Prishtinë, 14 shkurt 2011

Me rastin e shënimit të Mevludit
Shkruan: Mr. Naim Tërnava
(Myfti i Kosovës)

MUHAMEDI A.S. SHEMBËLLTYRË PËR NJERËZIMIN

Vëllezër e motra besimtarë!
Në këtë natë kaq madhështore e shumë domethënëse e dobiprurëse për mbar njerëzimin, a në veçanti Botën Islame, natën kur u lind Muhamed Mustafaja, le ta madhërojmë Allahun dhe të kërkojmë bekimet e Tij, le t’i dërgojmë përshëndetje Pejgamberit  fisnik, vlerësimet dhe nderimet tona më të larta janë për Allahun dhe nënshtrimi ynë është vetëm ndaj Tij. Të gjitha lavdërimet tona janë për Allahun, favoret e të Cilit janë shkaku i vetëm i të gjitha arritjeve dhe veprave të mira, bekimet qofshin për krijesën e Tij më të lartë.

Jemi tubuar sonte në këtë manifestim me rastin e ditëlindjes së njeriut më të dashur e më të respektuar që krijoi Allahu xh.sh. Muhamed Mustafan. i cili zgjati dorën e mëshirës dhe shpëtoi njerëzimin nga humbja e shkatërrimi.
Të rikujtojmë momentin e ardhjes në këtë botë të Muhamed Mustafasë, gëzimin e nënës Emine, gëzimin e gjyshit Abdul Mutalib ngase babai Muhamedit a.s.i kishte vdekur ende pa u lindur ai. Gëzimin e engjëjve në qiej, ndodhi të shumta të cilat ndodhën në fëmijërinë e tij, jetën e tij deri në shpallje e përcjellur me edukatë e mirësjellje që ishte shembull për të gjithë Mekasit.
Për të kujtuar momentet e vetmisë në shpellën  Hira, për të rikujtuar momentin e fillimit të shpalljes së Kuranit, takimin e parë me Xhibrilin, zbritjen e parë  të ajetit “LEXO”. Për të rikujtuar misionin e tij të shpalljes, zbritjen e Kuranit, mënyrën e thirrjes për besim në Zotin Një, largimin prej besimit në shumë Zota, vështirësitë e shumta  me të cilat u ballafaqua Muhamedi a.s dhe shokët e tij gjatë komunikimit të shpalljes, presionin, maltretimet, shkatërrimet e shumta nga ana e atyre që luftonin Muhamedin a.s.
Për të rikujtuar atë se Muhamedi a.s. brenda një kohe relativisht të shkurtër bëri revolucionin e pa parë  shpirtëror në historinë e njerëzimit, për të rikujtuar Isran dhe Miraxhin, Hixhretin nga Meka në Medinë, luftën e Bedrit, atë të Uhudit e shumë tjera, për të rikujtuar çlirimin e Mekës, Haxhin lamtumirës, pastrimin e Qabesë prej idhujve të shumtë që ishin për rreth saj, për të rikujtuar porositë e Zotit dhe Muhamedit a.s. drejtuar njerëzimit mbarë.
Për të rikujtuar lutjet e Ibrahimit dhe Ismailit pas rindërtimit të Qabesë, dhe paralajmërimin e Isait a.s. në inxhil për ardhjen e Muhamedit a.s.
Dhe kur Isai i biri i Merjemes tha: O beni Israilë, unë jam i dërguari i Allahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed…”(Es-Saf-6)
Për të rikujtuar dashurinë e pa fund të Muhamedit a.s. ndaj Allahut xh.sh, kryerjen e detyrave me përpikëri të cilat dalin nga Kur,ani.
Të nderuar vëllezër e motra!
Jemi tubuar sonte këtu për të rikujtuar gjendjen e pa shpresë në të cilën jetonte njerëzimi para ardhjes së Muhamedit a.s. Kur nuk respektohej asnjë normë njerëzore, askund në horizont, kur nuk shihej ndonjë forcë shprese që të mund ta shmangte shembjen nën gërmadhat e shkatërrimit,  të zhytur në thellësinë e injorancës dhe në gjendje të mjeruar. Ata ishin të shkëputur nga djepi i kulturës dhe civilizimit të asaj kohe.
