Prishtinë, 15 maj 2020

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës,Myftiu Naim ef. Tërnava, pasditen e sotme ka pritur në takim Ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia,me të cilin ka diskutuar për gjendjen aktuale në Kosovë nga pandemia globale ‘Covid-19’ dhe për mundësinë e hapjes së xhamive në 10-netshin e fundit të Muajit të Ramazanit.
Myftiu Tërnava fillimisht ka falendëruar të gjithë besimtarët myslimanë për mirëkuptimin që kanë pasur gjatë gjithë kësaj kohe, duke respektuar, në rend të parë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, së bashku me ato të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, por në veçanti edhe vendimet e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.
Gjatë konferencës, Myfitu, Tërnava, theksoi se për Bashkësinë Islame të Kosovës ka qenë tejet e vështirë pezullimi i faljeve me xhemat i namazeve ditore dhe tubimeve tjera. Ai ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës, në ditët e fundit ka qenë mjaft aktive me kontakte të vazhdueshme që të paktën në 10 netëshin e fundit të muajit të Ramazanit të hapen xhamitë, por gjatë bisedës së sotme me ministrin në detyrë, Arben Vitinë, u bë e ditur se një veprim i tillë është me rrezikshmëri të lartë dhe kësisoj shëndeti i besimtarëve është primar dhe tejet i rëndësishëm.
Në anën tjetër, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka falendëruar besimtarët për respektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore dhe vendimet e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.
Fillimisht, ministri në detyrë, vlerësoi lartë kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në këtë kohë pandemie, por edhe bashkëpunimin e shkëlqyer me Ministrinë e Shëndetësisë. Z. Vitia njoftoi Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për takimin e djeshëm me Institutin Kombëtar të Shëndetiti Publik dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, ku është konstatuar se gjendja e rrezikut në vend nuk ka kaluar ende.
Ministri tha se planet e institucioneve shëndetësore janë prishur gjatë katër ditëve të fundit ku numri i rasteve të reja me ‘Covid – 19’ është rritur dhe si e tillë gjendja vazhdon të jetë e pasigurt. Po ashtu, ai u bëri thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë rekomandimet në maksimum në mënyrë që të mos ketë valë të re epidemiologjike.
Myftiu Tërnava dhe Ministri Vitia u dakorduan që të jenë në kontakt të vazhdushëm në lidhje me situatën e krijuar në vend nga pandemia, ndërsa së bashku u uruan agjërim të lehtë dhe të pranuar të gjithë besimtarëve.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…