27.04.2014, Meje
E njohur edhe në opinionin ndërkombëtar si një tragjedi e tmerrshme me paramendim mbi popullatën e pafajshme shqiptare, masakra e Mejës, paraqet një nga pjesë më të errëta dhe më të dhimbshme të historisë sonë kombëtare, kur forcat paramilitare, ushtarake dhe policore serbe në mënyrën më çnjerëzore vranë dhe masakruan 376 shqiptarë, nga mosha 15 deri 60 vjeç. Krimet e tyre u munduan t’i fshehin duke i zhdukur kufomat e tyre dhe duke i varrosur në varreza masive në Serbi.

E tëra kjo, ndodhi me 27 prill të vitit 1999. Që nga ajo ditë akoma nuk janë kthyer të gjitha eshtrat e atyre që u vranë, që të prehen në dheun e tyre për të cilin dhanë jetën dhe derdhën gjakun. Në nderim dhe përkujtim të të gjithë atyre që tash e sa vjet na mungojnë, për çdo vit në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës organizohet Tubimi Qendror, nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ku edhe Bashkësia Islame ka luajtur rolin e saj, duke i qëndruar për çdo moment afër familjarëve të të rënëve dhe të afërmve të tyre.
27 prilli 2014 shënon 15 vjetorin e masakrës së Mejës, e ngjashme me atë të Srebrenicës në Bosnjë. Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, edhe sot qëndron pranë varrezave të martirëve dhe familjarëve të tyre. Në fjalën e Tij me të cilën iu drejtohet masës së madhe të popullit të tubuar në këtë ditë, thotë:”Ju familjarë të këtyre dëshmorëve, të cilët meritojnë respect, nder, dhe janë krenaria e kombit tonë. Më lejoni që në emër të BIK, edhe njëherë të ndajmë dhembjen me të gjithë familjarët, duke e lutur Zotin xh.sh., që t’i shpërblejë me të mirat e Tij, familjarët me këtë jetë. Sigurisht që për të rënërt e kësaj dite, Zoti xh.sh. në revelatën e fundit thotë:”dhe asesi mos i konsideroni të vdekur ata të cilët kanë ra dëshmorë në rrugën e Zotit. Jo, ata janë të gjallë, por gjallërinë e tyre ju nuk e kuptoni, furnizohen nga të mirat e të madhit Zot”. Dhe sigurisht sikur t’i pyesnim këta martirë, a do dëshironit të ktheheshit të vazhdonit jetën në këtë botë, përgjigja do të kishte qenë JO. Sepse atje nuk i kanë brengat e kësaj jete, këta e kanë fituar amshueshmërinë dhe mëshirën e të madhit Zot, por do të pranonin të ktheheshin vetëm me një kusht, që atyre t’iu mundësohet që përsëri të bijnë dëshmorë për këtë tokë, për këtë dhe, për këta vëllëzër e motra, që të jetojnë në liri. Ndaj, të gjithë ne, bashkarisht të kutemi tek Krijuesi i këtij universi që mëshira e Tij të jetë në vazhdimësi mbi kombin shqiptar, brenda trojeve tona etnike gjithëshqiptare, kudo që  gjendemi dhe frymojmë në këtë nënqiell”.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U mbajt ligjëratë kushtuar dijetarit, prijësit dhe udhërrëfyesit Vehbi ef. Dibra nga Besnik Mustafaj

Prishtinë, më 25 prill 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka organizuar sot ligjë…