 Kur çdo gjë kishte mbetur në mëshirën e të fortit-fuqishmit, kur njeriu kishte humb tërë shpresën për një ardhmëri  sa më të mirë, kur qielli qante e toka gjymtonte nga veprat e liga e të mjera që bënin njerëzit në këtë botë, i Madhi Zot e dërgoi shpresën e njerëzimit, shpëtimtarin e botës mbarë Muhamed Mustafanë.
Dhe ne nuk të kemi dërguar ty ( o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.”(Enbija-107)
Për të rikujtuar momentet e fundit të jetës së tij, urdhëratë, porositë, obligimet dhe besimin se të gjithë do të shijojmë vdekjen dhe do të dalim para Zotit për të dhënë llogarinë përfundimtare.
Ndaj me të drejtë sonte festojmë ne, feston bota mbarë, për lindjen e Pejgamberit tanë Muhamedit a.s. Me të drejt festojmë ngase  kjo  konsiderohet festa e të gjithë njerëzimit,  dita kur  Allahu na nderoi duke dërguar Muhamedin a.s. në mesin tonë. Me fjalë të tjera, është dita kur Zoti, dritën që e krijoi në cilësinë e një dielli, e zbriti si një kandil në qiellin e njerëzimit. Po, në saje të asaj drite, të gjitha errësirat e injorancës u grisën dhe gjithësia u përfshi nga ndriçimi. Dhe kjo është ndihma më e madhe dhe favori më i madh i Zotit për xhinët e për njerëzit.
Me të drejt festojmë ditëlindjen e Muhamed Mustafasë, me të drejt e rikujtojmë atë edhe me leximin e Kuranit, ligjërata të ndryshme, ilahi e kaside, këndojmë Mevlud në shenjë respekti ndaj Muhamedit a.s. dhe kështu do të vazhdoj deri në Kiamet.
Ne e kemi një traditë të shkëlqyer për ta rikujtuar Muhamedin a.s. nga ajo më e thjeshta kur ne ishim të vegjël e nënat tona përgatisnin ëmbëlsira,   dhe kur i pyesnim ato, Pse sonte keni  përgatitur ëmbëlsira? Na  përgjigjeshin: Është Nata e Mevludi, Nata kur Allahu e fali Muhamedin a.s. Pejgamberin e fundit.
Andaj me të drejt nëpër shumë familjet myslimane festojnë ditëlindjen e më të dashurit të Allahut xh.xh dërguar njerëzimit. Në shumicën e xhamive mbahen ligjërata e këndohet Mevlud kushtuar ditëlindjes së Muhamedit a.s. por kjo vazhdon edhe më gjatë tërë muajin siç e quajmë ne Muaji i Mevludit, por edhe gjatë gjithë kohës.
E rikujtojmë Muhamedin as kur ai kthehet pas zbritjes së ajetit të parë, paksa i tronditur në shtëpinë e tij, dhe mbulohet për të pushuar, derisa Allahu xh.sh.  i flet atij drejtpërdrejtë kështu:
O ti i mbuluar! Ngrihu dhe paralajmëro! Dhe lartësoje Zotin tënd!”(Kurani, Mudeththir:1-3).
Dhe: “ O ti i mbuluar! Përdore për adhurim gjysmën e natës ose më pak ose më shumë dhe këndoje me kujdes Kur’anin fjalë për fjalë”(Muzemil:1-4)
Sikur kërkon t’i thotë kështu me këto fjalë:
 “Nuk është më koha për t’u mbuluar e për të fjetur, ngrihu e vrapo në ndihmë të atyre që kanë mbetur në errësirë! Paralajmëro turmat e hutuara e të çoroditura për fundin e rrugës së shtrembër dhe rezultatet rrëqethëse të perversitetit! Dhe thirr me zë të lartë, me sa fuqi të kesh, sa  të humboj qiej e tokë, për Madhështinë e Zotit tënd!  Të gjëmojnë qiej  dhe nën thirrjet e tua që të dëgjojnë edhe një herë tjetër njerëzit”.
Islami,  feja e vetme e Allahut  shtrihet thellë, tek Ademi, njeriu dhe pejgamberi i  parë mbi tokë. Të gjithë  të dërguarit pas tij, si Nuhi, Ibrahimi, Ismaili, Is-haku, Jusufi, Musai, Sulejmani , Isai e të tjerë predikuan të njëjtën fe monoteiste-ISLAMIN- dhe i ftuan njerëzit tek Zoti-ALLAHU.
