgimin e fëmijëve të tyre, duke na i lënë kështu në amanet për edukimin fetar. Vitin e kaluar kemi pasur një interesim mjaft të madh të fëmijëve, ka qenë numri përafërsisht 500 nxënës, ndërsa këtë vit numri është diku rreth 400. Lëndët që mësohen këtu janë të ndryshme, duke filluar nga Kurani, suret, duatë, jeta e Muhamedit a.s., fikhu, edukata fetare-qytetare, etj. Në emër të Këshillit të Prishtinës edhe një herë e falënderoj drejtorinë e Medresesë për ofrimin e mundësive që ne ta zhvillojmë këtë kurs, – tha kryeimami Hashani.

Drejtori i medresesë “Alaudin”, mr. Jakup ef. Çunaku tha se Medreseja edhe këtë verë, si gjithmonë, është në shërbim të arsimimit dhe të edukimit të gjeneratave të reja. “Kujtojmë vitet e 90-ta, kur Medreseja hapi dyert për organizimin e jetës politike dhe shkencore, por edhe tash është duke luajtur një rol të rëndësishëm për mësimin dhe edukimin e gjeneratave të reja. Medreseja ka ofruar objektin në shërbim të komunitetit, përkatësisht të Këshillit të Prishtinës, duke filluar që nga klasat, sallat e sportit, ofrimin e një ushqimi të lehtë nga kompani të ndryshme etj. E rëndësishme është që këta fëmijë sot e përfunduan këtë kurs fetare dhe po dalin më të edukuar, më të arsimuar dhe më afër rregullave shoqërore. Jam shumë krenar që sot kaq suksesshëm po pëfundon ky kurs i mësim-besimit fetar.” – tha drejtori Çunaku.

Imami Sami Fetahu është njëri nga mësimdhënësit e këtij kursi, ai tha:

“Këtë vit kemi pasur një interesim të madh për të mësuar dhe për të ndjekur këtë kurs. Ne, në lëndën e Kuranit, jemi munduar që nxënësve t’ua mësojmë suret e shkurta, apo 10 suret e fundit të Kuranit, e më pas kemi vazhduar me mësimin e shkronjave të Kuranit. Meqenëse niveli i nxënësve nuk është i njëjtë, ka prej tyre që tashmë suret i dinë, me ta kemi vazhduar me mësimin e shkronjave të Kuranit dhe me mësimin e disa rregullave të texhvidit.”

Ndër lëndët që u mësuan në këtë kurs ishte edhe lënda e edukatës fetare-qytetare, për të cilën mësuesja Agnesa Hasani tha se është një lëndë që po zgjon mjaft interesim te nxënësit. “…kjo lëndë në vete ngërthen mjaft tema të rëndësishme, siç është respekti ndaj prindërve, ndaj të moshuarve, ndaj të afërmve etj., pastaj sjellja në rrugë, në shkollë, në shoqëri, pra me një fjalë janë rregulla dhe norma që na nevojiten shumë neve si shoqëri. Nga praktika dhe mësimet e viteve të kaluara, vërehet që nxënësit që kanë vijuar edhe vitin e kaluar këtë kurs, tashmë këto rregulla janë duke i zbatuar dhe praktikuar.”- tha ajo.

Ensar Lutaj, një nga nxënësit e këtij kursi, tregoi se ndihet shumë i kënaqur që ishte pjesë e këtij kursi, për të cilin veçoi lëndën e edukatës fetare dhe mësimet që ai po i merr në këtë lëndë, siç është sjellja me familjarët, prindërit, shoqërinë, si dhe për respektin që duhet t’ua bëjmë këtyre shtresave.

Në fund, nxënësit kishin përgatitur një program kulturo-artistik dhe më pas organizatori dhe disa mirënjohje për nxënësit e dalluar të këtij kursi.

Ky mësim-besimi ka filluar më 4 korrik dhe përfundoi sot më 25 korrik. Ky kurs do të organizohet edhe në vitet e ardhshme.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e radhës

Prishtinë, 26 shtator 2020 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, ka mbajtur sot mbledhje…