Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuare të Torturës (QKRMT), në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës ka mbajtur edhe takimin e shtatë me radhë për stigmën ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë.
Ky takim është mbajtur këtë herë me studentët e Fakultetit të Studimeve Islame dhe si qëllim kishte njoftimin e pjesëmarrësve me gjendjen aktuale të të mbijetuarve të dhunës seksuale si dhe për ndikimin e stigmës në njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Përfaqësuesja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, njëkohësisht ligjëruese në këto takime, znj. Selvi Izeti, psikologe, tha se përfaqësuesit e institucioneve fetare luajnë një rol të rëndësishëm në adresimin dhe tejkalimin e stigmës, si dhe ndërgjegjësimin e popullatës rreth kësaj çështje. Në këtë takim ligjëruan edhe dy teologe rreth aspektit fetar të stigmës për të mbijetuarit e dhunës seksuale.
Që prej shtatorit të vitit 2019, QKRMT në bashkëpunim me BIK-un ka mbajtur gjithsej gjashtë takime me imamë të komunave të ndryshme me regjione, duke filluar nga Prizreni, Peja, Mitrovica, Gjilani, Lipjani dhe Podujeva. Në këto takime përveç ligjërueses nga QKRMT-ja, në aspektin fetar kanë ligjëruar hoxhallarë dhe teologe të ndryshëm, të cilët më herët janë trajnuar për të ligjëruar rreth kësaj teme. Koordinator i këtij projekti nga Bashkësia Islame e Kosovës ishte Xheladin ef. Fazliu. Në këto takime kanë marrë pjesë mbi 150 hoxhallarë dhe teologe.