Periudha para  shpalljes së fundit  në gadishullin Arabik njihet me emrin “Asrul Xhahilij” ose “Koha e Injorancës” për shkak të kaosit politik, fetarë dhe shoqëror që mbizotëronte atje, para Muhamedit a.s.  
Më 12 Rebijul Evel-prill të vitit 571 Zonja  Emine lindi atë që do të bëhej personaliteti më i nderuar i të gjithë njerëzimit, dhe I gjithë historisë njerëzore  Muhamedin a.s.    
Sipas zakonit të arabëve, me qëllim që fëmija të mësonte gjuhën e pastër arabe, si dhe për tu rritur në mjedisin e shëndetshëm të fshatit, atë ia dhanë nën kujdes zonjës Halime, e cila në ato ditë po kërkonte një rast të tillë . Gjithë sejtë Muhamedi a.s.  kaloi gjashtë vjet në rrethin familjarë të Benu Sadit, periudhë gjatë së cilës ai do të zhvillonte aftësinë e të folurit të arabishtes më të pastër.
 “Me të vërtetë që unë jam ai që e flas arabishten më mirë se ju të gjithë, prejardhjen e kam nga Kurejshi dhe flas gjuhën e Benu Sadit.” Muhamedi a.s. ruante nderimin dhe respektin më të lartë për nënën e tij të gjirit, zonjën Halime (r.a.), dhe nuk ngurronte kurrë ta shprehte këtë, sa herë që paraqitej rasti, sikurse ndodhi kur ajo i shkoi për vizitë, pas martesës së tij me zonjën Hatixhe(r.a.).  
Historia përmend një numër ngjarjesh të mrekullueshme gjatë kohës së qëndrimit të tij nën kujdesin e zonjës Halime. Mrekullia e “Hapjes së gjoksit”   ajo ndodhi kur ai ishte rreth katër vjeç. Një ditë ndërsa po luante, dy engjëj me veshje të bardhë si bora, zbritën nga qielli dhe ia hapën gjoksin e shenjtë.   I pastruan zemrën dhe pjesën e brendshme të gjoksit me “ujin si bora” që e kishin sjellë me vete, nga qielli, në një enë të artë. Tregohet gjithashtu se ata ia vendosën edhe “Vulën” e profetëve ndërmjet shpatullave dhe, pastaj ata u larguan në drejtimin prej nga erdhën.
Hatixheja ishte një e vejë nga radhët e familjeve fisnike  vendase, dyzet vjeçare, dhe kishte qenë e martuar dy herë. Shumë njerëz nga paria e kurejshëve i kishin kërkuar dorën për martesë, por ajo s’kishte pranuar asnjë prej këtyre ofertave. Karakteri fisnik i Hazreti Muhamedit a.s. kishte bërë përshtypje të thellë të Hatixhja (r.a) kështu që ajo vendosi të martohej me të. Tre muaj pas udhëtimit të suksesshëm në Siri për tregti të Muhamedit a.s. Hatixheja (r.a.) i dërgoi fjalë, duke i shprehur dëshirën e saj për tu martuar me të. Në atë kohë Muhamedi a.s. ishte njëzetë e pesë vjeç. Pasi u këshillua më xhaxhain e vet, me gjithë ndryshimin e madh në moshë, ai e pranoi propozimin.  
Me kalimin e kohës Muhamedi a.s. sa vinte dhe po e humbiste interesin ndaj punëve të përditshme  të tij. Te një Kodër, pranë Mekës, ndodhej një shpellë, Hira, që e njihnin të gjithë. Ai kishte filluar të   shkonte te ajo shpellë, gjithnjë e më shpesh, të qëndronte aty gjatë, i zhytur thellë në mendime,kalonte dit të tëra.   Në atë kohë, në atë shpellë   ai thellohej  në mendime për Krijuesin,dhe me angazhimin e mendjes të gjejë përgjigje rreth mistereve të jetës. Ai merrte sadopak ushqim  me vete dhe kthehej në shtëpi vetëm kur e mbaronte atë.
