Prishtinë, 14 dhjetor 2018
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, nga Qabeja e bekuar ka bërë lutje dhe ka uruar transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt. Në urimin e tij thuhet:
“Në këtë ditë të bekuar të xhumasë, në vendin më të bekuar në tokë, nga Meka fisnike, e nën hijen e Qabesë, kibles së besimtarëve myslimanë, uroj qytetarët dhe Institucionet eKosovës, si dhe mbarë kombin tonë për formimin e ushtrisë së vendit tonë. Kjo ditë është e bekuar dhe e zgjedhur, teksa po bëjmë edhe hapin më të madh pas aktit të shpalljes së Pavarësisë, pra themelimin e Ushtrisë së Kosovës, e cila do të jetë gjithmonë forcë për ruajtjen e paqes dhe e cila nuk do të paraqes rrezik për asnjë popull dhe vend fqinj, por do të jetë vetëm siguri për të gjithë.
Nga Qabeja e bekuar, me duar të ngritura nga qielli, i drejtohemi Allahut të Gjithmëshirëshëm që ta bekojë e ta ruaj Ushtrinë e Kosovës. O Allah i Gjithëpushtetshëm, bashkoj zemrat e popullit tonë dhe zemrat e prijësve tanë në atë që Ti je i kënaqur, për hir të gjithë atyre dëshmorëve që dhanë jetën e tyre për këtë ditë të madhe.
Qofsh e bekuar përjetësisht, Ushtria e Kosovës!”
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava
Meke, 14.12.2018