Prishtinë, më 31 gusht 2023
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim një grup studentësh nga Turqia, të cilët udhëhiqeshin nga znj. Hacer Karagul. Kjo vizitë erdhi falë bashkëpunimit të mirë që ka Bashkësia Islame e Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë.
Myftiu Tërnava fillimisht iu dëshiroi mirëseardhje studentëve, e më pas i njohu ata për bashkëpunimin që ka Bashkësia Islame e Kosovës me Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë, kryesisht në fushën e trashëgimisë kulturore, humanitare e sociale, e tashmë së fundi edhe në shkëmbimin e studentëve në dy vendet tona. Myftiu Tërnava, ndër të tjera potencoi rëndësinë e vizitave në mënyrë që të vazhdohet edhe më tej miqësia dhe dashamirësia që kanë dy popujt ndërmjet vete.
Në emër të studentëve, znj. Hacer Karagul, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen, si dhe gjithë ekipin që janë angazhuar këto ditë për pritjen e studentëve. Ajo tha se energjia dhe pozitiviteti që kanë treguar studentët kosovarë gjatë vizitës së tyre në Turqi, ka bërë të mundshme që të vazhdohet edhe më tutje ky projekt i vizitave studimore të ndërsjella.
Në qershor të këtij viti, falë bashkëpunimit të mirë ndërmjet dy institucioneve, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë, një grup studentësh nga Kosova qëndruan për vizitë disa ditore në disa qytete të Turqisë.