Ai ishte i prekur thellë nga morali i ulët i njerëzve si edhe nga adhurimi ndaj idhujve, e sjelljes së tyre çnjerëzore. Tani më, Muhamedi a.s. po i afrohej të dyzetave dhe mendja e tij vazhdonte të merrej gjithnjë e më seriozisht me analiza e refleksione të thella. Idhujtaria dhe shthurja morale e njerëzve ushtronin një presion të madh ndaj tij, ai ishte në kërkim të rrugës së drejtë, sikur na e zbulon me vonë Kur’ani i shenjtë:
 “Dhe të gjeti të pa udhëzuar(në islam ) e Ai të udhëzoi”(Ed-Duha-7).
Një ditë, në muajin e Ramazanit të vitit 610 ditën e hënë, më 17 të muajit Ramazan,   Kur ai po qëndronte te ajo shpellë, i zhytur thellë në mendime, si zakonisht, papritmas vuri re, pamjen madhështore të Engjëllit Xhibril, i cili e urdhëroi të lexonte.  I tha se nuk mund të lexonte. Engjëlli Xhibril e përfshiu me krahët e tij dhe e urdhëroi për herë të dytë të lexonte dhe Muhamedi a.s. i ktheu të njëjtën përgjigje, pra, që nuk dinte, dhe skish si të lexonte. Atëherë, Engjëlli Xhibril si e përqafoi pak më fort me krahët e tij, e i tha:
 “Lexo me emrin e Zotit tënd, I Cili Krijoi( gjithçka), krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt, është Bujari më I madh, I Cili , me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.”(Alak 1-5)
Ai u kthye në shtëpi shumë i tronditur dhe i kërkoi të shoqes që ta mbulonte. Dhe, ky është rasti kur iu zbulua shpallja e mëposhtme, pas së cilës shpallja-zbulesa filloi rregullisht, pa ndërprerje të gjata:
“O ti i mbështjellë (o Muhamed)! Qohu dhe paralajmëro! Zotin tënd madhëroje! Petkat e tua pastroji! Dhe largohu nga ndyrësia(adhurimi i idhujve)”.(Mudethir 1-5.)
 Pejgamberi i Islamit iu përgjigj Thirrjes Hyjnore me guxim e vendosmëri të plotë , u ngrit t’u shpallë njerëzve Porositë e Allahut, t’i largoj ata nga rruga e gabuar dhe jeta e shthurur. Në këtë mënyrë, detyra më e vështirë për një njeri, puna më e nderuar, përgjegjësia më dinjitoze dhe, në të njëjtën kohë, më e vështira, ajo e thirrjes së njerëzve për tek Allahu, në rrugën e drejtë, në rrugën e shpëtimit, kishte filluar, pasi Allahu e kishte përgatitur të Dërguarin e Tij për dyzet vjet pa e ditur këtë Muhamedi a.s. Shpallja filloi pasi të gjithë njerëzit njihnin tek ai burrin më të madh e fisnik për nga vlerat morale dhe karakterin e tij.
“Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.”(En-Nexhmu-3-4).
Muhamedi a.s. në predikimin e fjalës së Zotit xh.sh hasi në vështirësi të shumta nga ana e idhujtarëve të Mekës,ata nuk lanë mënyrë  të torturave pa përdorur kundër Muhamedit a.s.,shokëve të  tij.
Ishte diçka e pa besueshme për parin Mekase që ata të largohen nga idhuj adhurimet e shumta e të besojnë vetëm një Zot I Cili krijoi çdo gjë,krijoi gjithësinë pa qen fare,por edhe krijesën më të përsosur njeriun të cilit ia besoi mëkëmbësin mbi sipërfaqen e tokës.
Thirrja e Muhamedit a.s. për barazinë mes njerëzve,të drejtat e tyre të barabarta dhënia e të drejtave femrave edhe më rrisnin zemërimin e tyre kundër Muhamedit a.s.
Pas maltretimeve e torturave të shumta ranë edhe shehidet e parë, Meka filloi të gjakoset me gjakun e pastër të atyre që thonin se ”Allahu  është një dhe Muhamedi a.s i dërguari i Tij”.
