Myftiu Tërnava në Samitin e Evro –Azisë: NË KOHËN KUR JETOJMË, FEJA NË SHUMË VENDE KA MARRË FORMË DHE LIGJËRIM TJETËR
Sot në Stamboll ka hap punimet Samiti i IX i Këshillit të Lartë Islam të Evro-Azisë, forum ky që përbëhet nga shtetet e Evropës dhe Azisë, e që temë boshte ka: “Të bashkuar kundër politizimit dhe keqpërdorimit të fesë dhe perspektiva për të ardhmen”. Samiti po zhvillon punimet në Pallatin perandorak në Dollmabashqe. Në hapje të samitit qe i pranishëm edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, i cili përshëndeti pjesëmarrësit e samitit.
Në këtë samit është i pranishëm edhe Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili njëkohësish është edhe zëvendëskryetar i këtij forumi ndërkombëtarë (Këshilli i Lartë Islam i Evro-Azisë). Në seancën e hapjes të pranishmëve iu drejtua edhe Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili për rëndësinë që ka feja për shoqërinë tha: “Feja është rregullator i jetës së njeriut, pra është sistemi i vlerave, parimeve, mësimeve dhe detyrimeve tona karshi Krijuesit dhe krijesave të Tij, sistemi i përgjigjeve dhe zgjidhjeve të çështjeve ekzistenciale që shërojnë, shëndoshin, pastrojnë, fisnikërojnë dhe formësojnë së pari individin, pastaj familjen, komunitetin e shoqërinë në një nivel të lartë të moralit dhe civilizimit. Historia na ka mësuar se popujt pa qytetërim dhe zhvillim edhe mund të kenë mbijetuar, sado primitiv dhe anakronik të kenë qenë, por kurrë s’ka ndodhur që të mbijetojë një popull që kalon në mosbesim apo dhe kalon kufijtë e caktuara nga Zoti”. Ndërsa për keqpërdorimin, politizimin dhe polarizimin e fesë e mësimeve fetare Myftiu Tërnava, tha: “Në kohën kur jetojmë, feja në shumë vende, e posaçërisht në vendet myslimane ka marrë formë dhe ligjërim tjetër dhe shpesh duke qenë në funksion të interesave nga më të ndryshmet, duke u nis nga ato më meskine e deri tek interesat politike, ekonomike dhe jo rrallë herë edhe kriminale. Fatkeqësisht në vend që feja të na bashkoje si umet, të na edukoj e fisnikëroj që edhe të tjerët të na kenë model, ajo është vënë në funksion të interesave nga më të ndryshme, dhe është bërë ideologji mobilizuese për masat dhe agjendat nga më të ndryshmet, andaj sot në botën myslimane kemi një gjendje shumë të vështirë, për mos me thënë një katrahurë e vërtetë. Në këtë situatë të trazuar të botës islame, përveç shumë faktorëve rol në këtë fitne e fesad për shoqëritë myslimane, ka keqinterpretimi, keqkuptimi dhe keqpërdorimi i fesë, politizimi e sektarizmi i xhematëve, futja e fesë në agjenda ideologjike e sektare dhe tendencat fashiste të qeverive që thirren në islamin politik, ndërkohë qe islami është i pastër nga partitizimi, e aq më pak nga tendencat e rebelizmit, revolucionarizmit dhe krijimit të strukturave paralele dhe qarqeve okulte. Është e papranueshme që në emër të fesë apo qoftë edhe duke shfrytëzuar ndjenjat dhe ngarkesat fetare të synohet mbajtja e pushteteve apo rrëzimi i tyre në mënyra të dhunshme dhe jo-demokratike, dhe të shkatërrohen shtete e popujt të ndryshëm, ku vriten njerëz të pafajshëm më shumë se rebelët e të padrejtët, mbyten fëmijë, gra e pleq në emër të fesë, në emër të profetit, në emër të ulemave të mëdhenj të botës e fesë islame, ndërkohë që asnjëra nga këto s’ka dhe s’ka se si të ketë lidhje me shpirtin e islamit, ahlakun, vizionin dhe qasjen profetike”. Duke përfunduar fjalën e tij Myftiu Tërnava tha: “Edhe vendet tona janë prekur nga grupe, parti, shoqata e fondacione që kanë politizuar fenë për qëllime nga më të ndryshmet. Këto organizata sfidojnë institucionet përgjegjëse të fesë, sfidojnë institucionet e vendit, sfidojnë traditën pozitive dhe kështu krijojnë premisa për përplasje e dhunë në emër të fesë. Konferenca e sotme jam i bindur që do të hap shtigje të reja e do të vetëdijësojë në rend të parë shtetet për domosdoshmërinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së institucioneve fetare përgjegjëse dhe së dyti për ruajtjen e besimtarëve nga grupacionet e ndryshme që predikojnë në emër të fesë, por që nga ana tjetër edhe krijojnë struktura paralele të institucioneve zyrtare dhe ndjellin përçarje, histeri, huti e pështjellim te besimtarët. Bota sot ka nevojë më shumë se kurrë për Islamin e vërtetë, për frymën paqësuese, intelektuale, morale dhe solidarizuese që na u la amanet.” {gallery}euroasiasmt{/gallery}