Prishtinë, më 3 janar 2024
Në një ceremoni të organizuar nga banorët e fshatit, u vu gurëthemeli i xhamisë në fshatin Torinë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin: Myftiu i Kosovës, me bashkëpunëtorë, Kryetari i KBI-së Lipjan me bashkëpunëtorë, Kryetari i Komunës së Lipjanit me bashkëpunëtorë, banorë të fshatit dhe shumë pjesëmarrës të tjerë.
Myftiu Tërnava në fjalën e tij, pas urimeve, tha: “Xhamia është Institucion shumëdimensional dhe vend i bekuar, të cilin e do Allahu. Është vendi ku besimtarët kultivojnë nektarin e besimit, të cilin duhet ruajtur e duhet përcjell brez pas brezi.”
Kryetari i Komunës së Lipjanit, njëherësh banor i fshatit Torinë, Imri Ahmeti uroi bashkëfshatarët dhe falënderoi udhëheqësit e BIRK-ut për sigurimin e donacionit.
Kryetari i KBI-së Zaim ef. Baftiu, uroi banorët për fillimin e ndërtimit të xhamisë, duke falënderuar banorët për kontributin dhe angazhimin e tyre në ndërtimin e saj.
Ndërtimi i kësaj xhamie është donacion i besimtarëve shqiptarë nga Londra.