Prishtinë, më 23 dhjetor 2024

Me një ceremoni solemne, është shënuar sot 30-vjetori i themelimit të paraleles së Medresesë “Alauddin” në Gjilan, një institucion ky i dëshmuar në arsimimin dhe edukimin fetar të gjeneratave të këtij rajoni.

Në jubileun e 30-të të themelimit, Medreseja “Alauddin” u vlerësua lart për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj ndër vite.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, me bashkëpunëtorë, drejtuesit e Medresesë amë në Prishtinë dhe ata të paraleles së Prizrenit, ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, kryetari i Gjilanit, z. Alban Hyseni, udhëheqësit e Këshillave të BI-së së Gjilanit dhe të rajonit, si dhe nxënësit e kësaj Medreseje.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, tha se emri i Medresesë bashkëjeton në zemrën e çdo besimtari për shkak të rolit që ka luajtur ajo ndër vite.

Ndërkaq, drejtori i Medresesë, z. Fadil Hasani, tha se themelimi i paraleles së Medresesë është një prej momenteve më të rëndësishme për Gjilanin dhe rajonin.

Edhe ministrja Nagavci dhe kryetari Hyseni, çmuan lart edukimin që ofron Medreseja për nxënësit, si në aspektin arsimor, njashtu edhe në atë fetar dhe kombëtar.

Në fund, koordinatorja e Medresesë, paralelja në Gjilan, znj. Merita Boroci, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, duke potencuar se ne si gjenerata të reja, do të mundohemi ta vazhdojmë rrugën e hoxhallarëve të vjetër, të cilët kontribuuan që kjo Medrese të arrij suksese edhe të mëtutjeshme.

Programi u vazhdua me disa pika artistike të përgatitura nga nxënësit e Medresesë, si dhe me shpërndarjen e disa mirënjohjeve për ata që kanë kontribuar për këtë Medrese. Në fund, për të pranishmit u dha edhe një dokumentar kushtuar historikut të Medresesë, paralelja në Gjilan.

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

U inaugurua projekti “Përkujdesja ndaj jetimëve të Republikës së Kosovës”

Prishtinë, më 26 dhjetor 2024 Sot, para anëtarëve të Kuvendit të Bashkësisë Islame të Koso…