Myslimanët në numër ishin pakë,por kishin një besim të palëkundur dhe gatishmërinë e vazhdueshme për tu flijuar në rrugën e Zotit,ata i mbijetuan të gjitha, gjithherë me frikën më të madhe se mos Muhamed Mustafan, më të dashurit të Allahut po i ndodhë ndonjë e keqe,ndaj ata ishin mburoja e pa kapërcyer e Muhamedit a.s. dhe kështu triumfuan.
Të nderuar vëllezër e motra!
Si mos të kujtojmë  bashkë me Muhamedin a.s. edhe Ebi Bekrin, Omerin, Othmanin, Aliun, Hamzain, Amarin, Jasirin e tjerë, si mos ti rikujtojmë e shpirtin tonë ta mbushim me energji  e motivim për punë edhe më të mëdha në rrugën e të madhit Zot xh.sh.
Si mos ta kujtojmë Isran e Miraxhin, që  ka ndodhur 18 muaj para Hixhrit.   Xhibrili e njoftoi Muhamedin a.s. për urdhrin e Allahut për Isran dhe Miraxhin,udhtimin e tij nga Mesxhidul Haram në drejtim të  Jerusalemit dhe prej aty, përmes shtatë qiejve, te “Froni i Lartë”, ku iu obligua namazi nga ana e të  Plotfuqishmit. Gjithë kjo ndodhi brenda një periudhe kohore të shkurtër.
Allahu xh .sh thotë:
“Pa të meta është Lartë madhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukkades), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtetë, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), pamës (i punëve të Muhamedit)”.(Isra-1).
Si të mos e kujtojmë Hixhretin, ku muslimanët nga torturat e shumta u detyruan të shpërngulen në drejtim të, Etiopisë së sotme e më vonë në drejtim të Medinës, për të shpëtuar nga ato persekutime  e tortura çnjerëzore dhe për të përhapur islamin edhe në Medinë e gjithandej.
Popullsia e Jethribit kishte dëgjuar, tanimë, për largimin e pejgamberit a.s. nga Meka dhe po prisnin me ankth mbërritjen e tij. Çdo ditë, ata dilnin jashtë qytetit për t’i uruar mirëseardhjen. Më në fund, i dërguari i Allahut Muhamed a.s. arriti në Medinë në vendin e quajtur Kuba. Në Kuba Muhamedi a.s.  hodhi themelet e xhamisë së parë të Islamit, e cila njihet me emrin “ Xhamia e Kubas
 Pas ndërtimit të xhamisë Muhamedi a.s.i dha rëndësi të madhe vëllazërimit në mesin e myslimanëve.
“Ata të cilët besuan, ata që u shpërngulën dhe luftuan në rrugën e Allahut,ata meritojnë të shpresojnë në mëshirën e Tij.Allahu falë shumë dhe është Mëshirues”.  (El-Bekare-218).
Si të mos rikujtohet lufta e Bedrit për të cilën Muhamedi a.s. u  lut gjatë gjithë natës, me lotët që i rridhnin dhe me fjalë që i përsëriste:
“O Allah, po lejove sot që të shuhet ky grusht besimtarësh, askush nuk do të mbes në tokë që të  adhuroj Ty.”
Allahu iu përgjigj lutjes dhe e dha lajmin e mirë të fitores,  Allahu I ndihmoi besimtarët dhe ata dolën fitimtar edhe pse në numër ishin shumë më pakë Allahu në kur,an thotë:
“Allahu  u ndihmoi juve në Beder kur ju ishit pak në numër,e për të qenë mirënjohës,keni frikë nga Zoti”(Ali-Imran-123)
Si të mos rikujtohet çlirimi i Mekës dhe pastrimi i Qabesë prej idhujve. Pra ndodhi e ngjarje të cilat thellë trokasin në ndërgjegjen e myslimanit që këto dhe shumë të tjera të mos harrohen dhe ato të përcillen te brezi i ri.
 Gadishulli Arabik, historia e së cilës ishte e panjohur deri atëherë për botën e civilizuar, përnjëherë u ngrit në majë më të larta,personaliteti i shkëlqyer i Muhamedit a.s. ndriçoi vendin me dritën e lavdishme të Islamit, e cila reflektonte  në vazhdimësi  dritën e së vërtetës.
