Prishtinë, 26 maj 2019

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim nuncin e ri apostolik për Kosovë, Monsinjor Jean Marie, i cili shoqërohej nga ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji, me të cilët biseduan për një varg temash.

Fillimisht, Myftiu Tërnava iu dëshiroi mirëseardhje mysafirëve, e më pas i falënderoi ata për vizitën, duke kërkuar nga ta që të shtojnë kontributin e tyre për Kosovën, sidomos në fushën e njohjes së shtetit tonë nga ana e Vatikanit.

“Ne si shteti më i ri në Evropë, jemi shembulli më i mirë për bashkëjetesë në paqe dhe harmoni me komunitetet e tjera. Kombi shqiptar i takon tri besimeve të ndryshme, atij islam, katolik dhe ortodoks. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me Ipeshkvinë e Kosovës, dhe jemi duke dhënë kontribut të shtuar që të kemi raporte të mira dhe të jetojmë në paqe edhe me komunitetin ortodoks”, u shpreh Myftiu Tërnava.

Nga ana e tij, nunci Jean Marie, u shpreh se ndihet i nderuar që sot është për vizitë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke shprehur faktin se kjo është ndër vizitat e para që bën ai pas marrjes së kësaj detyre.

“Ndihem shumë i nderuar që jam sot në vizitë te ju. Populli juaj ka një imazh të caktuar në botë, dhe ne duke punuar së bashku mund të ndërtojmë një shoqëri, i cila do të jetë e ndërtuar në respekt dhe në vlera të larta të moralit. Ne duhet të bëhemi të gjithë së bashku për t’i ndihmuar shoqërisë për të mirën e përgjithshme.”

Gjatë bashkëbisedimit, Myftiu Tërnava dhe nunci Jean Marie, diskutuan edhe për një sërë problemesh me të cilat ballafaqohet populli i Kosovës, e sidomos rinia.

Në fund, nunci apostolik solli për Myftiun Tërnava dhe për besimtarët mysliman urimin për festën e Bajramit nga Papa Françesku në gjuhën arabe dhe atë angleze, si dhe shkëmbyen dhurata mes vete.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Prishtina ndriçohet për nder të muajit Ramazan

Prishtinë, më 2 mars 2025 Ashtu siç tanimë është bërë traditë, me rastin e fillimit të mua…