 Nga ana politike, ai siguroi të drejta të barabarta për të gjithë. Duke iu bërë të ditur se njerëzit kanë të njëjtin zë me vendimet për politikat e qeverisjes. Kjo mund të kuptohet duke studiuar thellë e në mënyrë analitike konsultat e ndryshme  të kushtetutës së Medinës,si e para mbi sipërfaqen e tokës, e hartuar e  organizuar nga Pejgamberi i fundit i  Islamit. Në të vërtetë, ai skicoi një kod sistematik, duke siguruar paqen e lulëzimin e vendit.
 “Ne të dërguam ty Pejgamber për mbar botën. Mjafton që Allahu është dëshmues për këtë”(En-Nisa. 79)

 Dijetarët islam duke komentuar këtë thonin: “Jo vetëm shekulli ynë, port ë gjithë shekujt që kanë kaluar para nesh, dhe ata që do të vijnë pas nesh, deri në Ditën e Gjykimit, hynë në mbretërimin  e profetësisë së Muhamedit a.s. përkatësisht për mesazhin dhe misionin e tij. Ai i çliroi njerëzit nga zgjedha e rëndë që  i mbante të kërrusur me shekuj , duke ngulitur tek ata mirësi e dhunti të tilla, që i bënë të lindë një jetë e re, zell e përpjekje të reja, vrull e hov i ri, koncepte të reja të nderit e të dinjitetit dhe një ideal i ri. Përmes kësaj energjie që çliroi ai te njerëz e popuj të tërë, doli në dritë një shekull i ri, ku lulëzuan kultura e civilizimi, artet e dijet shkencore, duke e ngritur jetën shpirtërore në sferat më të larta.”
Ndaj edhe njeriu  deklarohet si krijesa më e mirë. Thuhet në Kur’an:
 “Në të vërtetë, ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira e të lejuara,I vlerësuam ata ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam”.( 70).
Jeta e të dërguarit të Allahut xh.sh është e mbushur plot me ngjarje, nderim të pa imagjinueshëm, të tilla që si patën rënë hise asnjërit prej pejgamberëve të mëparshëm. Vetëm Muhamedit a.s. iu është drejtuar Allahu me “I dashuri im”!mes pejgamberëve vetëm Muhamedit a.s i takoi Israja dhe Miraxhi.
 “Po kështu (Për të plotësuar mirësinë Time ndaj jush) ju kam sjellë një të Dërguar, nga mesi juaj, i cili ju lexon shpalljet Tona ,ju pastron (nga gjynahet), ju mëson librin (Kuranin) e urtësinë(rregullat e fesë) dhe ju mëson ato gjëra që nuk I keni ditur”.(El-Bekare-151).

Vëllezër e motra besimtarë!
Koha plaket e thinjet, e me të edhe disa mendime vjetrohen e humbasin si vlerë, kurse Muhamedi a.s. në zemrat e besimtarëve, si një lule që qel nga pak e më shumë çdo ditë, ripërtërihet e bëhet çdo ditë edhe më i freskët.
Muhamedi a.s. ishte njeriu i paqes i qetësisë, dhe mesazhi i tij qe një burim paqeje e qetësie dhe historia është dëshmitarja më e madhe e kësaj. për ta kuptuar këtë mesazh të Muhamed Mustafasë duhet që në vazhdimësi të punojmë që njerëzve tua bëjmë të njohur, dritën që solli Muhamedi a.s. dhe  shembylltyren e tij. Pejgamberët iu ofrohen njerëzve me urtësi dhe këshillë të mirë, këtë e vërteton edhe Kur’ani:
 “Ti thirr në rrugën e Zotit tendë me urtësi e këshillë….”En-Nahl-125
Ligjet dhe urdhëresat e fesë ndryshonin nga koha në kohë deri sa erdhi i Dërguari i fundit, vula e profetëve, zotëria ynë, Muhamedi a.s. të cilit iu shpall forma më e përkryer  e Islamit, e mishëruar në Kur’anin e shenjtë:
“ …Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë time ndaj jush dhe zgjodha Islamin të jetë feja juaj…” (Maide 3).
Dhe kjo porosi do të vazhdoi mbi sipërfaqen e tokës deri në kiamet.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim ambasadorin e ShBA-ve, z. Jeffrey Hovenier

Prishtinë, më 10 dhjetor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tër…